Serbia ime, spitali im!

Për Kosovën si vendin ku as vdekja nuk ia vlen. Përdorimi i togfjalëshit «dyshojmë për kancer» është bërë domosdoshmëri për manipulim dhe kërcënim emocional të pacientëve nga spitalet masakruese kosovare. Përse po befasoheni që njerëzit shkojnë për shërim në Nish apo në Beograd?



1.

«Zonjë, dyshojmë se keni shenja kancerogjene në qafë të mitrës. Duke qenë se mjeku ynë nga Shkupi është në Prishtinë, ju sugjerojmë që të bëheni operacion sa më parë që të jetë e mundur! Operacioni kushton pesë mijë euro, por nuk ka problem, mund ta paguani pas operacionit». Një grua rreth të pesëdhjetave shtrohet për operacion në spitalin privat «Tatlises» në Kosovë. Gjashtë orë pas operacionit, mjeku del nga salla, u thotë familjarëve se gjithçka do të shkojë mirë këtej e tutje dhe se pacienti ka nevojë të pushojë. Niset menjëherë për Maqedoni, ku e pret një tjetër fatkeq.

Për gjashtë orë operacion, mjeku dhe ekipi i tij nuk kanë lënë asnjë dokument, asnjë shënim, asnjë dëshmi se çfarë ka ndodhur në sallë të operacionit, çfarë mjetesh janë përdorur, çfarë medikamentesh etj. Spitali thotë se mjeku në fjalë nuk preferon të dokumentojë çfarë ndodhë në sallë të operacionit. Një mendësi të tillë sekrete do ta kishin zili edhe kazinotë dhe klubet më famëkeqe të striptizit në botë, të cilat në rastet kur bëhet fjalë për jetë njerëzish detyrohen të japin ndonjë dëshmi të vogël.

Tre muaj më vonë, zonja në fjalë është jashtë rrezikut nga kanceri. Por, na del se gjatë operacionit, asaj i është dëmtuar kanali i ujit të njërës veshkë. Këtë e konstatoi Instituti i Radiologjisë në Bernë të Zvicrës. Spitali privat dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë përgjigje. Thonë se nuk është kompetencë e jona. «Paditeni mjekun në fjalë!» Ku të paditet mjeku në fjalë, në Kosovë, aty ku e kreu masakrën, apo në Maqedoni, aty ku është i regjistruar si person juridik? Në çfarë egërsie humane dhe shtetërore duhet të jetosh që Ministria e Shëndetësisë, institucionet e vendit të mos jenë të afta të marrin asnjë lloj hapi dhe të jenë të pafuqishme për të mbrojtur shtetasit e tyre nga korporata spitalore, mjekë e simpatizantë të trafikut të organeve, që bëjnë eksperimente me organet e kosovarëve. Apo mos ndoshta kjo na çon nëpër pista të tjera politike? Qëkur jeta e njeriut nuk qenka politike në fund të fundit? Në pamundësi për të gjetur një formë ligjore, zonja u fokusua në shëndetin e saj. Ka vite që zonja është vizitore e spitalit publik të Nishit për të kuruar veshkën e dëmtuar.

2.

«Zonjushë, dyshojmë se po zhvillohen qeliza jo të mira për organizmin. Të sugjerojmë që sa më parë ta bëni llaparoskopinë. Kushton dy mijë e treqind euro. Mund ta paguani edhe me këste, nëse jeni kliente në filan bankë». Ta kemi të qartë, sugjerimi për llaparoskopi i ofrohet vajzës 24-vjeçare. Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që para llaparoskopisë, duhet të jenë shterur të gjitha metodat e tjera, duke filluar nga testet e gjakut, testet për infeksione, ultrazëri ose një «MRI» për të konfirmuar dyshimin. Por, të gjitha këto teste së bashku nuk do të kushtonin 2300 euro. Kaq vlen humanizmi i mjekut në Kosovë. Kaq vlen humanizmi në përgjithësi. Pasi bën pak hulumtim, pacientja kupton në «google» se llaparoskopia nuk është e lejuar për një moshë aq të re.

Vajza i merr sugjerimet dhe rezultatet nga kontrollet në spitalin e famshëm në Prishtinë dhe niset drejt Spitalit Publik të Beogradit. Atje e pret një mjek me 35 vjet përvojë në këtë fushë dhe njëkohësisht një akademik me mbi 200 publikime në çështjet e fertilitetit. Ndonëse operues në klinikën e tij private, mjeku insiston që pacientja nga Kosova të vijë në Spitalin Publik, eventualisht për të marrë edhe ndonjë opinion tjetër nga kolegët e tij.

Asnjë rrezik i vogël e asnjë dyshim i bazuar për qeliza të dyshimta kancerogjene nuk konstatohet. Për hir të etikës profesionale mjeku në fjalë nuk e shkel për tokë diagnozën e spitalit «Coca-Cola» në Prishtinë, por shton se «mund të jetë bërë ndonjë gabim… mjekët nuk janë të pagabueshëm. Por, llaparoskopia më duket sugjerim i nxituar». Të njëjtin test vajza e përsërit edhe në një shtet të rajonit. Edhe aty i rezulton se nuk kërcënohet nga qeliza të dyshimta kancerogjene dhe i rikonfirmohet se llaparaskopia do të ishte e domosdoshme vetëm nëse do të ishte konfirmuar ekzistimi i tumorit.

Përdorimi i togfjalëshit «dyshojmë për kancer» është bërë domosdoshmëri për manipulim dhe kërcënim emocional të pacientëve nga spitalet masakruese. E kam fjalën për spitalet që operojnë me mjekë dhe infermierë nga Turqia dhe Maqedonia. Nga ata që i reklamojnë shërbimet mjekësore si produkte «paguaj një operacion të zemrës, merr dy». Nga ata që tre minuta pas operacionit, i mbushin mendjen familjarëve për domosdoshmërinë e shtruarjes së pacientit në «dhoma VIP», ku nata kushton një mijë euro. Secili futet në kredi për të paguar! Jeta është e ëmbël, edhe në Kosovë!

Shfytyrimi i skajshëm moral e njerëzor në Kosovë kushton një grusht euro. Integriteti profesional i mjekut dhe Betimi i Hipokratit kushton një qengj në hell. Integriteti profesional i institucioneve të thirrura për të mbikëqyrur këta kasapë, kushton një udhëtim në ndonjë konferencë farmaceutike diku në Evropë.

Që prej pasluftës prindërit në Anamoravë ia besojnë shëndetin e fëmijëve të tyre doktor Trajkit në spitalin paralel të Shillovës se sa kioskave të shndërruara në spitale anekënd Kosovës. Ka vite që këta pacientë janë trajtuar më mirë në këto spitale paralele se në cilindo institucion të shëndetit publik në Kosovë. Ka vite të tëra që shqiptarët e Kosovës humanizmin njerëzor dhe shërbimin mjekësor e gjejnë në Serbi. Te mjekët serbë. Në spitalet e tyre publike. Pacientë që ritraumatizohen kur shohin uniformat policore serbe në kufi dhe që shpëtohen nga duart dhe profesionalizmi i mjekëve të po këtij shteti. Është më i lehtë traumatizimi në Serbi se sa horrori nga mjekët në Kosovë. Në fund të fundit, as varfëria, as nacionalizmi i sëmurë, as lakmia nuk ta merr njerëzillëkun. Atë, me gjasë, dikush nuk e ka kurrë!

(Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë)