Serbia i dërgon notë proteste Shqipërisë

Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka sonte është thirrur urgjentisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë me ç’rast, siç njofton FoNet, do t’i dorëzohet nota protestuese lidhur me, siç e quan ky medium serb, incidentin e rëndë dhe sulmet ndaj përfaqësuesve të kombëtares serbe në Tiranë, transmeton Koha.net.




«Përkundër faktit se bëhet fjalë për ndeshjen me rrezik të lartë, ky incident dëshmon për lëshimet serioze të shërbimeve kompetente të Republikës së Shqipërisë në organizimin e ndeshjes», ka kumtuar MPJ e Serbisë.

Beogradi pret dhe kërkon që përfaqësueses së vet t’i mundësohet qëndrimi i mëtejmë dhe krejtësisht i sigurt në Shqipëri si dhe lojë të papenguar të ndeshjes.

Serbia, thotë kumtesa, pret që shkaktarët e këtij incidenti të gjenden sa më shpejt dhe të dënohen me masa përkatëse.