Serbia e Kosova duhet ta ndjekin shembullin e Fadil Vokrrit

Shumë më tepër se një futbollist i talentuar, i ndjeri Fadil Vokrri ishte një nga pak ata njerëz të aftë që i bëri bashkë serbët dhe shqiptarët.

Fadil Vokrri gjatë një ndeshjeje.



Disa lojtarë të njohur të futbollit nga komuniteti më i gjerë shqiptar janë shpërndarë këtyre ditëve në të gjitha ligat kryesore të BE-së. Disa janë nga Kosova, e disa nga Shqipëria, por ata që e duan dhe mbështesin futbollin e dinë se pa dyshim shqiptarët janë shumë të talentuar në atë lojë. Ajo mund të jetë arsyeja pse brezi i ri mund ta ketë të vështirë të kuptojë se çfarë simboli ishte dikur Fadil Vokrri, ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, si përfaqësues i një komuniteti që atëherë nuk ishte i njohur si djep i lojtarëve të mëdhenj të futbollit – derisa ai u shfaq.

Gjatë viteve kur Vokrri ishte një legjendë sportive, ai ishte unik – një dhe i vetmi. Shfaqja e tij si një lojtar për një klub të njohur të Beogradit dhe si anëtar i ekipit kombëtar jugosllav, ka ndihmuar shumë njerëz të kuptojnë më mirë një komunitet që fliste një gjuhë që ata nuk e kuptonin. Tani ai shkoi. Ish-futbollisti dhe ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, vdiq më 9 qershor pas një sulmi në zemër. Mediat kosovare raportuan se ai vdiq gjatë ushtrimit në një qendër fitnesi në Prishtinë.

Ai u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës të dielën më 10 qershor. Qeveria e Kosovës shpalli një ditë zie në kujtim të tij. Kryeministri Ramush Haradinaj mbajti një fjalim dhe është paralajmëruar se stadiumi kombëtar i futbollit në Prishtinë do të emërohet në emër të Vokrrit.

Miqtë e tij nga Beogradi, ish-sekretari i përgjithshëm i klubit të futbollit Partizan, Zharko Zeçeviq dhe ministri serb për Pushtetin Lokal, Branko Ruzhiq, morën pjesë në varrimin e tij. Menaxhmenti i Partizanit lëshoi një deklaratë duke lavdëruar Vokrrin si një legjendë të përjetshme të klubit me bazë në Beograd – një njeri i dashur për mijëra mbështetës të tij. Lojtari më i famshëm i futbollit nga komuniteti shqiptar në ish-Jugosllavi u lind në qytetin e vogël të Podujevës, afër Prishtinës. Ai filloi karrierën e tij të futbollit në klubin lokal dhe pastaj u transferua në Prishtinë, ku luajti disa sezone.

Talenti i tij u njoh shpejt në tërë ish-Jugosllavinë dhe ai nënshkroi për Partizanin në vitin 1986. Ai ishte lojtari i parë i komunitetit shqiptar të Kosovës që nënshkroi për një nga katër klubet kryesore në atë periudhë. Vokrri u shfaq në më shumë se 100 ndeshje për Partizanin, duke u bërë një nga lojtarët më të adhuruar në radhët e mbështetësve të klubit. Në fund të viteve 1980 dhe 1990, derisa Jugosllavia shpërbëhej, Vokrri kaloi karrierën e mbetur të futbollit jashtë vendit, në Turqi dhe në Francë. Si një person modest nga vetë natyra, një sportist i vërtetë në fushë dhe jashtë saj, ai nuk kishte shumë armiq.

Pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, ai u bë kryetar i Federatës së Futbollit të vendit dhe filloi me sukses procesin e integrimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke krijuar themelin për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në mesin e të rinjve të Kosovës. Në prill të këtij viti, ai filloi bisedimet mbi mënyrat për përfshirjen e më shumë të rinjve serbë në futbollin e Kosovës. Në një ambient politik ende të brishtë dhe të ndërlikuar, ai ishte një nga pak ata njerëz të aftë që lidhi me të vërtetë njerëzit nga të dy anët – serbe dhe shqiptare; askush nuk mund ta akuzojë kurrë atë që ka bërë diçka për të dëmtuar «palën serbe».

Ai ishte një simbol – një njeri i lavdëruar në të dy anët e hendekut ballkanik. Po, shqiptarët dhe serbët mund të jetojnë krah për krah, pa u përpjekur të dominojnë tjetrin, sidomos atëherë kur ata kishin interes të përbashkët, një qëllim të përbashkët për të shënuar së bashku, siç bëri Vokrri gjatë karrierës së tij të futbollit. Tani pasi që ai shkoi, do të jetë më e vështirë të gjesh pikat e reja të kujtesës pozitive kolektive për serbët dhe shqiptarët.

Por, nëse përfaqësuesit e qeverive të Kosovës dhe të Serbisë mund të shfaqen së bashku në varrimin e Vokrrit, ata me siguri që mund të bëjnë edhe më shumë për të ndihmuar procesin e zvarritur të «normalizimit» të marrëdhënieve të tyre. Ata duhet të shikojnë përpara dhe të ndjekin gjurmët e Vokrrit – duke u përpjekur të luajnë së bashku, për të dyja palët, në mënyrë të barabartë.

Slobodan Georgiev është redaktor, gazetar dhe koordinator i programit në BIRN Serbia.