Serbia dëboi agjentët rusë të përfshirë në komplot në Mal të Zi

Serbia ka dëbuar disa shtetas rusë të dyshuar për përfshirje në komplot në Mal të Zi, thonë burime të gazetës «Guardian», duke zbardhur hollësi të tjera prej zhvillimeve enigmatike që duket se kërcënuan me vdekje kryeministrin e një shteti europian.

Milo Gjukanoviq.

Të dyshuarit kishin uniforma policore që ta sulmonin parlamentin malazez në Podgoricë dhe ta vrisnin kryeministrin Milo Gjukanoviq. Ata planifikonin të vinin në pushtet një parti pro-ruse.

Gjurmët e gishtave të shtetasve rusë në puçin e dështuar të tetorit kanë vënë në pah ambiciet ruse në këtë cep të Europës, që ka marrë rrugën drejt orbitës së Bashkimit Europian.

Një grup prej 20 shtetasish të Serbisë dhe Malit të Zi, disa prej të cilëve ishin pjesë e grupeve kryengritëse pro-ruse në Ukrainë, u arrestuan në Podgoricë. Në të njëjtën kohë në Serbi, shumë shtetas rusë dyshohet se koordinuan grusht shtetin. Por u zunë bashkë me 120 mijë euro dhe uniforma të forcave speciale.

Sipas gazetës «Danas», rusët kishin pajisje inkriptimi me të cilat detektonin vendndodhjen e Gjukanoviqit.

Shumë burime diplomatike thonë se Serbia i dëboi pa bujë rusët pas ndërhyrjes së shefit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ruse, Nikolai Patrushev, që kishte vizituar ngutshëm më 26 tetor Beogradin në përpjekje për të mbajtur skandalin larg publikut. Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, i ka hedhur poshtë pretendimet se dëbimi lidhej me përpjekjet për grusht shtet në Mal të Zi.

Burime brenda Qeverisë serbe kanë deklaruar se Patrushevi, ish-shef i shërbimit sekret rus, kërkoi falje për atë që është konsideruar operacion që nuk kishte bekimin e Kremlinit.

Qeveria serbe u sprovua tri ditë pas vizitës së Patrushevit kur sasi municioni e armësh u gjetën në afërsi të shtëpisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq. Armët ishin lënë në një vend afër një kthese rruge, ku normalisht do të ulej shpejtësia rrugës së kryeministrit për në shtëpinë e prindërve.

Stefanoviq ka thënë se ka dyshime të bazuara se një grup i  krimit të organizuar ishte angazhuar për vrasjen e Vuçiqit për dhjetë milionë euro. Ai nuk ka specifikuar se kush ishte prapa përpjekjeve të dështuara. Ka thënë se hetimet e reja do të tregojnë nëse është fjala për përfshirje të njerëzve «jashtë rajonit».

«E dini se ka njerëz që nuk e duan një kryeministër të fortë si Vuçiqi, ose një qeveri të fortë të Serbisë, dhe u dhanë dhjetë milionë euro para ose diçka ngjashëm, që të kryhej vrasja», ka deklaruar Stefanoviq.

«E dimë se njerëzit që mund të jenë angazhuar për ta kryer këtë punë ishin nga rajoni, por jo nga Serbia, dhe e dimë se ka grupe kriminale që operojnë në rajon e që ishin të përfshira. Por këta ishin persona që vetëm do ta kryenin punën».

«Ne besojmë se grupet kriminale po përdoren vetëm për ta kryer punën, por motivet nuk janë të lidhura me këto grupe. Vrasja e kryeministrit nuk do të ishte punë që do ta kryenin për hesape të tyre, por ne mendojmë se ata po përdoren».

Menjëherë pas gjetjes së armëve, Vuçiqi bëri të ditur planet për ndryshime radikale brenda shërbimit të inteligjencës, duke theksuar se gjendja ishte «më e keqe se sa kemi pritur».

«Do të ketë ndryshime në shërbimin sekret», ka deklaruar Vuçiq për emetuesin publik, RTS. «Kam besuar në aftësitë e njerëzve që nuk e kanë treguar se kanë këto shkathtësi, por unë marr përgjegjësi për këtë».

Është e paqartë nëse kishte ndonjë lidhje ndërmjet planeve për vrasjen e Vuçiqit dhe të Gjukanoviqit. Por grusht shteti i dështuar ndodhi në muajin e kaluar kur dolën në sipërfaqe përplasje të mëdha në rajon ndërmjet atyre që mendojnë se vendet duhet të marrin drejtimin perëndimor dhe atyre që ngulmojnë se këto shtet eduhet të kthehen kah Rusia.

Gjukanoviqi ka dominuar politikën malazeze për më shumë se dy dekada, duke fuqizuar integrimin europian. Mali i Zi është afër finalizimit të procesit të anëtarësimit në NATO – protokolli i anëtarësimit është nënshkruar në maj –duke hedhur poshtë shpresat ruse për sigurimin e një baze detare në brigjet e Adriatikut. Sipas shtypit malazez, Moska kishte lobuar fuqishëm në vitet e fundit për të siguruar qasje në portet e Tivarit dhe Kotorit.

Rëndësia e këtyre porteve është dëshmuar muajin e kaluar kur luftanijet ruse po përballeshin me probleme për të siguruar vende ndaljeje për furnizim në rrugën drejt Sirisë për të ndihmuar bombarduesit ushtarakë rusë në Siri. Rusisë nuk iu dha leje prej shteteve europiane.

Në Serbi, Vuçiq është munduar të ndjek një politikë baraspeshe, me shpresë që të ruajë marrëdhëniet e mira me Rusinë, njëherësh të vazhdojë integrimin në Bashkimin Europian. Ushtria serbe ka kryer manovra ushtarake me NATO-n dhe me Rusinë, megjithëse viteve të fundit më shumë ka pasur ushtrime me shtetet e NATO-së. Vuçiqi gjithashtu ka refuzuar që t’ua jepte statusin diplomatik zyrtarëve rusë në qendrën për ndërhyrje urgjente serbo-ruse në qytetin e Nishit, që u hap më 2012. Ky veprim ka zemëruar zyrtarët e lartë rusë.

Diplomatët perëndimorë dyshojnë se qendra po përdoret si një kalë Troje, që mund të zgjerohet dhe të përdoret si qendra për operacione spiunazhi dhe paraushtarake në rajon. Statusi diplomatik, theksojnë ata, do t’ua mundësonte rusëve që të sillnin pajisje pa kaluar nëpër kontroll doganore serbe.

Disa analistë sugjerojnë se operacioni mbase dështoi për shkak se nuk kishte koordinim të mirë me Moskën. Ka të tjerë që thonë se Moska ka mbajtur qëndrim të heshtur meqë nuk kishte se si ta mohonte demaskimin e operacionit.

Të dy palët kanë interes të luajnë këtë qasje, një situatë të menaxhueshme, meqë të dy palët mund të jenë të sigurta. Por sa është e vërtetë, mbetet e paqartë. «Nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të pohuar ose mohuar», ka deklaruar Vladimir Frolov, analist nga Moska.

«Duke gjykuar prej dëshmive që kanë dhe vlerës financiare të ndihmës, duket se kanë vepruar me një taktikë që duket se ka qenë e kufizuar».

Disa ditë pas grusht shtetit të dështuar, Leonid Reshetnikov, që drejton një institut pro-qeveritar në Moskë, u lirua prej detyrës nga Putini. Instituti Rus për Studime Strategjike ka një zyrë në Beograd. Rashetnikov përkrahu partinë malazeze opozitare që kundërshton anëtarësimin e Malit te Zi në NATO.

Një analist sigurie në rajon, që nuk do të identifikohet, ka theksuar se e di prej burimeve brenda inteligjencës se incidentet e fundit në Ballkan mbase kanë lidhje me përpjekjet ruse për ndikim dhe që të ketë një levë në Ballkan në rast se do të fitonte Hillary Clinton. Ajo pritej të mbante qëndrim më kritik ndaj aktivitetit rus në rritje në rajon.