Serbia – autokraci e bekuar nga Bashkimi Europian dhe Rusia

Më 2017, rinisë i është kthyer shpina derisa autokrati i tyre lavdërohet e çohet deri në qiell prej krerëve perëndimorë për demokracinë, përparimin dhe stabilitetin që e sjell në Ballkan. Çka ndryshoi dhe çfarë bëri Aleksandër Vuçiqi që të kishte sukses në zgjedhje e që nuk e pati ish-shefi i tij, Slobodan Milosheviq?

Aleksandër Vuçiq. Foto: Shutterstock



Kanë kaluar pothuajse dy javë prej se rinia doli në rrugët e qyteteve të mëdha për të shprehur pakënaqësinë ndaj rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, derisa zyrtarët e Bashkimit Europian morën turr për ta uruar e përgëzuar fituesin e tyre, kryeministrin, tani të zgjedhurin për president,  Aleksandër Vuçiqin, duke e lavdëruar si «faktor stabiliteti në Ballkan» dhe për sigurinë se me të do të vazhdojë rruga drejt Bashkimit Europian. Por nuk ka kurrgjë europiane kur bëhet fjalë për një kryeministër që kontrollonte dhe uzurponte jo njërin, por dy prej posteve kryesore të politikës serbe. Nuk kishte asgjë europiane as fushata, që u tkurr në spektakël të një njeriu të vetëm dhe në një garë ku të gjithë të tjerët e kishin të shkruar paraprakisht se do të humbnin. Java pas zgjedhjeve nisi me tridhjetë mijë persona që demonstruan rrugëve të Beogradit, dhe mijëra të tjerë në Novi Sad, Kragujevc dhe qytete të tjera të mëdha gjithandej Serbisë. Mesazhi i tyre ishte i qartë – nuk e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve sepse as zgjedhjet nuk ishin legjitime. Shumica e portaleve ose i injoruan këto zhvillime, ose iu referuan protestuesve si «vandalë, huliganë, drogaxhinj dhe të rinj të dehur». Duket si një deja vu për keqardhje e protestave të famshme studentore që ishin përhapur në dimrin e ftohtë të nëntorit 1996 e deri në shkurtin e vitit 1997, kur zhgënjimi i ngjashëm kundër procesit të kurdisur zgjedhor nxiti dhjetëra mija qytetarë dhe studentë të dilnin rrugëve. Por dallimi dëshpërues është se gjatë viteve nëntëdhjetë, rinia e shpresonte në ndryshime. Më 2017, rinisë i është kthyer shpina derisa autokrati i tyre lavdërohet e çohet deri në qiell prej krerëve perëndimorë për demokracinë, përparimin dhe stabilitetin që e sjell në Ballkan. Çka ndryshoi dhe çfarë bëri Aleksandër Vuçiqi që të kishte sukses në zgjedhje e që nuk e pati ish-shefi i tij, Slobodan Milosheviq?

Kush është më i pushtetshmi në Serbi?

E kaluara e errët

Aleksandër Vuçiqi u lind më 1970 në Beograd. Diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Beogradit. Për një periudhë të shkurtë kohore, punoi si gazetar. Karriera e tij politike nisi në vitet nëntëdhjetë, kur ishte këshilltar i besueshëm i Vojislav Sheshelit, liderit të ultra së djathtës nacionaliste, Partisë Radikale Serbe. Vuçiqi ra në sy si eksponent i zëshëm i luftës në Bosnjë, duke deklaruar në një moment se «për çdo ushtar serb të vrarë, duhet të vrasim 100 myslimanë». Kulmi i karrierës së tij në vitet nëntëdhjetë ishte emërimi Ministër i Informacionit. Nën drejtimin e tij, Ministria e Informacionit shtypi vrullshëm mediat e pavarura që kundërshtonin politikën e regjimit të presidentit serb, Slobodan Milosheviq.

Transformimi

Pas revolucionit demokratik në tetorin e vitit 2000, Partia Radikale Serbe, bashkë me Vuçiqin mbetën në opozitë. Më 2003, lideri i partisë, Vojislav Sheshel u dorëzua vullnetarisht dhe shkoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi me seli në Hagë me qëllim që të përballej me akuzat për spastrim etnik në Bosnjë dhe Kroaci. Stafeta e liderit i kaloi Tomislav Nikoliqit, me Vuçiqin njeriu i dytë më i fuqishëm në parti. Duke e parë se Partia Radikale Serbe ishte e dalë mode në politikën serbe të viteve 2000, me anëtarët e frustruar dhe duke vlerësuar se s’kishin lidership me Nikoliqin, i cili po rrinte në krye sa për t’ia ruajtur postin e kryetarit Sheshelit, gjykimi i të cilit u zvarrit më shumë se një dekadë, Vuçiqi ndjeu se duhej të modifikonte dhe modernizonte pozicionet dhe qëllimet e tij politike nëse e kishte ndërmend të mbetej politikan relevant. Dhe kështu edhe u krijua Partia Përparimtare Serbe më 2008. Krejt papritur, Vuçiqi po promovonte vlera demokratike dhe liberale, si dhe përkrahte anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

Dështimet e armikut dhe besnikëria e miqve të vjetër

Partia Përparimtare Serbe fitoi shumicën e mbështetjes popullore prej shkurtimeve buxhetore të Partisë Demokratike në pushtet, të prirë prej Boris Tadiqit. Procesi me telashe i privatizimit të tokave shtetërore, korrupsioni, partokracia dhe nepotizmi, si dhe kompromiset bërë me Partinë Demokratike të Serbisë, me orientim djathtist, dhe me Partinë Socialiste të Slobodan Milosheviqit, ngadalë zemëruan dhe distancuan një numër në rritje të votuesve dhe përkrahësve të demokratëve. I përballur me kërkesat në rritje të Bashkimit Europian, sidomos në lidhje me statusin e Kosovës, Boris Tadiqi u mbështet me shpatulla për muri ndërmjet asaj që duhej të bëhej dhe çfarë prisnin votuesi prej tij. Dhe Vuçiqi e dinte fort mirë se ky rast nuk guxonte t’i ikte nga dora, megjithëse ende vepronte prej margjinave, duke e lënë kryesisht Nikoliqin të shfaqej në publik.

Por me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2012, lideri i Partisë Demokratike, Boris Tadiq, ende ndiente vetëbesim dhe donte ta konsolidonte pushtetin. Partia Përparimtare Serbe fitoi shumicën e votave, gjë që edhe pritej. Partia Socialiste Serbe, një tjetër shembull i fantazmës së viteve nëntëdhjetë që ia kishte dalë me sukses ta lustronte veten pas viteve 2000, kishte fuqinë për të formuar koalicion me demokratët dhe në fakt të siguronte mbijetesën e qeverisë ekzistuese – dhe demokratët ishin fort të sigurt se kështu do të rridhnin hesapet. Sidoqoftë, pas fitores së zgjedhjeve presidenciale prej Nikoliqit kundrejt Tadiqit, socialistët u kthyen nga Partia Përparimtare serbe dhe arritën ujdi – vitet nëntëdhjetë po ringjalleshin. Kësaj here ishin nxjerrë leksionet: Disa shprehi ishin përmirësuar, duart e të gjithëve ishin të pastra në dritën e ligjit, por mënyra se si qeverisin ndryshon fare pak me të nëntëdhjetat e errëta.

Kupa është mbushur

Pas ngritjes në pushtet të Partisë Përparimtare, kjo parti përfundoi çka e kishin nisur demokratët. Partia Përparimtare është gjithkah – në kuvend, qeveri, zyra qeveritare, institucione, universitete, institucione mjekësore, në sektorin e shërbimeve publike, duke rehatuar aktivist besnikë të partisë, të cilët po ia zënë frymën sistemit. Për një qytetar mesatar serb, gjetja e një vendi pune nëpërmjet referencave arsimore dhe punës së zorshme është si të fitohet në LOTARI – mund t’ju ndodh, ama rrallë e përmallë. Në anën tjetër, anëtarësimi në partinë në koalicion qeverisës dhe besnikëria ndaj liderit është certifikatë për punësim, promovim dhe pagë të dinjitetshme. Afërmendsh se me kalimin e viteve me sektorin publik të stërmbushur me pozita të shpikura burokratike me qëllim që të ketë çka të hanë edhe besnikët te dera e partisë, edhe puna me pagën më të ulët (si portier) kërkon librezën e partisë.

Andaj, nuk është e habitshme se Serbia u deklarua lidere botërore në ikjen e trurit. Gjatë viteve të fundit, lajmet me shifra të serbëve të diplomuar në mjekësi që po shkonin të punonin në Gjermani ishte ironi e hidhur – duke e ditur se Serbia ka problem me numrin deficitar të infermiereve, mjekëve dhe specialistëve që punojnë për paga mujore prej 300 deri në 600 euro. Ministri serb i Financave, Dushan Vujeviq, ofroi një zgjidhje – «gjejeni një shtet tjetër nëse nuk jeni të kënaqur me këtë tonin». Ata që janë pleq, të pakualifikuar ose që dëshirojnë të rrinë – ose duhet të gjinden qysh të dinë e munden vetë, ose t’u përshtaten rregullave dhe të kursejnë edhe ato pak para që i fitojnë. Kjo punë duket e pamundshme.

Një prej premtimeve më të famshme në fushatat në Serbi në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit kanë qenë «investimet e huaja», që do të thotë edhe shpresë për vende të reja pune. Kjo punë e paqme, saqë qeveritë e mëhershme dhe e tanishmja të etura për investime të huaja, rrallëherë i negociojnë kushtet, gjë që rezulton me marrëveshje të dyshimta saqë taksapaguesit serbë subvencionojnë bizneset private. Në shumë prej atyre kompanive ose fabrikave, qytetarët serbë përfundojnë si fuqi punëtore të paguar lirë dhe pa iu respektuar të drejtat elementare të punës. Hallet e punëtorëve në fabrikën koreanojugore «Yura» në qytetin e Leskovcit dolën në sipërfaqe në media vjet. Punëtorët detyroheshin të punonin dymbëdhjetë orë në ditë, pa të drejtë për të drekuar dhe shkuar në nevojtore. Kishin vënë «Pampersa» që të mos lageshin prej jashtëqitjeve. Ata e akuzuan menaxhmentin për plaçkë, abuzim fizik e ngacmim seksual, por ankesat zyrtare as nuk ishin adresuar e procesuar prej autoriteteve shtetërore. Pasi ngjarjet mbërritën si raport deri në stacionin televiziv N1, Ministria e Punës i hodhi poshtë pretendimet, duke vlerësuar se «inspektorët kanë vërejtur vetëm parregullsi të imëta».

Gjatë fushatës presidenciale, para disa javësh, një burrë 57 vjeç, punëtor në fabrikën «Gosha» në Smederevska Palankë, bëri vetëvrasje në vendin e punës. Siç dëshmojnë miqtë dhe kolegët, ai kishte shpjeguar në letrën lamtumirëse se motivi ishte depresioni dhe dëshpërimi i shkaktuar prej skamjes së madhe. Menaxhmenti i fabrikës ua ka borxh punëtorëve prej pesëmbëdhjetë deri në njëzetë paga, dhe nuk i ka shlyer detyrimet për sigurimin shëndetësor dhe fondet pensionale për tri vitet e fundit. Punëtorët, që së fundi ishin në grevë, nuk e dinë as sa para ua ka borxh fabrika, sepse u jepen nga 15 deri në 20 euro në intervale të ndryshme kohore. Shkeljet e tilla të qarta të ligjit të punës nuk janë sanksionuar asnjëherë prej autoriteteve. Pronare ishte kompania sllovake «Zos Trnava», por brenda ditësh ndërroi pronari. Tani, sipas listës zyrtare të autoriteteve, kompania që drejton është «Lisnart Holdings Limited» nga Qiproja.

Dhe derisa ngjarje si këto mund të duken zhvillime që duhet ta detyrojnë gjithë qeverinë të japë dorëheqje të menjëhershme, në Serbi njerëzit janë mësuar tashmë me skandale saqë njëri e mposht tjetrin.

Skandalet

Vërshimet

Vërshime masive e goditën gjatë pranverës së vitit 2014 Europën Juglindore, përfshi edhe Serbinë. Një prej qytezave me dëmin më të madh ishte komuna e vogël në periferi të kryeqytetit Beograd – Obrenovaci. Megjithë alarmin e ngritur qysh më 12 maj, lumi Kolubara arriti nivele të jashtëzakonshme në thellësi prej shtatë metrash për dy ditë, me lumenjtë e rrethinës që vërshuan ara e rrugë, derisa qytetarët e Obrenovacit ishin në gjumë kur vala goditi qytezën në orët e hershme të mëngjesit së 16 majit. 37 persona mbetën të vdekur dhe më shumë se pesëqind shtëpi u shkatërruan. Hulumtimet e kryera prej gazetarëve të Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi, deri në ditët e sotme, mbesin të vetmet të kryera prej dikuj në Serbi. Një tjetër përfundim i nxjerrë prej dokumenteve, shkencëtarëve dhe dëshmive të njerëzve të mbijetuar është numri i viktimave dhe shkatërrimet do të mund të parandaloheshin me një organizim më të mirë të sistemeve mbrojtëse të qytetit dhe me evakuim me kohë. Miroslav Cuçkoviq, kryetar i Obrenovacit nga radhët e Partisë Përparimtare të Vuçiqit, vazhdon të mbajë postin edhe sot. Në fillim të shekullit 21, presidenti Tomislav Nikoliq deklaronte se Serbia ishte goditur prej «një gjarpri të paparashikueshëm: ujit».

Helikopteri

Më 14 mars 2015, një helikopter ushtarak që po bartte shtatë persona, përfshirë edhe një foshnje të porsalindur që kishte nevojë për ndihmë emergjente mjekësore, u përplas për shkak të mjegullës së madhe në aeroportin «Nikola Tesla» në Beograd. Kjo tragjedi ndodhi pasi disa media publikuan një lajm se ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, dhe disa zyrtarë të tjerë mirëpritën aterrimin ushtarak dhe mjekësor në këtë lokacion – para se të ndodhte. Ky lajm ishte tërhequr shumë shpejt, duke nxitur kureshtjen e njerëzve se fatkeqësia ndodhi për shkak të një dështimi të paramenduar. Ekspertët e ushtrisë, publiku dhe mediat kanë ngritur shumë dilema për aksidentin, përfshirë edhe atë se pse helikopteri ishte urdhëruar të fluturonte në mot të ligë dhe pse ekipi ishte urdhëruar të aterronte në aeroportin civil në Beograd në gjithë atë mjegull. Asnjërës prej këtyre pyetjeve nuk u është dhënë përgjigje. Ministri ishte në detyrë derisa shpërtheu skandali. Ai bëri një shaka të pakripë në prani të gazetarëve dhe kamerave, duke theksuar se «i pëlqenin femrat gazetare që përthyenin lehtë gjunjët», duke iu referuar një gazetareje që ishte përkulur me qëllim që t’ia mbante mikrofonin.

Fantazma e Savamalës

Avokati serb i popullit (i cili ishte kandidat i zgjedhjeve të fundit presidenciale), Sasha Jankoviq, nxori një raport se policia beogradase refuzoi qëllimshëm t’u përgjigjej thirrje të qytetarëve që «panë rreth tridhjetë burra të maskuar të armatosur me shkopinj bejsbolli dhe me mjete për mihje, duke thyer ndërtesat në bregun e lumit të lagjes ‘Savamala’ në natën ndërmjet 24 dhe 25 prillit, dhe me dyshimin se po i rrihnin banorët e zonës». Lagjja në fjalë është pjesë e zonës më të gjerë që do të shndërrohet në qytetin e ri në brigjet e lumit në Beograd, ku do të ndërtohet pallati i ri i operës, qendra tregtare, hotele luksoze dhe ndërtesa të banimit. Projekti «Belgrade Waterfront» ka mbetur në hije të një marrëveshjeje të dyshimtë, shumica e së cilës mbetet e panjohur për publikun. Asgjë nuk mund të konsiderohet si «shtet i dështuar» si puna e shkatërrimit dhe rrafshimit të gjithçkaje në mes të një zone urbane afër qendrës së qytetit, me bandën e personave të maskuar që i mbajnë peng dëshmitarët dhe i rrahin, ndërkohë që policia dhe drejtësia vetëm bëjnë sehir.

Pas ngritjes së këtyre shqetësimeve, Jankoviq ishte shumë kritik ndaj shumë politikave qeveritare (ose mungesës së tyre), por në fakt u bë cak i një fushate masive mediatike të njollosjes, prirë prej tabloidit proqeveritar «Informatori» dhe armatës së ndjekës online të Partisë Përparimtare, që besohet se janë njerëz të angazhuar kastile për mobilizim fushatash në internet. Kjo formë e njollosjes publike është bërë pjesë e diskursit publik politik në Serbi, që për qëllim ka që gazetarët dhe figurat publike serbe të mendohen dy herë para se të flasin ose kritikojnë punën e qeverisë. Ata që nuk mendojnë dy herë, si e përjavshmja «NIN», gjobiten shpejt e shpejt në procese të montuara gjyqësore në sistemin e drejtësisë, ku edhe rastet më të thjeshta zgjasin për dekada me radhë. Pas zgjedhjeve parlamentare më 2016, ku Përparimtarët fituan shumicën në parlamentin e krahinës së Vojvodinës, brenda pak ditësh, stacioni televiziv i Shërbimit Publik të Vojvodinës, RTV, ndryshoi tërë menaxhmentin, si dhe pati dorëheqje të redaktorëve, gazetarëve dhe moderatorëve të lajmeve, të cilët njiheshin për qëndrime dhe shprehje kritike ndaj qeverisë. Në këtë atmosferë mjerimi, frike dhe beteje, Serbia nisi fushatën e zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhjet

Që nga viti 2012, opozita në Serbi ka qenë faktikisht joekzistente. Partia Demokratike humbi shumicën e mbështetjes për shkak të refuzimit për të dhënë llogari për dështimin e lidhjeve me njerëzit që kishin të kaluar të dyshimtë në vitet nëntëdhjetë dhe për dështimin për t’i prirë Serbisë gjatë viteve të transicionit. Ata në fakt ndihmuan në hapjen e varrit të tyre me lidership të diskredituar dhe me qasjen e papërfillshme ndaj votuesve të lodhur. Ngritja e Partisë Përparimtare mbi të gjitha u ndërtua mbi themelet e tendencave autokratike të demokratëve.

Ish-avokati i popullit, Jankoviq, asnjëherë nuk ka qenë i prerë për pikëpamjet e tij ideologjike, me shumicën e fushatës të fokusuar në kritika ndaj Vuçiqit dhe mungesës së atyre që i kërkojnë qytetarët – «dinjitet, rend, rregulla dhe parime». Kjo tregon se sa i ulët është pragu moral politik me votuesit serbë që ende diskutojnë dhe negociojnë gjëra parimore me politikanët. Një kandidat i panjohur doli prej askundi në fushatën presidenciale, duke iu adresuar një grupi të rinjsh që kanë humbur besimin në vetë procesin politik. Luka Maksimoviq bëri fushatë me një karakter interesant, duke satirizuar me politikanin mesatar serb si «Ljubisha Preletaçeviq – Beli». «Mbiemri» i tij në fakt ka kuptimin e shprehjes «kah të fryn era», referencë e qëndrueshme për shumicën e politikanëve serb që ndërrojnë partitë pavarësisht qasjeve ideologjike – duke i qëndruar përherë hesapit të fitores elektorale partiake. Megjihatë, Vuçiqi nuk humbi – i fitoi 54.9 për qind të votave, i dyti doli Jankoviq me 16.2 për qind, pasuar prej Maksimoviqit me 9.4 për qind, tregojnë të dhënat e monitoruesve të organizatës CRTA.

Si është kjo e mundshme, dhe pse të gjitha njerëzit janë habitur? Partia Përparimtare Serbe i merr shumë seriozisht zgjedhjet, dhe gara në fushatë ishte shumë e ashpër kundrejt rivalëve. Me përjashtime të pakta, shumica absolute e mediave në Serbi janë zëdhënëse të qeverisë, kështu që fushata zgjedhore nuk ishte aspak e bazuar në parime të drejta, legjitime dhe demokratike pa asnjë pasaktësi, siç ndodhi edhe me punën e raportimeve. Një hulumtim i kryer prej OJQ-së, «Serbia Transparente» ka dëshmuar se Aleksandër Vuçiqi mori shumicën absolute të mbulimit prej shumicës së gazetave. Ai ishte përshkruar me sy pozitiv 98 herë, krahasuar me Maksimoviqin me 27 herë, Jankoviqin 18 herë dhe Vuk Jeremiqin 10 herë. Kandidatët tjerë ishin përshkruar bashkërisht njëzetë herë. E kur vjen puna te shkrimet me qasje negative, për Jankoviqin është raportuar 40 herë, pasuar prej Jeremiqit me 31 herë. Gruaja e Jeremiqit, Natasha Jeremiq (spikere e dikurshme e njohur e lajmeve në RTS) ishe akuzuar hapur prej deputetit të partisë së Vuçiqit, Milenko Jovanov, se ishte «bose e një narkokarteli serb». Tri të katërtat e mbulimit të tërësishëm televiziv i ishte kushtuar Vuçiqit, i cili kishte përdorur postin e kryeministrit. Ndarja e kohës dhe hapësirës së njëjtë të gjithë kandidatëve është pjesë e ofertës së rregullt të mediave në parim.

Nuk është punë e vështirë të fitosh zemrat dhe mendjet në Serbi, ku kultura e përgjithshme politike vazhdon të mbetet diskutueshëm e ulët, dhe pothuajse si në fillim të shekullit njëzetë. E lëre më nëse iu referohemi edhe pesëqind viteve nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe pjesën e historisë së re serbe të përshkuar me luftëra, destabilitet politik, krizë identiteti dhe kultin e famshëm të liderit. Populli serb ka pasur pak kohë për të ndërtuar sistem të qëndrueshëm demokratik dhe mirëbesim në institucione, rrjedhimisht duke vazhduar të joshet prej valles së autokratëve. Pavarësisht nëse bëhej fjalë për presidentin e përjetshëm, Josip Broz Tito, nacionalistin e shndërruar në renegat, Slobodan Milosheviq, revolucionarin demokratik, Zoran Gjingjiq, ose centristin Boris Tadiq – populli serb i do liderët e vet. Madje edhe fjala serbe për qeverinë, «vlada» tregon në thelb mungesën e kapacitetit të shoqërisë për t’i parë politikanët si shërbyes, guvernatorë dhe administratorë publikë të zëvendësueshëm – dhe në fakt kuptimi i fjalëpërfjalshëm korrespondon aktualisht me fjalën angleze «sundim».

Aty ku Partia Përparimtare e Vuçiqit ka dështuar t’i bëjë njerëzit për vete, ka ndodhur ose për shkak se votuesit nuk ishin të kënaqur me mënyrën e jetesës ose në mesin e popullsisë me shkallë të lartë të kulturës politike, që është në pakicë, mirëpo ka qenë shantazhi dhe kërcënimi strategji suksesi. Njerëzit që kanë vende pune, privilegje dhe të mira të tjera falë anëtarësimit në parti besohet se i dëshmojnë besnikëri të përbetuar. Sipas raporteve, detyra e tyre ka qenë realizimi i shumë thirrjeve telefonike votuesve, fushata nëpër fusha e ara, mbledhja e listave të «votuesve të sigurt», njollosja e kundërshtarëve politikë në media dhe internet, ose adresimi i fajit për kaosin e mundshëm. Kur i gjithë sistemi institucional mishërohet në parokraci (trashëgimi e qëndrueshme e Partisë Komuniste në ish-Jugosllavi), kushdo që merr pjesë në zgjedhje ka interes të madh që ta mbajë gjallë dhe funksionalë këtë sistem, gjë që tregon pse shkalla e korrupsionit është e rrënjosur aq thellë në shoqërinë e sotme serbe. Dhe derisa një grup njerëzish brenda sistemit janë të etur t’i ruajnë privilegjet dhe pushtetin, më 2017, kur buxheti publik të shteret, njerëzit do të sigurojnë se do ta këmbejnë votën që ta ruajnë vendin e punës që u paguhet 200 euro në muaj, rrjedhimisht të sigurojnë bukën e gojës së familjes.

Pse Vuçiqi është kaq i suksesshëm?

Aleksandër Vuçiqi nuk mund të qeveris – por di ta marrë dhe mbajë pushtetin, gjë që tregon pse mënyra e tij e qeverisjes është mobilizim i përhershëm fushate dhe shpallje e zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjidh betejat

Dhe duke i përsëritur çështjet e paraardhësve të tij dhe kohën e viteve nëntëdhjetë, ai është mësuar gjithashtu prej gabimeve të veta dhe është zotuar se kurrë nuk do t’i përsëris. Vuçiqi e di fort mirë si t’i mbajë barabar të kënaqur Bashkimin Europian dhe Rusinë. E di se çka duhet të kryhet, dhe di si ta shesë punën e tij në këtë drejtim, duke folur thirrje emocionale dhe ruajtur qëndrimin e një politikani të vendosur në sytë e opinionit. Për popullin serb, toni i rëndomtë i Donald Trumpit, si dhe sulmet e tij kundër mediave, duket sikur të kishin dalë prej doracakut të Vuçiqit. Duke folur për mediat, Vuçiqi refuzoi të përfshihej në diçka që supozohej se ishte pjesë rrënjësore e procesit zgjedhor demokratik në media – në debatin presidencial. Fundja, Vuçiqi është i njohur për gjuhën e tij abuzive kundrejt atyre që i percepton si inferiorë, si puna e moderatorëve të debateve televizive dhe figurave jo fort të njohura publike. Ai është aq i mençur sa t’i lejojë tabloidet, ushtrinë online, ose zyrtarët e partisë të organizojnë fushata të njollosjes së rivalëve, duke nxjerr në skenë individë të fuqishëm e të artikuluar me qëllim që t’i eleminojë kërcënimet eventuale, duke i mbajtur vetë duart e pastra e njëherësh duke i dënuar sulmet kundër fjalës së lirë.

Njihi aleatët

Vuçiqi e di fort mirë se Kosova është bileta e tij për raporte të shkëlqyera me Brukselin. Ai ka bërë një mori kompromisesh dhe koncesionesh kur nënshkroi marrëveshjen e Brukselit, por si drejtor i Forumit për Raporte Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, theksoi gjatë një interviste për «Deutsche Wellen» se «mungesa e transparencës në bashkësinë ndërkombëtare» në lidhje me këtë marrëveshje lë shumë hapësirë për «spekulim dhe versione të ndryshme të së së vërtetës». Vuçiqi di si t’i përdorë këto situata, duke e konsideruar çdo koncesion të zorshëm si kërkesë e guximshme dhe e papritur nga Kosova. Në fakt Kosova ka kuvendin, qeverinë, drejtësinë dhe institucionet e saj të ligjit, si dhe kodin telefonik, dhe zyrtarët serbë janë të detyruar të marrin leje para se të organizojnë ndonjë organizim sipas kushteve që i përcakton Prishtina. Bashkëpunimi me Kosovën nuk është çështje qejfi, kështu që askush nuk mund ta fajësojë Vuçiqin pse ulet në tryezën e negociatave, por mund të akuzohet për hipokrizi dhe retorikë konfliktuoze që e mban në pushtet, dhe opinioni në Serbi e Kosovë të painformuar për përmbajtjen e vërtetë të bisedimeve.

Bashkëpunimi ushtarak dhe strategjik me Rusinë, si puna e marrjes së aeroplanëve ushtarakë, që mund të ndodh të mos paguhen fare, mund të mos jenë punë e dobishme për popullin dhe interesat serbe, por sigurisht se më i kënaquri është Vladimir Putini. Ngjashëm edhe gjatë pushtetit të Tadiqit, gjiganti serb i naftës, «Industria e Naftës e Serbisë» i ishte shitur me çmim të ulët «Gazpromit» rus. Ishte një Pazar i dyshimtë i Tadiqit, që besohet se ishte motivuar pjesërisht edhe prej domosdoshmërisë së përkrahjes politike ruse në kauzën (tashmë të humbur) të Kosovës. Dhe derisa Tadiqi po tregohej më sfidues kur vinte puna te territori i kontestuar, Vuçiqi diti ta menaxhonte më mirë, dhe ia doli njëherësh t’i mbante të sigurta interesat ruse, duke siguruar edhe raporte të shkëlqyera me rusët.

Mos i turbullo ujërat

Vuçiqit i pëlqen ta krahasojë veten me kryeministrin e paradokohshëm, Zoran Gjingjiq. Tabloidet proqeveritare madje publikuan disa raporte me teori konspiracioni, duke theksuar se Vuçiqi rrezikon të vritet. Afërmendsh se nuk ka bërë asgjë që do ta vinte në rrezik të tillë, duke e ditur se ai ndryshon krejtësisht krahasuar me Gjingjiqin karizmatik dhe demokratik të vendosur liberal, që kishte guxuar t’ua prishte strofullin krerëve të krimit të organizuar dhe e pagoi me jetë. Pasardhësit e tij jo vetëm që nuk kanë guxuar t’i afrohen më strofullit, por as që kanë guxuar të hetojnë sfondin politik të vrasjes, që deri më sot kurrë nuk është zbardhur.

A mund të vazhdohet përgjithmonë kështu?

Koha po kalon

Pas prishjes së Jugosllavisë në fillim të viteve nëntëdhjetë, ish-republikat e saj u bënë arenë fushëbetejash të ndikimit perëndimor dhe rus në Europë. Më 2017, Sllovenia dhe Kroacia janë shtete anëtare të Bashkimit Europian, Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina janë shtete kandidate. Mali i Zi tani po anëtarësohet në NATO. Ndikimi perëndimor ia doli të mbisundonte në shumicën e Ballkanit, dhe BE-ja beson fort sa të lejojë njëfarë ndikimi të kufizuar rus. Mendon se përplasjet e retorika e sertë shpesh bëhet për konsum të brendshëm, sepse situata në Ballkan është stabile. Me Brexitin, krizën e refugjatëve dhe konfliktet në Lindje të Mesme si prioritete parësore, krerët europianë kanë treguar pak interesim për çështjet e brendshme në Serbi. Në vitet nëntëdhjetë, opozita dhe OJQ-të me qasje kritike kundër regjimit të Milosheviqit gëzonin përkrahje financiare bujare dhe përkrahje morale nga Perëndimi – më 2017 ato burime janë shterur.

Politika e baraspeshës

Duke gjykuar pëshpëritshëm prej zyrave nëpër ndërtesat e selisë në BE, blloku europian nuk e ka ndërmend të pranojë anëtarë të rinj në të ardhmen e afërt, kështu që nuk ka pse t’i bëhet presion Serbisë për përparim më shpejtë se zhvillimet rrjedhin vetvetiu. BE-ja e ka dëshmuar se di t’i mbyllë sytë kundrejt abuzimeve dhe keqpërdorimeve të qeverisë serbe në këmbim të kompromiseve dhe provizioneve tjera. Rasti skandaloz i demolimeve të Savamalës dhe protestat e fundit të qytetarëve disi heshtazi nuk u përfshin në raportin vjetor të progresit të Bashkimit Europian për Serbinë, pavarësisht faktit se bëhej fjalë për çështje të sundimit të ligjit. Abuzimet flagrante në kundërthënie të madhe me sistemin legal serb ishin adresuar në 325 amendamente (shifër rekorde deri tani) të dorëzuara prej deputetëve të ndryshëm të Parlamentit Europian. Fakti se raporti vjetor kishte më shumë se treqind amendamente tregon se BE-ja ka pak interesim për ta zbatuar politikën e saj parimore ndaj kandidaturës së Serbisë për BE.

Kjo qasje e ndryshueshme dëshmon mungesën e interesit të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj dhe nevojën për të siguruar mbështetje. Fundja, shoqëria kroate, rumune ose bullgare, madje demokratike, janë përballur e përballen me probleme të ngjashme, por ia dolën të anëtarësoheshin në Bashkimin Europian. Prapa dyerve të mbyllura, siç raporton «Deutsche Welle», BE-ja është larg më kritike ndaj qeverisë serbe se në publik, por shqetësimi kryesor para takimit të Këshillit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Beograd në fund të prillit mbetet «imazhi negativ i integrimit evropian të Serbisë». Është e vërtetë se imazhi negativ vjen prej mungesës së transparencës së sundimit të ligjit në Serbi nga qeveria në lidhje me shumë pjesë të kushteve evropiane në këtë proces. Është gjithashtu e vërtetë se euroskepticizmi është i fuqishëm dhe lobi pro-rus është gjithashtu i fuqishëm në vend. Por do të ishte punë e mençur nga ana e Brukselit të mendojë dy herë para se të përkrahë reflektimet e Vuçiqit për imazhin në mesin e mbështetësve të së majtës së spektrit politik serb, që do të duhej të ishin aleatët kryesorë të evropianëve. Prospektet e zgjerimit të BE-së nuk janë pjesë e protokollit në një të ardhme të afërt dhe pakkush i përmend në kuadër të politikës së jashtme (ani pse shumë pjesë të politikës së jashtme të një vendi aspirues duhet të jenë në pajtim me qasjen e BE-së). Kjo do të thotë se edhe vetë BE-ja nuk e sheh në të ardhmen e afërt Serbinë si anëtare të saj. Europianët e dinë se Vuçiqi nuk mund ta mbajë përgjithmonë baraspeshën e pushtetit – por mund të përkrahin status quo-në për njëfarë kohe, ndërkohë që popullit serb, në anën tjetër, duket se po i ikën tërë rinia.

Kriza e identitetit e BE-së

Kjo periudhë e hidhur vë në pah një tjetër problem më të madh të BE-së – krizën e saj të identitetit, një përzierje e të qenët kampione e të drejtave të njeriut si demokraci, dhe si entitet politik me nevojën e domosdoshme për të siguruar ndikim, relevancë dhe mbijetesë. Është diçka që po e gërryen BE-në përbrenda – një distancim ndërmjet Brukselit dhe qytetarëve që kanë nisur të ndjejnë se po u shërbejnë qindra burokratëve që punojnë për hesape të ngushta. Shpërputhja në rritje ndërmjet asaj që përfaqëson projekti i BE-së dhe largimi prej qytetarëve është e dukshme në shembullin e Serbisë. BE-ja padyshim se projektin e saj e vë para mirëqenies së popullit serb. Kjo mund të duket strategji e mirë afatshkurtër për ta mbajtur Ballkanin nën kontroll në kulmin e zhvillimet botërore ku gjithçka po shkon lëmsh. Por në planin afatgjatë, Brukseli po e humb besimin dhe përkrahjen e çmuar të aleatëve tradicionalë në radhët e serbëve, duke krijuar kështu terren të pëlleshëm për vazhdim të krizës së tij derisa Serbia të anëtarësohet (nëse anëtarësohet ndonjëherë).

Protestat e popullit serb vazhduan edhe në fundjavën e kaluar në Beograd me një numër të madh pjesëmarrësish të mbledhur nga tërë Serbia, me bashkimin e sindikatave të policisë dhe ushtrisë. Dhjetëra mija njerëz dolën nëpër rrugë përditë, por nuk ia dolën të emetoheshin në lajmet e stacioneve televizive dhe nëpër gazeta të kontrolluara nga Vuçiqi. Kryeministri-presidenti Vuçiq, në anën tjetër, reflektonte zemërim kur po fliste për premtimet e mëparshme të fabrikës «Gosha», ku një punëtor bëri vetëvrasje, i lodhur nga skamja, mjerimi dhe padrejtësia sociale. «Shpëtimtari» u përcoll prej dhjetëra kamerash, teksa po zotohej se do ta ndëshkonte menaxhmentin, duke u zotuar se menjëherë punëtorët do t’i merrnin nga pesëqind euro dhe se do t’u paguheshin sigurimet shëndetësore. Kolegët e punëtorit të vdekur duartrokitën. Në fjalimin e përshkuar me retorikë rutinore, Vuçiqi nxori mllefin kundër qeverisë së mëparshme të demokratëve, që kishte përfunduar mandatin shumë kohë para se të shpërthente kriza në fabrikë. Ai po u referohej «atyre» pa e përmendur asnjë emër specifik e duke u zotuar se qeveria e tij do të merret me stabilizimin e gjendjes ani pse fabrika ishte ndërtuar me taksat e serbëve. Ai është mjeshtër i fshehjes së problemeve të vërteta. Ai konfirmoi edhe njëherë se populli serb kërkon jetë më të mirë ose drejtësia nuk do të mbetet në duar të institucioneve, ligj ose përkrahje të largët nga Brukseli – jeta e serbëve është subjekt i vullnetit dhe mëshirës se një njeriu të vetëm. Tani që të gjithë frerët janë në duar të Vuçiqit, ka një pyetje që vazhdon të mbetet pezull – a është populli serb i gatshëm ta luajë lojën, apo  prilli mund të jetë muaji i kthesës së madhe?

Autorja është gazetare nga Novi Sadi