Serbi: Fushatë e rehabilitimit të aktorëve kyçë të politikës së luftës

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi e dënon ashpër fushatën e rehabilitimit të të gjithë aktorëve politikë të luftës serbe të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Pjesëtar i forcave të armatosura serbe gjatë një ushtrimi në Beograd. Foto: Shutterstock

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka protestuar ashpër kundër tendencave të pushtetit në Beograd dhe të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve për të rehabilituar figurat qendrore luftënxitëse të viteve ’90. Në një komunikatë të lëshuar të hënën Komiteti thekson se prej promovimit të librit të Borislav Joviqit, nëpërmjet deklaratave publike të të akuzuarit për krime lufte, Shainoviq, deri te ofensiva e fundit e grupit të akademikëve të SANU (Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve), mund të lexohet vetëm një qëllim – përpjekja e çlirimit të plotë nga përgjegjësia e aktorëve kryesorë të politikës madhore dhe nacionaliste. Fakti që shqetëson më shumë se rehabilitimi i kreatorëve të politikës së luftës dhe ekstremistëve skandalozë në serinë e shkrimeve nëpër gazetat shoviniste proqeveritare – heshtja e gjithë shoqërisë për këtë tendencë është shumë shqetësuese. Nga kjo mund të nxirret konstatimi që Serbia, ashtu siç në mënyrë konsensuale hyri në luftë për realizimin e konceptit të Serbisë së Madhe, me rezistencën margjinale të individëve dhe grupeve, ashtu edhe sot, me marrëveshje të përgjithshme, e pranon rehabilitimin e aktorëve kryesorë të një politike kriminale.

Gjithashtu, Komiteti Helsinkit ia përkujton kryetarit të SANU, dhe kolegëve të tij që debati publik nëse Memorandumi është i autorizuar apo jo është i pakuptimtë, sepse gati të gjithë akademikët e kanë „autorizuar“ në qindra paraqitje publike nëpër mediet e atëhershme të kontrolluara nga shteti. Aktiviteti i SANU, në përgatitjen dhe propagandën e luftës nuk është çështje e vullnetit të lirë, por është një fakt historik. Jo vetëm që para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë janë paraqitur prova të shumta, dëshmi dhe dokumente, por po ashtu edhe punime të shumta shkencore dhe janë mbrojtur doktorata në Serbi e edhe në botë, që deri në fund e kanë konstruktuar rolin e Akademisë në përgatitjen e luftës. Megjithatë, në vend të thyerjes së rolit të dëmshëm politik që e kishte SANU, në vend që të flasë për anën e errët të historisë së tij, kryetari i Akademisë ka vendosur t’i fshehë faktet për falsifikim të historisë dhe për reproduktim rrëfimesh të çarshisë, si zëvendësim për faktet e bazuara shkencore dhe për interpretimin.

Qeveria aktuale, shërbëtorët e saj dhe mediet ekstreme nacionaliste, si dhe elita u mblodhën rreth SANU, e në vend që të shkëputen nga ideja e luftës dhe ekspansioni, vendosën për rehabilitimin dhe riafirmimin e saj, me çka krijuan kështu shanset një konflikt të ri në Ballkan. Të gjitha këto tendenca revizioniste dhe revanshiste ushqejnë konflikte të reja me retorikë për vazhdimin e politikës nacionaliste të viteve të ‘90-ta dhe identifikimin e plotë me të. Përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar është që qëllimeve të tilla të rrezikshme të mos u sigurojë mbështetje për rehabilitimin sistematik të atyre që vetë i ka marrë për përgjegjësi penale.