Serbët stërshitën tokën në Kosovë, lanë në konflikt shqiptarët

Tokat e blera nga serbët menjëherë pas luftës shumë shpesh kanë përfunduar si konteste nëpër gjyqe. Një rast i tillë ka mbajtur për 10 vjet peng dy familje, të cilat nuk arritën ta zgjidhin problemin e pronës kontestuese, raporton KTV.




1 hektar e 40 ari tokë bujqësore ishte bërë «mollë sherri» për dy familje nga Podujeva tash e 10 vjet.

Naser Jashari e kishte blerë këtë tokë menjëherë pas luftës nga një serb në fshatin Obrançë të Podujevës, mirëpo, ai nuk ka mundur ta shfrytëzojë këtë tokë, pasi i ishte uzurpuar nga familja Demiri.

E që nga viti 2004, atij i është dashur disa herë të vijë në vendlindje që të marrë pjesë në seancat gjyqësore, ku edhe e ka fituar të drejtën e tij mbi pronën.

Ai thotë se në Kosovë nuk po funksionon drejtësia.

Avokati i tij, Zef Prenaj, që të hënën edhe e fitoi këtë rast, tregon për hapat që do të merren, përcjell koha.net.

Ndërkohë, askush nga anëtarët e familjes Demiri, që për tërë këto vite e kishte mbajtur të uzurpuar këtë pronë, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Zyrtarë të Gjykatës Komunale në Podujevë kanë shpjeguar arsyet e vonesës së zgjidhjes së këtij rasti.

Ata thonë se nuk i neglizhojnë lëndët, por kanë shumë punë e stafin e kanë të limituar.