«Serbët po vijnë sërish si hakmarrës»

Intervistë e shkrimtarit shqiptar, Ibrahim Rugova, mbi konfliktin ndërmjet nacionaliteteve në Jugosllavi. Ibrahim Rugova, 44-vjeçar, është profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Krahinës Autonome të Kosovës, e cila i takon Serbisë. - Botohet me rastin e 70-vjetorit të daljes së revistës gjermane «Der Spiegel», shoqëruar me një shënim mbi revistën e famshme nga Hamburgu.

Ballina e DER SPIEGEL me rastin e 70-vjetorit të numrit të parë të revistës së njohur gjermane.



Pak histori në fillim: më 4 janar të vitit 1947 u botua numri i parë i revistës «Der Spiegel». Në prag të 70-vjetorit të themelimit «Der Spiegel», pasqyra e famshme publicistike nga Hamburgu, ka botuar një numër special, një reflektim për punën e jashtëzakonshme të gazetarëve, kryeredaktorëve, redaktorëve, fotografëve, publicistëve të saj. Rudolf Augstein, themeluesi i revistës, e ka quajtur «Der Spiegel» jo më pak se «grykë topi e demokracisë», pra armë e rëndë zjarri, me të cilën mbrohet demokracia. Në vitin 1962 Augstein qëndroi në burg 102 ditë pasi revista kishte botuar një artikull kritik mbi politikat mbrojtëse të Gjermanisë. Drejtësia e akuzoi revistën për tradhti kombëtare – dhe dështoi turpshëm. Augstein doli nga burgu, liria e shtypit në Gjermani i forcua, pasi mijëra qytetarë dolën në mbrojtje të mediave të pavarura.

«Der Spiegel» gjatë ekzistencës 70-vjeçare ua ka hëngër nervat shumë politikanëve. Kancelari Willy Brandt e ka quajtur «një revistë muti», kancelari Helmut Schmidt mendonte se gazetarët e «Der Spiegel» janë «fundërrina», Helmut Kohli, pasardhësi i Schmidtit, ishte i bindur se është «gjynah të harxhosh para» për ta blerë këtë revistë.

«Der Spiegel» dhe Kosova. Ky është një raport ambivalent. Më 26 qershor 1989, dy ditë para se lideri serb Slobodan Milošvić të paralajmëronte luftëra të reja në Ballkan, «Der Spiegel» botoi një intervistë me një kritik letrar deri atëherë të njohur vetëm në Kosovë. Emri i tij: Ibrahim Rugova.

Me këtë intervistë Rugova depërtoi në shtypin ndërkombëtar si paralajmërues i gjakderdhjes në Kosovë, si alarmues dhe si shpjegues i historisë së këtij vendi. Kjo qasje atëbotë ishte shumë e dobishme për Kosovën: një lider i ri, intelektual, disi i hutuar nga bota e librave, fliste për pacifizëm, ndërkohë që në mbarë Ballkanin nacionalistët mbrehnin shpatat. «Der Spiegel» i ofroi një platformë Rugovës dhe Kosovës në përgjithësi. Ana tjetër e raportit të «Der Spiegel» me Kosovën është e tensionuar.

Më zëshëm se çdo revistë apo gazetë perëndimore «Der Spiegel» kritikoi keqpërdoruesit e luftës në Kosovë, duke goditur sidomos disa nga krerët e papërgjegjshëm të UÇK-së. Kjo kritikë shpesh ka ngjallur edhe urrejtje ndaj revistës gjermane, madje në qymezet e Prishtinës janë thurur edhe teori të shumta konspiracioni për këtë revistë gjoja «proserbe». Fakti që më vonë shumë gazetarë të Kosovës filluan t’i kritikojnë keqpërdoruesit e luftës çlirimtare më ashpër se vetë «Der Spiegel» tregon se revista gjermane në të shumtën e rasteve e ka përshkruar tepër saktë realitetin e hidhur në Kosovë.

Në vijim, të nderuara lexuese, të nderuar lexues, gjeni intervistën e dr. Rugovës, botuar në «Der Spiegel» në vitin 1989. (Revistën dr. Rugovës atëbotë ia kishte sjellë nga Greqia publicisti Halil Matoshi).

SPIEGEL: Këtë javë serbët përkujtojnë me shumë bujë, do të përkujtojnë 600-vjetorin e Betejës në Gazimestan, në të cilën Perandoria mesjetare serbe pësoi disfatë kundër sulmit të turqve. Pritet të vijnë mbi një milion patriotë serbë. A e përjetojnë shqiptarët këtë ceremoni si provokim?

RUGOVA: Natyrisht që është provokim. Është një kremtim krejtësisht serb dhe shovinist. Do ta pranoja këtë ardhje masive sikur të bëhej fjalë për nderim kulturor të kësaj beteje të rëndësishme për mbarë Jugosllavinë.

SPIEGEL: Por ka qenë populli serb që atëbotë luftoi kundër turqve.

RUGOVA: Ka mjaft dëshmi historike që tregojnë se edhe hungarezët, kroatët, boshnjakët dhe, natyrisht, edhe shqiptarët kanë marrë pjesë në këtë betejë.

SPIEGEL: Shqiptarët mbase në anën e turqve…

RUGOVA: Jo, në anën e princit serb Lazar. Fundja, në vitin 1389 shqiptarët ishin të krishterë dhe po ashtu luftonin kundër islamit. Fenë islame e kemi përvetësuar tek nën sundimin osman. Miti shovinist i Fushë-Kosovës lindi tek në shekullin e 19-të, pas themelimit të shtetit serb.

SPIEGEL: A frikësoheni se sërish mund të ketë përleshje të përgjakshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve?

RUGOVA: Duhet ta keni parasysh një gjë: një milion serbë të dalldisur, të cilët vendosen në hotele, pansione, madje edhe në shtëpi private në mbarë Kosovën. Aty do të pihet dhe do të fliten pallavra. Një fjalë e gabuar mund të shërbejë si shkëndijë në fuçinë e barutit.

SPIEGEL: Shqiptarët tashmë kanë shtënë me armë kundër serbëve. A po përgatiten ata për luftë civile?

RUGOVA: Njerëzit nuk shohin rrugëdalje tjetër. Në raste të protestave përherë puna është kështu: kur nuk dëgjohet jehona e tyre, atëherë duhet të bërtisni me zë më të lartë.

SPIEGEL: Por kush duhet të përgjigjet? Kryesia e Jugosllavisë, Qeveria serbe?

RUGOVA: Kam përshtypjen që në Jugosllavi ekzistojnë forca që mezi presin aksione terroriste në Kosovë. Nëse te ne gjëmojnë armët, atëherë kjo shërben si arsyetim për të ashpërsuar represionin. Nëse pastaj rezistenca e shqiptarëve kundër hegjemonisë serbe mund të denoncohet në botën e jashtme si terrorizëm, atëherë mund të llogaritet se simpatia ndërkombëtare për çështjen tonë merr fund shpejt. Ju mund ta merrni me mend se kush spekulon kështu.

SPIEGEL: Ka të ngjarë që serbët dhe prijësi i tyre, Milošević, shpresojnë se mund të nxjerrin përfitime nga ashpërsimi i konfliktit. Por Kryesia e shtetit dhe Qeveria qendrore në Beograd nuk mund të jenë të interesuara për luftë civile.

RUGOVA: Ndoshta. Atëherë është momenti i fundit për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë fund arbitraritetit serb. Madje edhe synimi për të rehabilituar ministrin e brendshëm famëkeq Ranković* është pjesë e strategjisë së represionit. Kështu po bëhen përpjekje për të arsyetuar shtypjen e përgjakshme në Kosovë.

SPIEGEL: Së fundi në Kosovë ishte një delegacion i Parlamentit Evropian me qëllim të verifikimit të gjendjes. Delegatët kanë folur edhe me ju. Për këtë arsye shtypi serb i akuzoi deputetët se kishin takuar vetëm armiqtë e serbëve.

RUGOVA: E kundërta është e vërtetë. Delegacionit iu ndalua çdo kontakt me njerëz të thjeshtë në rrugë, për këtë arsye vizita u ndërpre para kohe. Parlamentarët e Evropës dëgjuan vetëm deklarata zyrtare: fjalë të mira për serbë dhe fjalë të këqija për shqiptarë.

SPIEGEL: Në fillim të këtij viti serbët imponuan ndryshimin e Kushtetutës, e cila atyre u jep më shumë të drejta në Kosovë. Ju dhe miqtë tuaj kërkuat referendum për këtë çështje. Cili do të ishte rezultati i këtij referendumi?

RUGOVA: Më së shumti 10 deri 15 për qind do të kishin votuar për ndryshimin e Kushtetutës. Populli gjendet në anën tjetër.

SPIEGEL: Çfarë ka ndodhur me dhjetë deputetët shqiptarë, të cilët votuan kundër kufizimit të autonomisë së Kosovës?

RUGOVA: Kryetari i Kuvendit, natyrisht një serb, ka kërkuar që këta deputetë që kanë votuar ndryshe të largohen nga postet e tyre. Me gjasë, ata së shpejti do t’i humbin mandatet e tyre.

SPIEGEL: Çfarë ka ndryshuar në Kosovë prejse ka hyrë në fuqi Kushtetuta e re?

RUGOVA: Sipas Kushtetutës, tani pesë fusha: policia, planifikimi ekonomik, drejtësia, mbrojtja territoriale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare – janë nën kontrollin e pushtetit qendror serb. Por edhe fushat e tjera dominohen nga serbët me parullën e “unitetit të Republikës”.

SPIEGEL: Çfarë ndikimi ka kjo?

RUGOVA: Numri i gjimnazistëve shqiptarë po reduktohet në mënyrë drastike. Vetëm këtë vit 11 mijë nxënës shqiptarë do të jenë të detyruar të përfundojnë shkollimin e tyre me dëftesë të shkollës fillore, sipas motos: shqiptarët budallenj janë më pak të rrezikshëm.

SPIEGEL: Sipas njoftimeve të shtypit kroat, mbi 200 shqiptarë të Kosovës janë “izoluar” nga serbët. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

RUGOVA: Ata po mbahen në burg pa procedurë gjyqësore, pa pasur të drejtën të kenë avokatë dhe pa iu lejuar familjeve që t’i vizitojnë – dhe kjo gjendje është e tillë qe tre muaj. Së paku 245 shqiptarë janë futur në izolim: pjesa më e madhe e tyre janë intelektualë, por edhe drejtorë fabrikash dhe ekspertë. Disa prej tyre janë keqtrajtuar rëndë në burg. Qëllimi i serbëve është t’i eliminojnë udhëheqësit e mundshëm të rezistencës shqiptare. Kur në vitin 1966 Tito e humbi besimin ndaj Rankovićit, dhe sunduesit serbë u frenuan, ata u kërcënuan se një ditë do të kthehen si hakmarrës. Kjo po ndodh tani.

SPIEGEL: Gazetat serbe pretendojnë se Kosova kërkon më shumë autonomi vetëm që t’i bashkohet Republikës Popullore të Shqipërisë.

RUGOVA: Kjo është një përrallë e vjetër propagandistike. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës e ka pranuar plotësisht integrimin në Federatën jugosllave. Por nëse vazhdon shtypja, populli do ta kërkojë një shtegdalje.

SPIEGEL: Në ç’drejtim do të orientohet pastaj?

RUGOVA: Ose nga Shqipëria ose në një drejtim tjetër. Gjatë periudhës së Rankovićit qindra e mijëra shqiptarë kanë ikur në Turqi. Që nga viti 1981 250 mijë shqiptarë kanë braktisur vendlindjen e tyre dhe jetojnë si punëtorë në Perëndim apo në republikat e tjera të Jugosllavisë.

SPIEGEL: Që nga atëherë po ashtu edhe 40 mijë serbë e kanë braktisur Kosovën, thuhet se janë dëbuar nga shqiptarët.

RUGOVA: Kjo është rrenë. Natyrisht që ka pasur grindje mes fqinjësh, por kjo ndodh edhe mes shqiptarëve. Në realitet, serbët nuk po mund të pajtohen me faktin se edhe shqiptarët po marrin pozita udhëheqëse. Ata duan ta ndalin kohën. Pas vitit 1966 ne shqiptarët fituam të drejtën të vijojmë shkolla dhe universitete, sot 90 për qind e popullsisë di të lexojë e të shkruajë – dhe kërkon barazi.

SPIEGEL: A mund të zgjidhet në mënyrë paqësore mospajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve?

RUGOVA: Nëse Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtyp identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël. Në të kaluarën kur një popull i vogël është përpjekur të sillet si hegjemon në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli.

(Përktheu dhe përgatiti: Enver Robelli)