Serbët në vitin 2019: të kurthuar në kohërat e errëta

Parada e çetnikëve në Vishegrad, zhvarrosja e të riut David Dragiçeviq në Banjallukë, 16-vjetori i vrasjes së Zoran Gjingjiqit - brenda pak ditësh këto ngjarje e përvjetorë treguan se serbët, kudo në rajon, po mbesin pengje të historisë së tyre të errët.

Mbështetës të Vladimir Putinit gjatë një marshi në Beograd.



Vishegradi.
Për shumë serbë ura mbi Drinë në Vishegrad, një qytet në Bosnjën lindore, është dëshmi nga koha e sundimit osman. Në romanin e tij të famshëm «Ura mbi Drinë» nobelisti kroat Ivo Andriqi, i cili u shndërrua në jugosllav proserb, përshkruan me hollësi pothuaj të padurueshme ekzekutimin e bujkut serb, Radisavit, nga autoritetet osmane. Ngulja e hurit në trupin e Radisavit, depërtimi i tij në organet kryesore të trupit, torturimi i tij, vdekja e tij e ngadalshme kanë luajtur rol fatal në psikikën serbe: Radisavi fiktiv është përvetësuar nga nacionalistët dhe shihet si simbol i vuajtjes serbe gjatë historisë.

Kur më 1 maj 1985 në një fshat afër Gjilanit, Gjorgje Martinoviqi, një bujk me gjasë me prirje homoseksuale, u vetëlëndua me një shishe xhami gjatë një praktike intime të vetëkënaqësisë, në mediat serbe ai u përshkrua si një Radisav i ri, të cilin e kishin keqtrajtuar shqiptarët, siç kishin bërë dikur «zullumqarët osmanë» me Radisavin në romanin e Andriqit.

Në Luftën e Dytë Botërore ithtarët e Monarkisë serbe, të njohur si çetnikë dhe të prirë nga Drazha Mihajlloviqi, kryen krime të llahtarshme kundër myslimanëve të Bosnjës, kryesisht në Bosnjën lindore dhe sidomos në rajonin e Vishegradit. Boshnjakët, siç e quajnë veten myslimanët e Bosnjës në kuptimin nacional, u ekzekutuan për shkak se ishin «turqizuar», kishin marrë fenë e armikut – në gjuhën serbe fjala «poturica» përshkruan të krishterin që konvertohet në mysliman. Gjatë luftës së Bosnjës në vitet ‘90 çetnikët vranë mijëra myslimanë në Bosnjë, veçanërisht në Bosnjën lindore, ku gjendet edhe Vishegradi. Kur gjenerali serb Ratko Mlladiqi pushtoi Srebrenicën me trupat e tij, ai tha se ka ardhur koha «t’u hakmerremi turqve».

Të dielën që shkoi dhjetëra përkrahës të çetnikëve, të veshur me uniforma të zeza, të shoqëruar me lahutarë që këndonin këngë për Drazhën (Drazha Mihajloviqin, të ekzekutuar më 1946 nga komunistët e Josip Broz Titos për shkak të bashkëpunimit me nazistët), u mblodhën në Vishegrad për të përkujtuar kreun e çetnikëve serbë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte njëra nga ngjarjet e ditëve të fundit që tregoi se shumë serbë refuzojnë të nxjerrin mësime nga e kaluara. Lavdërimi i kriminelëve të luftës nuk është vetëm pjesë e folklorit serb, është pjesë e pandashme e politikës.

Drejtësi për David Dragiçeviqin.
Para një viti në një kanal në Banjallukë u gjet kufoma e David Dragiçeviqit. Që nga atëherë një lëvizje protestuese është duke kërkuar zbardhjen e rastit. Babai i studentit 21-vjeçar, aktivistë të shoqërisë civile dhe disa gazetarë janë të bindur se aparati i sigurisë i Republikës së serbëve të Bosnjës po përpiqet të mbulojë gjurmët e krimit. Në një këngë repi David Dragiçeviqi shkroi: «Nuk dua të vdes i ri dhe të kalbem në tokë». Deri më tani lëvizja «Drejtësi për Davidin» («Pravda za Davida») nuk ka arritur shumë – përkundër mobilizimit mbresëlënës.

Udhëheqja nacionaliste nën drejtimin e Millorad Dodikut ka arritur që pjesëmarrësit e protestave t’i njollosë si tradhtarë, të cilët kanë një synim të errët: zhbërjen e Republikës së serbëve të Bosnjës. Dje, pothuaj në përvjetorin e parë të vdekjes, në Banjallukë është zhvarrosur kufoma e David Dragiçeviqit. Të premten pritet varrimi i tij në Austri. Atje jeton nëna e tij. Babai i tij Davor Dragiçeviqi ka ikur në Vjenë. Prindërit e Davidit kanë thënë se nuk duan ta lënë kufomën e djalit të tyre në një «shtet mafioz».

Rasti i David Dragiçeviqit tregon në mënyrë ekzemplare se pushteti nacionalist në fund i godet edhe bashkëkombësit e vet. Çmenduria nacionaliste në Banjallukë mund të ilustrohet me këta dy shembuj: gjatë luftës në Bosnjë në vitet ‘90 një bandë e nxitësve të urrejtjes u përpoq të ngjyrosë me ngjyrë të kaltër lumin Vërbas. Ky lum ka një ngjyrë të gjelbër shndritëse. E gjelbra është ngjyra e islamit, mendonin urrejtësit, andaj nisën këtë aksion. Shembulli tjetër: po gjatë luftës një aktore serbe gjatë një shfaqjeje në teatrin e Banjallukës ishte veshur me një fustan të gjelbër. Për këtë veprim ajo u kritikua ashpër.

Misteri i vrasjes së Zoran Gjingjiqit.
Më 12 mars 2003 para portës hyrëse të qeverisë së Serbisë u vra Zoran Gjingjiqi, kryeministër properëndimor i vendit. Për këtë krim janë dënuar pjesëtarë të njësisë speciale «Beretat e kuqe». Pas vrasjes së Gjingjiqit qe arrestuar edhe Aca Tomiqi, njëri nga shefat e shërbimit sekret ushtarak serb dhe ndër personat më të besueshëm të Vojisllav Koshtunicës, rivalit të madh të Gjingjiqit. Tomiqi ishte shpallur pjesëtar i «Klanit të Zemunit», i cili akuzohej për vrasjen e Gjingjiqit, por pas pak ishte liruar nga burgu dhe liruar nga akuzat. Kanë kaluar 16 vjet nga vrasja e Gjingjiqit dhe ende nuk janë zbuluar urdhërdhënësit e atentatit. Sepse me gjasë për diçka të tillë nuk ka interes asnjë pushtet në Beograd. Sepse hetimet serioze do të mund të çonin në drejtim të pakëndshëm – për shembull në drejtim të Moskës. Kështu vrasja e Gjingjiqit më 2003 e mbyll shekullin serb: më 1903 ishte vrarë Mbreti Aleksandër, i cili nga nacionalistët akuzohej si pro austro-hungarez.

Historiani australian Christopher Clark kështu e përshkruan vrasjen e Aleksandrit: «Pak para orës dy të mëngjesit të datës 11 qershor 1903, 28 oficerë të ushtrisë serbe iu afruan hyrjes kryesore të Pallatit Mbretëror në Beograd. Pas shkëmbimit të zjarrit rojet u arrestuan dhe u çarmatosën para ndërtesës. (…) Kur komplotistët konstatuan se dhomat mbretërore ishin të bllokuara nga një derë e rëndë druri, ata e shpërthyen derën me një kuti dinamit. (…) Kur ata mbërritën te dhomat e fjetjes, Mbreti Aleksandar dhe Mbretëresha Draga nuk gjendeshin më aty. Por, romani francez, të cilin po e lexonte Mbretëresha ishte i hapur dhe me faqe të kthyera mbrapsht. Dikush i preku çarçafët dhe vërejti se shtrati ende ishte i ngrohtë – me gjasë çifti e kishte braktisur atë pak më parë. (…) Sipas një versioni Mbreti u shfaq duke u dridhur nga frika, me syze mbi hundë dhe i veshur sa për të thënë me një këmishë të kuqe, derisa në krahët e tij e mbante Mbretëreshën. Çifti u vra me një breshëri plumbash nga afërsia. (Adjutanti i parë i Mbretit, Llaza) Petroviqi, i cili në një përpjekje të pashpresë nxori një revolver të fshehur për të mbrojtur padronin e tij (së paku kjo është thënë më vonë) u vra po ashtu. Pastaj nisi një orgji e pakuptimtë e dhunës. Sipas deklaratës së mëvonshme të berberit italian dhe të traumatizuar të Mbretit, i cili ishte urdhëruar t’i marrë trupat dhe t’i bëjë gati për varrim, kufomat ishin prerë me shpata, ishin çarë me bajonetë, pjesërisht ishin rrjepur dhe grirë me sëpatë dhe ishin sakatuar aq shumë, saqë s’njiheshin më. Kufoma e Mbretëreshës u tërhoq zvarrë te parmakët e dritares së dhomës së fjetjes dhe pothuaj lakuriq dhe e mbuluar plotësisht me gjak u hodh në kopsht. Kur vrasësit u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me Aleksandrin, supozohet se për një çast dora e Mbretit u kyç në parmak. Një oficer ia preu pastaj grushtin me shpatë. Gishtat dhe trupi i monarkut ranë në tokë. Kur atentatorët u mblodhën në kopsht për të pirë nga një cigare dhe për të inspektuar aktin e tyre shkatërrues, filloi të binte shi».