Serbët kopjojnë shqiptarët: I ngritet përmendore Melania Trumpit në Banjallukë

Dashuria e një biznesmeni serb për Melania Trump duket e pakufishme. Së shpejti në Banjallukë të Bosnjës pritet të zbulohet përmendorja e Zonjës së Parë amerikane. Kjo vepër do të punohet nga skulptori Stevo Selak.

Ilustrimi: Shutterstock



Për një gjë shqiptarët në Kosovë, por edhe më gjerë nuk mund të ankohen: kanë përmendore gjithandej. Komandantë, zëvendëskomandantë, heronj, legjendarë dhe përrallorë, dëshmorë, trima, patriotë – të gjithë janë përjetësuar me vepra arkitekture apo skulpturë. Përjetësimi është zgjeruar edhe te personalitetet e politikës botërore në shenjë falënderimi për intervenimin e NATO-s për çlirimin e Kosovës, ndonëse për cilësinë e veprave mund të diskutohet. Bill Clintoni ka përmendore në Prishtinë, Richard Holbrooke një bust në Viti, Hillary Clinton është përjetësuar me një bust në Sarandë, së fundi Donald Trumpi është shpallur qytetar nderi i Kamzës dhe po aty është inauguruar «Bulevardi Donald Trump», ndërsa në Fushë Krujë para ca vitesh është ngritur statuja e George W. Bushit.

Përballë kësaj stuhie entuziaste duket se edhe serbëve u ka lindur një ide. Marinko Umiçeviq, menaxher i një fabrike këpucësh, ka paralajmëruar se së shpejti në Banjallukë do të zbulohet përmendorja e Melania Trupit, sllovenes së martuar me Donald Trumpin, presidentin e SHBA-ve. Ndërsa në SHBA dhe në Europën perëndimore Melania Trump nuk gëzon ndonjë reputacion të veçantë, në mesin e serbëve të Bosnjës ajo duket se po shndërrohet në ikonë. Jo për ndonjë arsye të veçantë, por vetëm si demonstrim gëzimi që burri i saj e pengoi Hillary Clintonin të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Për shkak të sulmeve të NATO-s në viitn 1999, për të cilat serbët ende janë të zemëruar me Bill Clintonin, ata duan të përjetësojnë sllovenen Melania Trump.

Umiçeviq u bë pak i njohur në mediat lokale, kur ia dërgoi një palë këpucë nga Banjalluka Melania Trumpit, e cila gjatë fushatës elektorale në SHBA u shpotit nga meidat pasi u zbulua se ajo kishte kopjuar një fjalim të Michelle Obamas.

«Sarajevo Times» ka shkruar se përmendorja e Zonjës së Parë amerikane do të zbulohet rreth 20 qershorit. Kjo vepër do të punohet nga skulptori Stevo Selak, i cili më parë ka gdhendur buste të Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit. Nga mediat boshnjake nuk merret vesh nëse zbulimi i kësaj statuje do të bëhet më 20 qershor të këtij viti apo në vitin 2020, siç njoftojnë media të tjera. Sidoqoftë, Umiçeviq e ka ftuar Zonjën e Parë amerikane për vizitë në Banjallukë. Umiçeviq ka thënë se lajmi ka marrë dhenë dhe shumë media tashmë i kanë telefonuar për të mësuar më shumë detaje. (-lli)