Serbët dhe shqiptarët nëpër shekuj

Recension për librin e Petrit Imamit: Serbët dhe shqiptarët nëpër shekuj I-II, botuar nga Samizdat B92, Beograd, 2016.

Foto: Shutterstock

Që nga edicioni i parë i librit të Petrit Imamit kanë kaluar pothuajse dy dekada, gjatë të cilave ka pasur ndryshime të rëndësishme politike dhe sociale, të përcjella me ngjarje të shumta në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Si një autor i ndërgjegjshëm dhe një euridit i jashtëzakonshëm, ai e ndjeu nevojën për ta plotësuar monografinë me burime të reja dhe t’i rishikojë, ndër të tjera, edhe ngjarjet historike të periudhës së fundit 18-vjeçare. Kompozicioni i thjeshtë i librit është zëvendësuar me logjikën e brendshme dhe me rendin jashtëzakonisht inteligjent, sipas të cilit janë lidhur njësitë tematike, ndërsa në sajë të avantazhit gjuhësor dhe talentit, Imami me shumë shkathtësi e kombinon literaturën dhe e krijon një kronologji të pagabueshme.

Autori është përcaktuar që tekstin të mos e ngarkojë me aparaturë të rëndë shkencore, por në mënyrë përshkruese të paraqesë referenca, në varësi të rëndësisë së tyre. Ai shpesh ndërhyn nëpërmjet retrospektivës, ashtu sikur që me tituj regjistron gjykime me vlerë, ndonëse jo me shumë dëshirë lëshohet edhe në «të vërtetat përfundimtare». Nga burimet historike i ka përdorur pothuajse të gjitha informatat në dispozicion – nga botimet historiografike, disertacionet e papublikuara të doktoraturave, arkivat dhe kujtimet, veprat letrare, revistat, materialet gjyqësore, intervistat e botuara me dëshmitarë dhe aktorë politikë, si dhe rezultatet e anketave dhe të hulumtimeve në terren, lajmet e agjencive, web-portalet, seritë dokumentare dhe artikujt. Prirjen e tij leksikografike në «lidhjet» serbo-shqiptare (e shprehur me rastin e përpilimit të fjalorit serbo-shqiptar), Imami në mënyrën më të mirë e ka shprehur me këtë krestomaci kapitale, njëlloj «enciklopedie» e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve.
* * *
Vëllimi i parë i kësaj monografie bën fjalë për fqinjët shekullorë, që «të lënë anash nga bota» jetojnë në këtë hapësirë feudale të prapambetur nga shekulli ’12 deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Imami u kushton vëmendje detajeve, ndalet te «trashëgimia» e sundimtarëve mesjetarë serbë, por edhe regjistron lëshimet në veprat historiografike, pa hyrë në qëllimin dhe motivet, gjë që e bën atë një shkrimtar jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe me sjellje kompetente. Përveç kësaj, ai është i aftë që në nivelin gjuhësor dhe frazeologjik të vërë në dukje mospërputhjet dhe të theksojë paragjykimin latent të disa autorëve.

Nëpër fushën e paparishikueshme të historisë mesjetare, Imami lëviz nëpërmjet punimeve konvencionale mesjetare dhe bizantine të historiografisë bashkëkohore, të filologjisë, të antropologjisë dhe të etnologjisë serbe dhe shqiptare. Ai nuk është selektiv, sepse ofron disa perspektiva konfliktuale me një ton të matur polemik, duke ndërhyrë vetëm në problematikën e interpretimit dhe në sekuencat mitomane të vërejtura në literaturë. Pasi në mënyrë logjike ekspozon pikëpamje të ndryshme, imponimi i gjykimeve përfundimtare bëhet thuajse i panevojshëm. Këtë aftësi stilistike autori pa dyshim se ia ka borxh edukimit të tij dramatik dhe talentit për të ndarë thelbësoren nga jetëshkurtra.

Në rrëfimin për autoktoninë e shqiptarëve dhe origjinën e tyre ilire, të cilën e ilustron me dëshmitë e toponimisë dhe onomastikës, Imami e prezanton edhe tezën për manastiret si orientime simbolike që Kosovën e bën «djep shpirtëror serb», duke e kundërshtuar interpretimin shqiptar (sipas të cilit ndërtesat e muruara fetare në territoret e pushtuara ishin mënyrë e sundimtarëve-pushtues, të cilët ashtu e simbolizonin pushtetin e tyre). Që në fillim, autori i kryqëzon të dy traditat, duke e krahasuar Kodin e Dushanit me Kanunin e Lekë Dukagjinit, flet për lidhjet farefisnore serbe dhe fisnikët shqiptarë, për popullatën e përzier, por edhe për shtrembërimet e vëzhguara në traditën epike të të dyja palëve. Për shembull, me emërtimin gabimisht të një fshati dhe më pas përkthimin po ashtu gabimisht në gjuhën «rivale», Imami i skicon paradokset e rivaliteteve serbo-shqiptare, të cilat shpesh dinë të bëhen edhe komike.

Problemi i «të drejtës historike për Kosovën» prezantohet me historinë e Betejës së Kosovës dhe me dilemat historiografike, spekulimet pseudoshkencore për heronjtë popullorë, të grishur nga «simbioza serbo-shqiptare» dhe reflektimin në folklorin dhe traditën gojore të të dy popujve. Vëmendjes së tij nuk i shpëton as literatura enciklopedike po aq e rëndësishme në formimin e stereotipave etnike, si dhe paragjykimeve.

Autori njëkohësisht e vëzhgon pozitën e serbëve dhe të shqiptarëve pas mbërritjes së osmanëve, duke mos e harruar faktorin gjeografik që i ka shpëtuar shqiptarët nga osmanizimi total, tolerancën e turqve ndaj kishave dhe manastireve ortodokse deri në fund të shekullit 17, «zhvendosjen dhe rivendosjen», e kështu me radhë. Rrëfimi për migrimin e brendshëm dhe për «lëvizjet shpërngulëse (metanastike)» është bazuar në veprat e Cvijiqit, në shkollën e tij antropogjeografike dhe në punën sociologjike të Sreten Vukosavleviqit, prandaj me zgjedhjen e citateve autori e ka shprehur qëndrimin e tij ndaj instrumentalizimit politik të literaturës së shfrytëzuar.

Imami i kushton mjaft vëmendje fesë dhe rëndësisë së saj në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, i frymëzuar nga përshtypjet e shkrimtarëve të huaj udhëpërshkrues për indiferencën fetare shqiptare, për të cilët islami ishte vetëm «forma e jashtme», e me të cilën rregullohen autoritetet turke. Përveç kësaj, ai sjell edhe shumë shembuj pozitivë të së kaluarës së përbashkët serbo-shqiptare, që kanë mbetur nën mjegullën e trashë të literaturës. Pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjet serbe dhe për çlirimin e Beogradit paraqet një nga ilustrimet e gjalla, i përkufizuar nga një prezantim transparent dhe koherent të kontekstit historik. Imami shkruan edhe për «të dhunshmit» në mesin e shqiptarëve që kanë vrarë serbë dhe e kanë plaçkitur tokën e tyre, për ç’arsye nga historianët e vjetër serbë pjesëtarët e popullit shqiptar janë paraqitur si të shfrenuar dhe të egër, «armiq të Perëndisë dhe të perandorit». Stereotipin e rrëmbimit të grave si «specialitet shqiptar», Imami e tregon si një gjë të ditur që nuk varet nga identitetit etnik apo fetar.

Në kohën kur «serbët llogaritin në shqiptarët», bregdeti shqiptar bëhet tërheqës për pushtetarët serbë dhe bëhet pjesë e rëndësishme e kombinimeve territoriale që nga «Naçertania». Nga kjo arsye, edhe planet e Princit Mihajl ishin që shqiptarët (të cilët në të e kishin «një besim të fuqishëm») së pari ta fillojnë kryengritjen kundër sundimit osman. Shumë shkrimtarë serbë në fund të shekullit ’19 shkruajnë se shqiptarët shpesh janë «më të mirë sesa flitet për ta», ndërsa në reputacionin e keq për ta kanë ndikuar udhëpërshkrimet e shkencëtarëve austriakë dhe gjermanë, të cilat ishin më të favorshme për serbët për shkak të planeve të mëvonshme për dëbimin e osmanlinjve. Krahas rishikimit të Lidhjes së Prizrenit dhe pjekjes së idesë për bashkimin territorial të shqiptarëve, Imami sjell pikëpamje të ndryshme për karakterin dhe shkallën e migrimit të shqiptarëve nga Serbia Jugore dhe të serbëve nga Kosova, duke i ruajtur pikëpamjet vetëkritike të bashkëkohësve për dëbimin «agresiv, por me vlerë» të popullsisë nga rajoni i Toplicës. Shqiptarët e dëbuar («muhaxhirët») janë vendosur në Kosovë dhe u bënë shumë hakmarrës ndaj serbëve, edhe pse ka pasur edhe shembuj të kundërt, si në Pejë, ku anëtarët e fisit Krasniqi bënin rojë që t’i ruanin lagjet serbe nga grupet militante shqiptare. Në këtë drejtim, autori e pasqyron organizimin e brendshëm fisnor dhe kështu sqaron ndryshimet në lidhje me fiset e disa shqiptarëve kundër serbëve, ndjekur nga kursi kritik mbi zakonin e gjakmarrjes dhe duke e injoruar ndalimin e bartjes së armëve («dëshira e madhe stërgjyshore për pushkën», siç vënë re udhpërshkruesit e huaj). Imami i jep me radhë biografitë e personaliteteve që i vlerëson të rëndësishëm për rrjedhën e narracionit. Në kuadër të rrëfimit për propagandën serbe në Kosovë, ai i rindërton mekanizmat e përvetësimit të udhëheqësve shqiptarë për «kauzën serbe», e cila zë fill nga të ‘80-tat e shekullit 19, së bashku me aktivitetet e shkollave serbe dhe shoqëritë kulturore. Nëpërmjet shumëllojshmërisë së materialit burimor, autori prek edhe marrëdhëniet «alternative» të kishave serbe dhe të shqiptarëve të Kosovës, duke analizuar detyrimin e trashëguar të «prijësve» shqiptarë për t’i ruajtur manastiret ortodokse nga hakmarrja çmendurake e fiseve të tyre.

Një pjesë të variacioneve etnike dhe mimikrisë, si një mekanizëm mbrojtës, është bazuar në burimet austriake, serbe, shqiptare, turke, bullgare dhe italiane, ndërsa sundimin e Aleksandër Obrenoviqit autori e vlerëson si një kohë pozitive të kthesës në raportin ndaj shqiptarëve, që e ka ilustruar me përpjekjet e mbretit për t’i përfaqësuar interesat e tyre para fuqive të mëdha, por edhe me themelimin e gazetës që promovonte pajtimin serbo-shqiptar.

Luftërat ballkanike ishin veçanërisht frymëzuese për studiuesit e gjenezës së konfliktit serbo-shqiptar, duke filluar nga karakteri i tyre dhe perceptimet kontradiktore. Imami rikujton se kryengritësit e Kosovës ishin çliruar nga turqit që para fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, gjë që e injoron historiografia zyrtare, dhe se hyrja e ushtrisë serbe nëpër qytetet e pambrojtura, e shoqëruar nga kameramanët e huaj, zor se mund të kualifikohej si një «fitore e ndritshme ushtarake». Autori e skicon zhvillimin e traditës inventive me detaje në dukje të parëndësishme – nga medaljet serbe me emrat e qyteteve shqiptare deri te rrugët e Beogradit që edhe sot mbajnë emrat e tyre. Për karakterin e «luftës për det», në fund të vitit 1912, Imami shkruan në bazë të literaturës më të re serbe në përpjekje për të dalluar nëse kjo ishte pjesë e planit të luftës të Serbisë, apo vetëm improvizim i nxituar? Me shumë shkathtësi lëviz nëpër përmbytjet e publikimeve të «të drejtave historike» të Serbisë për të dalë në bregdetin shqiptar, e me ndihmën e disa numrave të gazetës Politika zbulon modelet luftarake të propagandës për shqiptarët si komb imagjinar (shih, për këtë, shteti nuk është i nevojshëm!) Në këtë kapitull Imami ka shfrytëzuar qëndrimet kritike të shtypit socialist dhe raportet e luftës së Leo Trockit për djegien e fshatrave shqiptare, që do të gjenden (në një formë pak më të butë) në të gjeturat e Komisionit Carnegie.

Anarkinë e përgjithshme në Kosovë dhe në Shqipëri, ndikimin e fuqive të mëdha, të agjenturave austriake dhe italiane, si dhe të ofensivës diplomatike serbe kundër pavarësisë së Shqipërisë, autori e përfaqëson me materialin e Arkivit të Serbisë, i cili në masë të madhe e kundërshton paraqitjen e rrënjosur mbi përsosmërinë e Ushtrisë serbe dhe asaj malazeze, në mënyrë të veçantë. Talenti dramaturgjik i Imamit shprehet edhe në përshkrimet piktoreske të aktiviteteve luftarake dhe përdorimit të aeroplanëve serbë në rajonin ushtarak shqiptar, ndërsa si dhuratë po aq e madhe për të lexuar burime të dorës së parë demonstrohet përshkrimi i marrëdhënies komplekse Esat Pasha – Nikola Pashiqi dhe planet e tyre për krijimin e një shteti të përbashkët. Jashtë diskursit zi e bardh, dominues në literaturën konvencionale, janë ngjarjet e zhvendosura në historinë e regjimentit të famshëm 10 të Ushtrisë serbe, e përbërë nga shqiptarë që e mbrojtën Beogradin në vitin 1914, si dhe për shqiptarët e Jabllanicës, të cilët në vitin 1917 kanë luftuar së bashku me Ushtrinë serbe kundër bullgarëve.

Në hierarkinë e ngjarjeve me simbolikë të fortë, «Golgota shqiptare» zë vend të veçantë. Tërheqjen e popullit dhe të Ushtrisë serbe përmes Shqipërisë në vitin 1915 e penguan shqiptarët, në shenjë hakmarrjeje për krimet në luftërat ballkanike, me ç’rast ndaj ushtarëve serbë shqiptarët e krishterë ishin më të ashpër sesa myslimanët. Këtë tërësi të librit e karakterizojnë shumë qartë skena gati «kinematografike» – nga ushtarët e rraskapitur duke shkelur mbi baltën e Liqenit të Shkodrës, kërcënimin e mbretit Petër që Shqipërinë e krahason me Afrikën, mendjelehtësinë e aleatit të tij Esat Pasha, i cili ua ndërron ushtarëve serbë dinarët me franga franceze me kurs të këmbimit të pafavorshëm (ndërsa, në të njëjtën kohë, sipas dëshmive të mbarështuara, disa familje shqiptare të priftërinjve dhe të tregtarëve ishin aleatë të vërtetë i Ushtrisë së rrënuar serbe).

Duke përshkruar «interesat e kryqëzuara» në Luftën e Parë Botërore, që u arritën në Konferencën e Paqes, autori flet për rolin e masonerisë në krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, për bashkimin e Durrësit Shqipërisë, si dhe për vendimin e SHBA-ve për ta mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, vetëm pasi janë zbuluar depozitat e naftës. Imami përdor një literaturë të mirë historiografike për marrëdhëniet ballkanike dhe e pasuron me detaje më pak të njohura nga sfera e marrëdhënieve intime të udhëheqësit shqiptar Zog, kur e mori pushtetin në Tiranë, i realizuar me mbështetjen e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe emigrantëve rusë. Çështjes së demarkacionit afatgjatë ndërmjet dy vendeve ia kushton një sesion të veçantë, në kuadër të të cilit ofron dëshmi të riparimit të turpshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe fillimit të bashkëpunimit kulturor.
Imami e kupton mirë epokën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, prandaj pagabueshëm fokusohet në problemet kryesore të administratës shtetërore, të cilave ua njeh karakterin burokratik të aparatit në Kosovë (të përbërë nga shtresa e ulët sociale) dhe orientimit të përulur pro regjimit të partive politike shqiptare. Në anën tjetër, dashamirësia e shqiptarëve të shquar për Karagjorgjeviqin është pikturuar me skicat e shtypit, nga të cilat më e çuditshmja është ajo e ardhjes së Sherif Vocës në dasmën e Mbretit Aleksandër, kur dhuratën e tij të dasmës – njëqind desh të zbukuruar ritualisht – i shëtit nëpër rrugët e Beogradit. Imami në mënyrë kritike vë në pah qëndrimet jokritike të disa historianëve duke ofruar dëshmi, e shpesh hap edhe çështje shoqërore, të tilla si «frika», e cila prek përjetimin psikologjik të vendit në të cilin shqiptarët nuk besojnë. Në këtë njësi tematike është përfshirë kapitulli për kolonizimin e serbëve, për emigrimin e shqiptarëve në Turqi dhe për planet e intelektualëve të mbledhur rreth Klubit Kulturor Serb për zgjidhjen e «nyjës shqiptare». Autori gjithë kohën ndjek strukturën demografike dhe luhatjet në të, duke shpjeguar mospërputhjet dhe duke i sjellë ato në vendime dhe situata konkrete politike.
Në përpjekjen për qasje sa më afërt fenomenit të obsesionit të atëhershëm me lëvizjen kaçake, Imami do të prekë punën e kineastëve dhe komedisë pa zë, «Kaçakët në Topçider». Përveç kësaj, me pamje selektive të kryengritjes shqiptare, ai u kundërvihet raporteve në shtypin e atëhershëm rreth ndonjë udhëheqësi duke prezantuar arsimimin e tij për t’u pasur zili, për dallim nga shfaqjet e rrënjosura dhe të paimagjinueshme. Imami shkruan edhe për arsimimin e shqiptarëve në Mbretërinë jugosllave, por edhe për ndalimin e librave shqip, madje edhe për të kënduarit në gjuhën shqipe. Në kushtet e llojit të aparteidit (pasi fëmijët serbë dhe shqiptarë shkonin ndaras në shkollë) vërehen fillimet e mësimit ilegal të shqiptarëve dhe rënia e numrit të nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme dhe të studentëve në shkollat ​​publike.

Kur flet për Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore, autori thekson se pas pushtimit, situata «ndryshoi rrënjësisht në favor të shqiptarëve», derisa në Serbinë e Nediqit, nën ndikimin e rrethanave të jashtme ndodhi paradoksi – shqiptarët u lejuan për herë të parë të kenë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Kosova u bë skenë e shërbimeve të huaja të inteligjencës, ndërsa Imami e zbërthen në imtësi rrjetin e kolaboracionistëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë dhe në Serbi. Në të njëjtën kohë, përmend shembuj shqiptaro-serbë të solidaritetit, si dhe tregon për tendencën e shqiptarëve antifashistë për t’u bashkuar me partizanët vetëm në operacionet e fundit të luftës. Me një numër sa grushti të burimeve të botuara janë prezantuar të dhënat statistikore për numrin dhe strukturën etnike të viktimave të luftës në Kosovë, derisa njëra nga tërësitë përfundimtare të librit të parë u dedikohet «truqeve» historiografike për ta fshehur shkallën e shfarosjes së hebrenjve në mesin e shqiptarëve.
* * *
Në librin e dytë, autori e shqyrton periudhën 1945-2015, nga ditët e para të krijimit të qeverisë së re dhe variacionet në lidhje me statusin e Kosovës. Shenjat e papritura të vazhdimësisë personale që kërkojnë ta ruajnë vazhdimësinë politike në raport me shqiptarët, autori i ilustron me tekstin e letrës së Çubriloviqit në fund të vitit 1944. Kryengritja në Drenicë dhe konflikti i APÇJ (Armata Popullore Çlirimtare Jugosllave) me formacionet e armatosura të Shaban Polluzhës (i cili me njerëzit e tij refuzoi të shkojë në frontin e Sremit) çoi në joshjen e administratës ushtarake për shtypjen e kryengritjes me ndihmën e aradhes partizane të përbërë nga të rinj shqiptarë. Në këtë, Imami ka vënë re se historiografia serbe i ka injoruar humbjet në mesin e shqiptarëve dhe se Drenica (ashtu si në periudhën ndërmjet dy luftërave) ka mbetur tabu-temë për historianët dhe publicistët.

Mbi revidimin e kolonizimit mes dy luftërave dhe ndalimin e kthimit të kolonëve serbë autori shkruan mjaft objektivisht, duke kryqëzuar burime të shumta të literaturës përkatëse. Në këtë përpjekje që t’i paraqesë sa të jetë e mundur në mënyrë besnike konturat e rregullimit të brishtë shoqëror, ai e trajton problemin e mobilizimit të shqiptarëve në frontet në veri të vendit, keqtrajtimin e tyre nga udhëheqësit komunistë, por edhe historitë prekëse dashurore të martesave të përziera ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve partizanë dhe partizane.
Një segment shumë i rëndësishëm i epokës së periudhës së hershme socialiste është çështja e perceptimit historik dhe gjeneza e termeve «Kosovë», «Metohi», «Dukagjin», si rikompozim administrativ-territorial i hapësirës që pasoi pas vitit 1945. Imami ka vërejtur luhatje të pushtetit komunist në lidhje me shkallën e autonomisë dhe planet federale, duke shfrytëzuar tekstet nga shtypi ditor dhe kujtimet nga Fadil Hoxha. Përçarjet e vitit 1948, jo vetëm që i shuan projektet jugosllavo-shqiptare, krahas bonifikimit të Liqenit të Shkodrës, por aktivitetet subversive të Tiranës e përkeqësuan gjendjen e shqiptarëve të Kosovës, për ç’gjë tekstet shkollore u spastruan nga përmbajtja nacionale. Përveç kësaj, autori u kushton vëmendje të veçantë «lojërave të identitetit» dhe fushatës që shqiptarët të deklarohen si turq. Ngjashmëria me regjimin e paraluftës është e dukshme me hapjen e shkollave në gjuhën turke nëpër mjediset shqiptare, si dhe mekanizmat e emigrimit për në Turqi. Imami manovron me shkathtësi nëpër një det të tërë të statistikave kundërthënëse për numrin e turqve dhe shqiptarëve të zhvendosur, duke shfrytëzuar hulumtimet e fundit të autorëve vendës dhe të huaj, por edhe nga intervistat e veta që i kishte bërë me ish-zyrtarë diplomatikë. Aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë në mesin e viteve të 1950-ta e ka paraqitur si një mjet institucional që pushteti e shihte si të përshtatshëm për rritjen e mbikëqyrjes dhe të represionit.

Megjithatë, pikën (pozitive) të diskontinuitetit në politikën ndaj pakicës kombëtare shqiptare autori e gjen në situatën e vitit 1959, dhe atë në fushën e arsimit dhe në liberalizimin e përdorimit të gjuhës shqipe, gjë që, në anën tjetër, krijoi frikën te serbëve e Kosovës nga majorizimi, ndjenjat anti-serbe të inteligjencës së re shqiptare dhe reflektimin e albanofobisë nga klerikët dhe inteligjenca e krahut të djathtë, e ushqyer me frazat e «agresionit demografik» dhe «bombës në pelena».

Për të hedhur dritë mbi mitin e natalitetit shqiptar, Imami konsulton të dhënat zyrtare nga viti 1950 dhe arrin në përfundimin se shkalla e lindjeve në mesin e serbëve të Kosovës ishte më e lartë se te shqiptarët, dhe se demografët francezë i përgënjeshtruan supozimet në lidhje me planet nacionaliste për normën e lartë të lindjeve të shqiptarëve, duke ia atribuuar atë traditës shekullore të rajonit.

Një tërësi e veçantë e librit i është kushtuar statusit kushtetues të Kosovës, i cili me kohë e ka akumuluar një klimë të padurueshme, prapambetje ekonomike dhe thellim tensionesh, pavarësisht mesazheve cinike të pushtetit qendror se shqiptarët mund të ndihen «si në shtëpi të vet», me ç’gjë u krijuan aludimet e qarta për statusin e tyre «ardhacakë» dhe për origjinën e huaj. Të rrallë ishin zërat e arsyes në elitën politike që e kanë kritikuar qëndrimin iritues dhe janë angazhuar për t’i «hedhur në defansivë nacionalistët serbomëdhenj dhe ata shqiptarë». Tanket nëpër rrugët e Prishtinës, «librat e kaltër» dhe përhapja e të dy nacionalizmave e kanë kontaminuar hapësirën publike, duke paralajmëruar dezintegrimin e shpejtë shoqëror dhe politik. Imami, përkrah një kronisti të jetës së përditshme, i shënon simptomat e paharrueshme të transformimit të plotë të klimës shoqërore në Beograd dhe në Prishtinë.

Duke elaboruar «planet sekrete» të Shqipërisë që pas vdekjes së Titos të hyjë në Kosovë me përkrahjen e Paktit të Varshavës, Imami e ka përmendur edhe filmin britanik futuristik, i cili parashikon trazirat e studentëve në Prishtinë dhe shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore! Në të vërtetë, situata sociale ishte para kolapsit, me papunësi të lartë, kështu që nuk është çudi që revolta filloi nga mensa e studentëve në Prishtinë, duke u shndërruar nga revoltë sociale në politike. Dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë dhe operativëve të policisë kanë konfirmuar hipotezën e një lidhjeje të ngushtë të informatorëve me strukturat e inteligjencës serbe në Kosovë dhe shfrytëzimin e medieve shtetërore në luftën propagandistike.

Varrimi i Aleksandër Rankoviqit, në të cilin morën pjesë 100 mijë njerëz ishte më shumë se valë simbolike e shprehjes së nacionalizmit. Edhe pse stili i tij i shkrimit është i përmbajtur dhe me gjuhë të matur, autori në këtë pikë ka shprehur hidhërim për udhëheqjen shtetërore shkurtpamëse, e cila e refuzoi ofertën e Komunitetit Ekonomik Europian që Jugosllavia t’i bashkohet projektit Eureka dhe kështu tërthorazi të bëhej njëra nga anëtarët e para të BE-së së ardhshme, së cilës atëbotë i përkiste në mënyrë qytetëruese dhe kulturore. Në vend të kësaj, në opinion u shfaq drafti i Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, të cilin qarqet me ndikim të ulët liberal e quajtën «manifest lufte». Imami e bën një analizë të gjithanshme të tekstit të memorandumit, duke tërhequr paralele që disa shkencëtarë kanë bërë me platformën e paraluftës të Klubit Kulturor Serb.
Kundërthëniet e grumbulluara, interpretimi mitoman i rasteve të ndryshme të dhunës ndëretnike dhe prezantimi selektiv i përmbajtjes së dëshiruar (nën sloganin e ri se «gazetarët duhet të udhëhiqen nga interesat nacionale, e jo e vërteta»), e kanë frymëzuar Imamin për ta trajtuar rolin e intelektualëve letrarë për ta rritur nacionalizmin. Përveç kësaj, ai me shumë kujdes i ka analizuar të gjitha krimet e publikuara kundërthënëse («Helmimi i Ibrit», «Martinoviqi», «Paraçini») dhe e ka analizuar potencialin manipulues të secilit. Imami nuk imponon gjykim përfundimtar, por ofron shumë argumente dhe interpretime logjike të ngjarjeve që e kanë «ngritur Serbinë në këmbë», duke e ngritur njëkohësisht edhe disponimin antishqiptar në ekstrem. Pamjet e zymta të viteve të 1980-ta, Imami i zëvendëson me pamje të vogla etnologjike për rrëfimet humoristike (me shaka etnike) si formë e transformimit politik të opinionit publik.

Për vitet e «organizimit spontan», për legalizimin e korrupsionit, për zgjedhjet groteske (por lojale) të figurave nga Kosova në organet shtetërore dhe për përjashtimin e gjithë popullit nga institucionet e sistemit, autori shkruan në bazë të memories së pasur dhe strukturës periodike. Me përshkrimin shumëngjyrësh të konspiracionit dhe të mjedisit në të cilin ka evoluar shërbimi ilegal informativ shqiptar në Kosovë, autori përqendrohet në shpërbërjen e Jugosllavisë, duke e kualifikuar si pasojë të shpërbërjes së vlerave shoqërore, e jo vetëm politike. Në hijen e luftërave në Kroaci dhe në Bosnjë, në Kosovë ka shpërthyer kryengritja që ka arritur në konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur. Imami e ka analizuar hapur strukturën dhe funksionimin e UÇK-së, duke shfrytëzuar transkripte nga gjykimet në Hagë, ndërsa gjurmëve të dokumenteve gjermane flet edhe për bashkëpunimin e luftëtarëve shqiptarë me trafikantët e drogës dhe të armëve, si dhe për bashkëpunimin e kompanive kryesore serbe të eksportit me financuesit e UÇK-së. Ndërkombëtarizimi i pashmangshëm i problemit të Kosovës vetëm sa e ka përforcuar veprimin e grupeve paramilitare në të dyja anët, ndërsa autori na prezanton me kronologji të saktë operacionet e bashkësisë ndërkombëtare dhe përshtypjet e ndërmjetësve të huaj nga terreni.

Falë bazës së pasur burimore (autobiografike, gjyqësore dhe strukturës periodike), Imami lëshohet në rikonstruimin e aktiviteteve diplomatike që i paraprijnë bombardimit të Republikës Federale të Jugosllavisë, duke mos kursyer në këtë rast as palën serbe, e as atë shqiptare. I bindur se regjimi autoritar, sipas definicionit, nuk është në gjendje të përballet në mënyrë të arsyeshme me problemin (në Kosovë), (edhe nëse ai perceptohet si «çelës për të ardhmen politike»), autori e përshkruan epilogun tragjik të Milosheviqit në kërkim të «zgjidhjes përfundimtare».

Disa tërësi të fundit e trajtojnë periudhën pas pesë tetorit, në të cilat ka tema jo të këndshme (varreza masive, regjistrimi i viktimave dhe personave të zhdukur, statusi i të mirave materiale dhe kulturore), që ende janë subjekt i proceseve gjyqësore të vazhdueshme, dhe autori edhe këtu është veçanërisht i kujdesshëm. Hakmarrja e pakontrolluar e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës u paraqit si rezultat i mungesës së autoritetit politik, siç dëshmohet nga ndikimi i vogël i intelektualëve të pavarur të Kosovës, të cilët u shprehën hapur kundër hakmarrjes. Imami jep një vështrim krahasues për planet e vonuara nga qarqet drejtuese serbe që me zgjidhjen e çështjeve ekzistenciale promovon «bashkëjetesë» dhe kështu çështjen e shtetësisë së Kosovës e bën të parëndësishme.
* * *
Njëra nga cilësitë e shumta të këtij libri (i cili është pothuajse me vëllim dyfish nga edicioni i parë) është paanshmëria e autorit, i cila, pa asnjë kalkulim apo qëllim për të krijuar simetri artificiale, e bën librin njësoj të pranueshëm për «të dyja palët». Përveç prezantimit të argumenteve të verifikuara historike, Imami ofron një bazë të gjerë burimesh, nga të cilat, lexuesit, varësisht nga interesimi i tyre, aftësitë dhe sensibiliteti, mund të nxjerrin përfundimet dhe gjykimet e tyre. Së fundi, libri i Petrit Imamit është plot pamje diskrete që nxitin të menduarit për pasojat e instrumentalizimit afatgjatë të historisë dhe të nevojës për t’i demaskuar vendet mitike që shkenca moderne nuk i ka vërejtur, ose që, nën presionin e elitave nacionaliste dhe kontrollit permanent politik, me vetëdije i ka tejkaluar.

Nga parathënia e autorit të librit

Nevoja për ta shkruar librin Serbët dhe shqiptarët nëpër shekuj ka lindur tek unë nga prirja e thellë që të përballem me historinë e dy popujve, të cilët jetojnë në fqinjësi për më shumë se njëmijë vjet. Kam qenë kureshtar t’i njoh marrëdhëniet e tyre: çfarë kanë qenë, çfarë i ka ofruar dhe çfarë i ka larguar ata nga njëri-tjetri, çfarë i ka sjellë ata deri në miqësi dhe armiqësi. Jam përpjekur t’i përfshij flukset e brendshme dhe të jashtme në vertikalet historike që ndikuan në veprimet e anëtarëve të tyre, udhëheqësit dhe njerëzit e zakonshëm. Për t’u angazhuar në këtë më së tepërmi kanë ndikuar ngjarjet e viteve të ‘80 të shekullit të kaluar, kur filloi degradimi dhe shkatërrimi i Jugosllavisë socialiste. Jam thelluar në libra, revista profesionale, gazeta të përditshme, javore, periodë nëpër biblioteka, në Bibliotekën Universitare në Beograd, në Amzën serbe në Novi-Sad dhe në Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Kam gjurmuar për përgjigje dhe informacion për çështje të veçanta dhe personalitete nëpër arkivat e ndryshme, më së shumti në Arkivin Kombëtar të Serbisë dhe në Arkivin Qendror të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. U jam përmbajtur parimeve të gazetarisë se nuk është e tmerrshme nëse një gazetar nuk di diçka, por se është e tmerrshme nëse një gazetar nuk e di se kush di. Kanë qenë tepër të rëndësishme bisedat e mia me disa njerëz meritorë, të cilët ishin akterë apo bashkëkohanikë të disa ngjarjeve nga e kaluara, ose kishin njohuri për ato ngjarje. Janë grumbulluar fotokopje dhe kopjet e materialeve të ndryshme për marrëdhëniet e dy popujve, për të cilat më parë nuk kam ditur asgjë. Krahas numrit të madh të librave dhe revistave që i kisha nga babai, kam blerë botimet e reja në gjuhën shqipe që janë botuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Kompjuteri ishte një ndihmë e madhe për ta sistematizuar gjithë atë material. Me kërkesë të shkrimtarit Filip David dhe të redaktorit të revistës Danas, Grujice Spasoviq, e kam shkruar fejtonin «Lidhjet kulturore serbo-shqiptare», i cili është botuar në atë gazetë në vitin 1998 në 19 vazhdime. Duke parë se çfarë vëmendje tërhoqi ai fejton, e kam zgjeruar atë me marrëdhëniet politike dhe për herë të parë si libër e kam botuar në vitin 1998, nën titullin Serbët dhe shqiptarët nëpër shekuj. Por, ndodhi që «forcat e shëndetshme» të regjimit të Slobodan Milosheviqit i bastisën dhe shkatërruan lokalet e Radio B92. I gjithë tirazhi i librit u shkatërrua. Sapo ndodhën ndryshimet demokratike në Serbi, në tetor të vitit 2000, më është lajmëruar kryeredaktori i Radio B92, Veran Matiq, me propozim që ta ribotoj librin me më shumë materiale në lidhje me marrëdhëniet politike. Kam shkruar shpejt dhe libri u shfaq që në vitin 2000. Kur e kam pasur në dorë, nuk kam mundur t’ia falë vetes që jam nxituar ashtu, sepse më janë përvjedhur shumë gabime të cilat nuk kam mundur t’i shoh në ekran. Që atëherë kanë kaluar 16 vjet. Me intensitet të ndryshëm, kam vazhduar që në spektër të gjerë t’i studioj më tej marrëdhëniet serbo-shqiptare, pa nxitim. Jam koncentruar në demistifikimin e ngulitjes së mashtrimeve historike. Frytet e kësaj pune gjenden brenda kopertinave të librit të parë dhe të dytë të këtij botimi të plotësuar në mënyrë të konsiderueshme, Serbët dhe shqiptarët nëpër shekuj. Në fazën finale është edhe libri e tretë, i cili është plotësues i të dy të parëve.

Biografia e autorit Petrit Imami

Petrit Imami ka lindur më 11 shtator 1945, në Prizren. Për shkak të nevojës për përkthyes nga gjuha shqipe, familja e tij që në nëntor të atij viti u shpërngul nga Kosova në Beograd. Babai Sitki Imami, i lindur në Gjakovë, ka punuar si përkthyes në emisionet në gjuhën shqipe në Programin për Botën e Jashtme të Radio Beogradit. Ai i përket gjeneratës së parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, e cila në vitin 1945 e fitoi mundësinë për të shkruar dhe botuar në gjuhën amtare. Ai ishte bashkëpunëtor për fjalorët në gjuhën serbokroate-shqipe dhe shqipe-serbokroate, në botim të Institutit Albanolik në Prishtinë. Nëna Matilda Ale Imami, amvise, ishte me kombësi hungareze.

Petrit Imami është shkolluar në Beograd. U diplomua në vitin 1974 për dramaturgji në Akademinë për Teatër, Film, Radio dhe TV (sot Fakulteti i Arteve Dramatike). Ka punuar si dramaturgut në Televizionin e Prishtinës në vitet e ‘70 të shekullit të kaluar. Si bashkëpunëtor profesional me honorar është angazhuar në vitin 1978 në Akademi, në lëndën Skenar për film dhe televizion. Si docent është zgjedhur në vitin 1981, profesor i asociuar më 1986, ndërsa profesor i rregullt në vitin 1996. Është autor i skenarit për serialin televiziv dhe filmin artistik «Era dhe Lisi» (1979) nga TV Prishtina dhe Kosova Filmi, i realizuar nga motivet e romanit shqip të shkrimtarit Sinan Hasani. Është shpërblyer me Arenën e Artë për skenar në Festivalin e Filmit në Pulë, në vitin 1979. Si dramaturg ka bashkëpunuar me një numër të dramave televizive dhe emisioneve dokumentare, të filmuara nga TV Prishtina. Në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar ai botoi artikuj profesionalë dhe kritika për film në gazetën kosovare për letërsi dhe kulturë, «Fjala». Për qëllime të mësimdhënies në lëndën Skenar për film dhe televizion, e ka përgatitur krestomacinë Skenari për film në teori dhe praktikë I-II (1978, 1983), botuar nga Universiteti i Arteve në Beograd. E ka botuar edhe Fjalorin për film dhe televizion anglisht-serbisht (shtëpia botuese NNK, 2002), Fjalorin e slengut të Beogradit (NNK, 2000, 2003, 2007), si dhe Dramaturgjia e filmit artistik (NNK, 2011). Ishte anëtar i redaksisë dhe autor i mbi 200 shprehjeve të Leksikonit të koncepteve filmike dhe televizive I-II (1993, 1997), botuar nga Universiteti i Arteve dhe Libri Shkencor në Beograd. Artikujt profesionalë për dramaturgjinë e filmit i ka publikuar në Koleksionin e Fakultetit të Arteve Dramatike dhe në revista të tjera. Libri Origjina e fjalëve në gjuhën shqipe u botua në Prishtinë, në vitin 2011, nga Buzuku. Është i martuar me dr. Naile Mala-Imami, docente në Katedrën e Albanologjisë në Fakultetin e Filologjisë në Beograd. Ata e kanë një djalë, Aurelin.

(Teksti u botua në webfaqen Peščanik, Beograd)