Sensacion në Austri: Gjykata Kushtetuese urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve presidenciale

Për shkak të parregullsive gjatë numërimit të votave në Austri duhet të përsëritet raundi i dytë zgjedhjeve presidenciale. A do të fitojë tani kundërshtari i pavarësisë së Kosovës Norbert Hofer?

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Gerhart Holzinger, dhe nënkryetarja Brigitte Bierlein.

Gjykata Kushtetuese e Austrisë e ka anuluar raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas gjykatësve ky raund duhet të përsëritet në tërë Austrinë. «Zgjedhjet duhet të përsëritet në tërësi», deklaroi presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Gerhart Holzinger. Ai tha se vendimi i gjykatës nuk e bën askënd as fitues, as humbës.

Gjykata me këtë vendim ka miratuar ankesën e partisë populliste FPÖ. Raundin e dytë të zgjedhjeve më 22 maj e kishte ftuar politikani i gjelbër Alexander Van der Bellen me epërsi të ngushtë prej vetëm 30 mijë votash. Kundërkandidat i tij ishte Nobert Hofer i FPÖ-së.

Pas zgjedhjeve u raportua për parregullësi gjatë numërimit të votave. Kështu votat e dërguara me postë u numëruan te dielën, ndonëse ligji parasheh që numërimi i tyre të bëhet të hënën. Kandidati i FPÖ Nobert Hofer është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Ai e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Në një intervistë për një gazetë austriake kryetari i Kosovës Hashim Thaçi i ka kritikuar këto deklarata të Hoferit duke thënë se «është ëndërr e keqe nëse dikush mendon se Kosova na qenkësh pjesë e Serbisë. Kosova është e pavarur dhe shtet sovran». Analistët e çështjeve politike në Austri kanë shprehur frikën se nëse përsëriten zgjedhjet, mund të ketë një mobilizim të së djathtës në Austri dhe të çojë në zgjedhjet e Norbert Hofer në postin e presidentit.

Hofer është 45-vjeçar dhe nënkryetar i Parlamentit të Austrisë. Për shkak të një aksidenti gjatë aktiviteteve sportive ai ec me bastun. Hofer është teknik i aviacionit dhe specialist i komunikimit. M mesazhet e tij të rrezikshme kundër të huajve ai i paketon me një gjuhë të butë. Ai është anëtar i një shoqate konservatore, që në Austri dhe Gjermani njihen si «Burschenschaft», që në shqip domethënë djalëria. Këto grupe historikisht kanë përfaqësuar ide konservatore, nacionaliste dhe gjermanomëdha.

Hofer ka konfirmuar se për arsye sigurie bart me vete një revole, natyrisht prodhim austriak («Glock 26»). Ndonëse presidenti austriak ka kompetenca kryesisht reprezentative, Hofer ka paralajmëruar se do ta largonte Qeverinë nëse ajo s’do të punonte sipas ideve të tij. «Do të habiten se çka ka me qenë e mundshme», është kërcënuar Hofer.