Senati amerikan pritet të miratojë kërkesën e Malit të Zi për të hyrë në NATO

Mali i Zi po i afrohet më shumë anëtarësimit në NATO pasi Senati Amerikan ra dakord të mbajë një votim përfundimtar për miratimin e pranimit të tij në aleancën ushtarake.

Senati Amerikan. Foto: Pixabay



Senati amerikan do të fillojë një debat një ditë e gjysmë të martën mbi lejimin ose jo të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Kjo pason një votim procedural 97-2 në Senat të hënën, në favor të votimit përfundimtar këtë javë për ratifikimin e Protokolit të Anëtarësimit në NATO të Malit të Zi.

Tani ligjvënësit kanë rreth 30 orë kohë të debatojnë nëse Mali i Zi duhet të bëhet anëtari i 29-të i Aleancës Perëndimore.

Një shumicë e përbërë nga dy të tretat e 100 anëtarëve të Senatit duhet të votojnë pro të martën ose të mërkurën.

Senatorët pritet të mbështesin pranimin e Malit të Zi, dhe edhe pse votime të tjera duhet të kryhen në parlamentet në Holandë dhe Spanjë. Gjithsesi qeveria në Podgoricë shpreson se procesi do të ketë përfunduar deri në maj, kur është planifikuar samiti i ardhshëm i NATO-s.

Dy votat e vetme kundër në votimin procedural të së hënës ishin nga senatorët republikanë Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët e kishin bllokuar vazhdimin e votimit për disa muaj.

Paul paralajmëroi Uashingtonin kundër zgjerimit të tepërt në një pikë, kur ushtria është e përfshirë në Irak, Siri, Libi dhe Jemen.

«Mali i Zi në NATO do të acaronte Rusinë duke mos bërë asgjë për të përparuar sigurinë kombëtare amerikane», tha Paul gjatë debatit.

«Shumica e amerikanëve as mund ta gjejnë Malin e Zi në një hartë», shtoi ai në një fjalim të ashpër në Senat.

«A jeni të gatshëm të dërgoni fëmijët tuaj atje për të luftuar?» pyeti ai.

Paul ka sugjeruar se anëtarësimi i Malit të Zi, një aleat i dikurshëm rus, mund të çojë në rritje të tensioneve me Moskën, ndoshta edhe në luftë.

Votimi në Senat erdhi pasi sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson më 21 mars u shkroi senatorëve duke u bërë thirrje të ratifikojë anëtarësimin e Malit të Zi, duke thënë se ishte «fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara».

Tillerson argumentoi se anëtarësimi i Malit të Zi do të mbështesë reformën demokratike, tregtinë, sigurinë e vendit dhe do të nxisë stabilitetin mes fqinjëve.

«Pjesëmarrja e Malit të Zi në Samitin e NATO në maj si një anëtar me të drejta të plota, jo si vëzhgues, do të dërgojë një sinjal të fortë uniteti transatlantik», shkroi Tillerson.

Moska e kundërshton me forcë zgjerimin e NATO-s në lindje, përfshirë Ballkanin, megjithëse vonesa e miratimit të anëtarësimit të Malit të Zi ka ngritur dyshime nëse administrata e re e Donald Trump është gati të matet me Rusinë për këtë çështje.

Që të 28 vendet anëtare në NATO duhet ta ratifikojnë protokollin e pranimit përpara se të bashkohen me aleancën. Vetëm tre anëtarë nuk e kanë miratuar ende, Spanja, Holanda dhe SHBA.

Mali i Zi e fitoi statusin kandidat në 2010.

Pranimi ende mbetet një çështje shumë kontroverse brenda vendit. Një sondazh i kryer në dhjetor 2016 tregoi se vetëm 39.5 për qind e malazezëve në favor të anëtarësimit në NATO.

(https://www.reporter.al/senati-amerikan-pritet-te-miratoje-kerkesen-e-malit-te-zi-per-te-hyre-ne-nato/)