Selimi: Strategjia e Serbisë për të bllokuar Kosovën në UNESCO, e bazuar në gënjeshtra

Zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi, ka thënë se pret që Bordi Ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) të vendosë për përfshirjen në agjendën e tij kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.




Selimi, në një intervistë për të përditshmen serbe «Danas», theksoi se Bordi i ka 58 anëtarë dhe se Serbia ka përdorur gjithë makinerinë e saj propaganduese për të mos e lënë Bordin të shqyrtojë aplikacionin e shtetit të Ksovoës.

Ai theksoi se në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s po zhvillohen një sërë betejash të ashpra. «Ne po veprojmë me një qasje tejet pozitive, po flasim për shkencë, kulturë, arsim dhe domosdoshmërinë që Kosova të mos mbetet e izoluar. Jemi mirënjohës që një numër rekord i shteteve e kanë përkrahur futjen e kërkesës sonë si pikë të agjendë», deklaroi Selimi, transmeton Koha.net.

Ai tha më tej se është i shokuar me strategjinë e Serbisë, ndërsa theksoi se ajo strategji bazohet në një qasje tejet negative dhe gënjeshtra të kulluara.

«Qeveria e Serbisë po shpreson se nëse i përsërit shumë herë deklaratat e paqena, ndoshta një numër i mjaftueshëm shtetesh do t’u besojnë atyre», u shpreh Selimi.

Zëvendësministri Selimi tha se Qeveria e Serbisë po i kapërcen të gjithë kufijtë e protokollit diplomatik, duke rikujtuar deklaratat famëkeqe të ambasadorit serb në UNESCO, Darko Tanaskoviq, Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe së fundi vet kryeministrit Vuçiq, të cilët i vënë Kosovës epitete prej më të ndyrave, madje duke e quajtur si «terroriste», ndërsa ambasadorëve u është urdhëruar që të mos ndalojnë së quajturi Kosovën «ISIS».

Në këtë intervistë, Selimi bëri me dije se në javët në vazhdim, Kosova do të nënshkruajë traktatin e parë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se qasja e Kosovës nuk është që të godasë fqinjët e saj, por se synon që të konsolidojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Tutje, Selimi tha se Serbia nuk duhet të brengoset, pasi që Kisha Ortodokse Serbe është e sigurt në Kosovë dhe do të jetë edhe më e sigurt kur Kosova bëhet anëtare e UNESCO-s.

Veç çështjes së trashëgimisë kulturore dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Selimi foli edhe për borxhin prej 1 miliard euro që tha se qeveria serbe i ka vjedhur nga pensionet e Kosovës, si dhe borxhi prej 5 miliardë eurosh për kompensimin e dëmeve të luftës.