Selimi në Azi që të lobojë për Kosovën në UNESCO

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, pas lobimit në Armeni dhe Paris, ai sonte vonë do të udhëtojë në një vizitë në disa shtete aziatike.




Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, pas lobimit në Armeni dhe Paris, ai sonte vonë do të udhëtojë në një vizitë në disa shtete aziatike, për të shtyrë përpara agjendën e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, transmeton Koha.net.

Gjatë takimeve të shumta që do të ketë me përfaqësues shtetërore, zëvendësministri Selimi do të përshkruaj situatën socio-politike në Kosovë, me fokus të veçantë në zhvillimet në promovimin e dialogut ndër-fetar si mjet të diplomacisë publike të Republikës së Kosovës dhe rolit që ka agjenda e dialogut me fqinjë në kundërshtimin e narracionit radikal dhe fundamentalist.

Ditë më parë, zëvendësministri Selimi ka qëndruar në një vizitë njëditore në Paris, ku ka mbajtur një ligjërate në Akademinë Diplomatike të Francës së bashku me profesorin dhe autorin e famshëm francez, Jacques Rupnik.

Zëvendësministri i Jashtëm , Petrit Selimi në Paris po ashtu ka pasur edhe disa takime me delegacione të delegacione nacionale në UNESCO, menjëherë pas vendimit të Bordit ekzekutiv të UNESCO-s për ta futur çështjen e Kosovës në agjendë.

Me 21 tetor 2015, Bordi Ekzekutiv do të votojë për rekomandimin pozitiv për anëtarësimin e Kosovës, ndërsa ekipi i diplomatëve të Kosovës do ta përdor këtë javë për lobim të shtuar që të sigurohet mbështetja për këtë votim të rëndësishëm që mund t’i japë një shtytje të madhe anëtarësisë së Kosovës në UNESCO.