Selam dhe shalom!




Mbaroi edhe një cikël i dhunës në Lindjen e Afërt. Nuk mund të duroj pa uruar qysh në fillim që ky të jetë i fundit. Paqa për të dy popujt në konflikt është njëlloj e vyer, ajo është përshëndetja e tyre. Padyshim: Selam! Shalom!

Tani është koha e bilancit. Një duzinë shqiptarësh në Zvicër, kryesisht të rinj, kohët e fundit janë paditur nga institucionet zvicerane për racizëm. Në komentet e tyre në Facebook ata kanë shpërthyer hapur në thirrje antisemitiste. Paraqitje të tjera më të kamufluara po hetohen. Konteksti i këtyre prononcimeve është konflikti në Gazë. Në esencë, ata i promovojnë hebrenjtë si sinonim i së keqes. Kjo në Zvicër dhe në shoqëritë e iluminuara nuk shkon! Ajo është e dënueshme.

Me këtë, këta persona i kanë vënë një njollë jetëshkrimit të tyre dhe nuk rrezikojnë më pak se një karrierë normale në Zvicër. Për më tepër, ata i kanë bërë një shërbim të keq komunitetit shqiptar këtu, i cili mezi po e rikuperon imazhin e tij.

Opinioni publik shqiptar ka heshtur për këto zhvillime në shtetin helvetik. Mbase, sepse në vendet nga vijnë shqiptarët këto reagime nuk janë të panjohura. Ndoshta sepse kanë qenë të fokusuar në mesazhet spektakulare të vullnetarëve shqiptarë që po lënë nam të zi në Siri.

Gjesti i këtyre shqiptarëve mund të jetë një lajthitje axhamish. Po injoranca nuk është amnesti, ajo të shpie në konflikt me normat dhe vlerat e etabluara në një shoqëri. Dhe, këtu flasim për gjëra elementare, që vlejnë njëlloj edhe në kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Pyetja është se si i kanë huq ata informacionet për kontributin e pakrahasuar të hebrenjve në zhvillimin e gjithëmbarshëm të njerëzimit. Pse këta njerëz nuk e kanë pasur rastin të dëgjojnë ndonjëherë për autorin hebre të librit «Golgota shqiptare», Leo Freundlich, i cili ka dokumentuar krimet e Serbisë mbi shqiptarët në shekullin e kaluar? Apo për albanologun hebre kroat, Milan Shuflaj, i cili për aktivitetin e tij u vra nga organizata serbe që u bë edhe shkaktare e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ata nuk kanë dëgjuar kurrë për shqiptarë me prejardhje hebraike.

Imazhet që vijnë nga konflikti në Lindjen e Afërt, pa dyshim janë trishtuese. Bilanci i luftimeve sugjeron që ushtria izraelite ka dështuar të bëjë dallimin ndërmjet civilëve të pafajshëm dhe militantëve të armatosur palestinezë. Një vëzhguesi të vëmendshëm në raportimet e disa medieve, megjithatë, i bie në sy heshtja e viktimave në anën izraelite nga gjuajtjet me raketa të Hamasit. Kjo asimetri e bën edhe më të papranueshëm konfliktin. Megjithatë, reagimet për të cilat po flasim nuk janë një solidaritet me fatin e një populli që po e përjeton një fatkeqësi. Janë gjithë ato konflikte të botë që kërkojnë reagimin e qytetarëve të botës, por nuk kemi parë ndonjë shqiptar të jetë shkrehur në racizëm, sikur tani. Është e qartë: Ky është një identifikim me palestinezët për motive fetare.

Një institut studimor në Cyrih, para pak vitesh, botoi një raport interesant. Ai e kishte shqyrtuar orientimin e qendrave islame shqiptare dhe boshnjake në Zvicër. Rezultatet e studimit janë befasuese: Shqiptarët e promovojnë ‹islamin botëror›, kurse boshnjakët ‹islamin kombëtar›! Edhe një herë në modus të ngadalësuar, sepse mund të huqet ky informacion i pazakontë: Shqiptarët, të cilët për shkak të diversitetit religjioz dhe rrezikimit të identitetit kombëtar tradicionalisht i kanë dhënë përparësi etnisë, e kultivojnë islamin botëror. Boshnjakët, me një identitet fragjil kombëtar, që për etni kanë zgjedhur të quhen me emrin e fesë, e kultivojnë një islam kombëtar.

Nuk ka ndonjë studim nëse islami shqiptar në Zvicër dallon nga ai në trojet shqiptare, i cili prej kohësh akuzohet të ketë lëvizur nga boshti i tij tradicional dhe po arabizohet. Jo vetëm teori konspirative tërheqin vëmendjen që qarqe të huaja sponsorizojnë radikalizmin islamik te shqiptarët. Ky trend do t’i përshkruhet klerit mysliman, me ose pa të drejtë – se e inspiroi, apo nuk e frenoi atë.