Seco del me bilanc pozitiv nga imigracioni

Çka thotë raporti mbi ndikimin e lëvizjes së lirë në tregun zviceran të punës dhe në sigurimet shoqëore?

Në zonën kufitare midis Italisë dhe Zvicrës. Foto: elesi / Shutterstock.com

Imigrimi i lartë nga vendet e UE-së dhe Efta-s vitin e kaluar në Zvicër nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ në rroga dhe në tregun e punës. Ky është vlerësimi i Sekretariatit Shtetëror për Ekonomi (Seco) lidhur me efektet e lëvizjes së lirë. Kjo, në fakt, qëndron në raportin e observatoriumit të marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë ndërmjet Zvicrës dhe Unionit Europian, transmeton Tages Anzeiger.

Për Seco-n do të jetë vendimtare që imigrimi edhe në të ardhmen të ketë një efekt plotësues në potencialin e fuqisë punëtore. Më pak e mirëseardhur do të ishte një imigrim në sektorët me shanse të këqija apo një numër i lartë i personave me kualifikim të ulët. Dhe indikacione të tilla ka. Vitin e kaluar është përkeqësuar paksa struktura e kualifikimit të të ardhurve. Më 2015 imigracioni nga Europa veriore dhe perëndimore përbënte një të tretën e atyre nga vendet e UE-së dhe Efta-s; 40 për qind ishin nga Europa jugore, ndërsa 20 për qind vinte nga njëri prej dhjetë vendeve lindore të UE-së. Megjithatë, më shumë se 50 për qind e të ardhurve kanë një diplomë universitare apo një shkollim terciar.

Përndryshe, me forcimin e frangës imigracioni është zvenitur paksa. Kështu më 2015 në Zvicër gjithsejt kanë ardhur 71’000 të huaj, 47’800 prej tyre nga UE apo vendet e Efta-s. Një vit më parë kishin qenë 73’000, përkatësisht 50’600 veta. Kjo rënie ishte më e theksuar në fillim të vitit. Numri i të ardhurve nga UE dhe Efta kishte rënë për 23 për qind. Një rënie e ndjeshme ishte vërejtur sidomos në sektorët e përfaqësuara në kursin e valutave. Një rritje të lehtë kishin shënuar sistemi shëndetësor dhe social.

Raporti i Seco-s thotë që rritja e rrogës në Zvicër në vitet e fundit ka qenë e balancuar. Dallimet midis rajoneve të ndryshme kanë qenë të vogla dhe nuk kanë treguar ndonjë marrëdhënie me dallimet rajonale të imigracionit. Një vëmendje të veçantë Seco iu kushton rajoneve kufitare në Zvicrën franceze dhe atë italiane. Të dhënat aktuale të rrogave nga viti 2014 tregojnë që punëtorët ndërkufitarë në Tesinë dhe në harkun e Juras mesatarisht kanë rroga më të ulta se sa të punësuarit me qëndrim në Zvicër. ks