Së shpejti nis monitorimi i secilit deputet, përfshirë edhe shpenzimet

Jo vetëm në seanca plenare e në raporte gazetarësh, qytetarët do të kenë mundësi të shohin punën e atyre që i zgjodhën deputetë.




Nën llupën e qytetarëve, të 120 deputetët e Kuvendit do të jenë në 24 orë me platformën e re që brenda pak ditësh do të plasohet online, projekt ky i Institutit Demokratik të Kosovës, raporton KTV.

Pjesëmarrja në seancë, diskutimet, votimet për e kundër, harxhimet në udhëtime jashtë shtetit, deri te harxhimet për dreka e darka zyrtare do të jenë publike në «Vota ime» të KDI-së.

Përmes kësaj platforme, në KDI thonë se deputetët do të bëhen më përgjegjës e llogaridhënës karshi atyre që ua dhanë votën.

Më të kujdesshëm deputetët sigurisht do të jenë edhe në udhëtime e shpenzime, sepse nga monitorimi i KDI-së do të pasqyrohen me shifra deri në centin e fundit shpenzimet e secilit deputet jashtë vendit.

Si tejet i rëndësishëm ky projekt shihet edhe nga gazetarët që vazhdimisht e përcjellin punën e legjislativit.

Në platformën online «Vota ime» edhe qytetarët do të kenë mundësi të bëjnë pyetjet e tyre për deputetët, ndërsa aty do t’i matet edhe koha se sa do të vonojë një deputet për t’iu përgjigjur interesimit të qytetarëve.