Së pari ishte gjuha shqipe, pastaj u bë Shqipëria

Pa gjuhën shqipe si element të identifikimit kolektiv shqiptarët vështirë do të zhvillonin vetëdije të dallueshme nacionale dhe rrjedhimisht edhe shtetërore. Andaj 28 nëntori është jo vetëm festë e flamurit, por edhe e gjuhës shqipe.

Foto: Shutterstock



Kombformimin dhe shtetformimin shqiptar nuk e përthekon plotësisht asnjë teori tradicionale. Ndërsa secila etni në Ballkan identifikohej me fenë e përbashkët, shqiptarët nuk kishin një fe të tillë, por ishin të ndarë në të krishterë e myslimanë, pastaj krishterët ndaheshin në katolikë e ortodoksë, ndërsa myslimanët në sunitë dhe bektashinj (dhe këta në nëngrupe të tjera). Nuk kishin shqiptarët as shtete mesjetare si pika reference, Skënderbeu me luftën e tij kishte krijuar vetëm një lidhje mes princërve shqiptarë, por jo edhe mes territoreve të tyre. Shqiptarët e kishin vetëm gjuhën shqipe. Pa gjuhën shqipe si element të identifikimit kolektiv shqiptarët vështirë do të zhvillonin vetëdije të dallueshme nacionale dhe rrjedhimisht edhe shtetërore. Andaj 28 nëntori është jo vetëm festë e flamurit, por edhe e gjuhës shqipe.

Shumë vite para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë rëndësinë e gjuhës shqipe e kishte vërejtur John Cam Hobhouse, një mik i Lordit Byron. Ndërsa shtegtonte nëpër Ballkanin osman, Hobhouse vërente se «vetëm shqiptarët janë të vetëdijshëm për kombësinë e tyre; të gjithë popujt e tjerë të perandorisë janë të grupuar sipas fesë». Rrjedhimisht, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë i ka paraprirë shpallja e pavarësisë gjuhësore të shqiptarëve në Kongresin e Alfabetit më 1908. «Vendimi për të përdorur alfabetin latin», sipas historianit Oliver Jens Schmitt, «ka një rëndësi të madhe simbolike. Alfabeti ka diçka sakrale në vetvete, lidhet edhe me fenë. Kush shkruante latinisht tregonte një lloj përkatësie perëndimore. Është me rëndësi të theksohet se turqit tek dy dekada më vonë, më 1928, vendosën po ashtu të pranojnë alfabetin latin».

Te gjuha shqipe e shihnin rrezikun e emancipimit kombëtar të shqiptarëve si Perandoria Osmane ashtu edhe përfaqësuesit e administratës pushtuese serbe. Për shembull: fushatën kundër shkronjave latine ndër shqiptarë e mbështeti edhe Organizata e serbëve osmanë me seli në Shkup. Ajo – me miratimin e xhonturqve – atëbotë në Kosovë dhe Maqedoni themeloi celula për të luftuar alfabetin latin dhe për ruajtjen e alfabetit arab. Publicisti anglez H. N. Brailsford theksonte se «Europa ka zakonin e keq të mospërfilljes së kërkesave të banorëve muhamedanë të Turqisë europiane». Po të vendoste Kongresi i Alfabetit në Manastir që shqiptarët të përdornin shkronjat arabe, atëherë ata, sipas të gjitha gjasave, do të konsideroheshin si shoqëri që i përket vetëm zonës së interesit osman dhe arealit kulturor oriental. Andaj po aq sa janë të rëndësishëm për historinë shqiptare figurat që shpallën pavarësinë në Vlorë në fund të nëntorit të vitit 1912, po aq merita kanë edhe intelektualët e klerikët atdhetarë që më 1908 tejkaluan të gjitha dallimet dhe miratuan këtë alfabet me të cilin shkruajmë sot.

Në librin «Në Tetovë, në kërkim të kuptimit» Arben Xhaferi e shpjegonte kështu çështjen e simboleve dhe rëndësinë e tyre: «Një nga simbolet më përcaktuese të identitetit kombëtar është kapuçi. Po e ndërrove atë, me automatizëm, e ndërron edhe identitetin kombëtar. Bie fjala, nëse një shqiptar do të pranonte ta mbulonte kokën me kapuçin serb, <shajkaçën> do të identifikohej nga të tjerët si serb dhe, anasjelltas, nëse një serb do ta mbante plisin e bardhë, pa dilema do të perceptohej si shqiptar. Prandaj, këto mundësi hipotetike nuk ndodhin në realitet, pos në skena teatrore ose në filma ku kostumografi, përmes veshjes, e identifikon përkatësinë etnike të personazheve. Mirëpo, çuditërisht, këto parime nuk vlejnë për huazimet nga popujt e tjerë. Shumë shqiptarë nuk janë të vetëdijshëm se kapuçat që i mbajnë, terllëqet e famshme, u takojnë popujve semitikë, arabo-hebrenjve». E njëjta vlen edhe për gjuhën.

Sa e vështirë ka qenë ruajtja e gjuhës shqipe e tregon ky shembull i historianes Nicola Guy («Lindja e Shqipërisë»): «Kur u mblodh kabineti i shtetit shqiptar të sapokrijuar, midis marsit dhe shtatorit 1914, ai i zhvilloi punimet e tij në turqisht sepse <shqiptarët> nuk mund të kuptonin njëri-tjetrin e madje disa pjesëtarë të tij nuk dinin të flisnin shqip».

Çfarë vlente para një shekulli, s’e ka humbur rëndësinë as sot. Gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi mes shqiptarëve, ajo është edhe një urë që forcon ndjenjën e përbashkësisë pa marrë parasysh prejardhjen gjeografike të folësit. Sot kujdesi i duhur ndaj gjuhës shqipe mungon. Shkatërrimi i sistemit arsimor, rënia e autoritete të arsimtarit, kaosi medial i shoqëruar nga pazotësia e madhe e shumë gazetarëve për të shkruar afërsisht pa gabime gjuhën shqipe, depërtimi – përmes politikanëve të papërgjegjshëm – i vokabularit të mejhaneve në jetën publike, mungesa e institucioneve me autoritet që kujdesen për lëvrimin, pasurimin dhe ruajtjen e pastërtisë gjuhësore e rrezikojnë edhe sot gjuhën shqipe. Për t’u përballur me këtë rrezik duhet një mobilizim i përgjithshëm i institucioneve arsimore kudo ndër shqiptarë. Sepse gjuhë tjetër nuk kemi.