Schmunk: Bosnja dhe Kosova janë humbësit kryesorë të agresionit serb – këto vende duhet t’i kuptojmë moralisht dhe t’i mbështesim

Ish-ambasadori gjerman në Bosnjë-Hercegovinë dhe ish-shefi i Zyrës gjermane në Kosovë, Michael Schmunk, flet për «Al Jazeera Balkans» mbi strategjinë e Bashkimit Europian në rajon. Eksperti për Europën Juglindore mendon se «pa emancipimin e qytetarit» Ballkani perëndimor nuk mund të avancojë në kuptimin europian. Ai propozon që gjashtë vendet e rajonit të pranohen në BE në pako.

Michael Schmunk.



Bosnjë-Hercegovinës, e ndoshta edhe Maqedonisë, vende të cilat në kuptimin objektiv e atë politik ndodhen në situatë më të vështirë të anëtarësimit nga gjashtë vendet e rajonit, Strategjia e re për Ballkanin Perëndimor nuk u ofron gati asgjë që do të mund t’u jepte nxitje të matshme e të dukshme drejt anëtarësimit, thotë në intervistën për «Al Jazeera Balkans» ish-ambasadori i Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe ish-shefi i Zyrës gjermane në Prishtinë Michael Schmunk. Eksperti për Evropën Juglindore mendon se «pa emancipimin e qytetarit» Ballkani Perëndimor nuk mund të avancojë në kuptimin europian, dhe se gjashtë vendet e këtij regjioni do të duhej të pranohen në BE në paketë.

Para do kohe keni thënë se vendet e Ballkanit perëndimor vetëm në pako kanë mundësi për pranim në Bashkimin Europian, duke shprehur me këtë dyshim ndaj të ashtuquajturit parim i regatës. Pse?

Që nga pëlqimi për zgjerim, kur janë në pyetje vendet e Ballkanit Perëndimor, në Selanik në qershor 2003 (ish-Jugosllavia e Shqipëria) ka kaluar mjaft kohë, gjatë të cilës as Bashkimi Europian, e as shtetet e përmendura nuk kanë përparuar esencialisht. Ndonëse Sllovenia e Kroacia ndërkohë janë pranuar në BE, këto vende nuk shfaqin gjithmonë pamje pozitive ndaj BE-së. Po ua përkujtoj kontestin e Kroacisë e Serbisë mbi të kaluarën e përbashkët të luftës, situatën në lidhje me sundimin e ligjit në Kroaci, si edhe kontestin kufitar të Sllovenisë e Kroacisë në Gjirin e Piranit. Edhe projekti kroat i ndërtimit të urës në kufi me Bosnjë-Hercegovinën (ura e Peleshacit) financiarisht nuk është i kuptueshëm dhe në të as që shihet sjellje miqësore, si i ka hije BE-së. Edhe paraqitjet e anëtareve të sotme të Bashkimit Europian, Bullgarisë e Rumanisë, nga pranimi i tyre i befasishëm e deri sot, kohë pas kohe kanë shkaktuar kritika, për shembull në fushën e shtetit të së drejtës.

Këta shembuj po i përmendi për të treguar se BE në përgjithësi më shumë se kurrë duhet të shikojë që problemet e këtij lloji të zgjidhen para pranimit përfundimtar. Bashkimi Europian, për shkak të krizës institucionale e cila po zgjatë tashmë një kohë, përçarjet e brendshme politike dhe mungesën e solidaritetit, nuk është në gjendje t’i zgjidhë në mënyrë «interne» këto lloj problemesh e kontestesh pas pranimit. Është befasuese që kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker më 6 shkurt 2018 prezantoi Strategjinë e re për Ballkanin Perëndimor, e cila, mes tjerash, Serbisë e Malit të Zi për herë të parë ua jep datën konkrete për pranim – 2025-ën. Deri më tash ai ka përjashtuar mundësinë e pranimit të gjashtëshes në periudhën vijuese apo kjo perspektivë ka qenë shumë e mjegulluar.

Edhe në Strategjinë «e re» Komisioni llogarit në të ashtuquajturin parim i regatës: anija më e shpejtë e fiton garën – kush i plotëson të gjitha kriteret për anëtarësim dhe kjo të mjaftojë për Brukselin, ai do të pranohet. Nga perspektiva e Brukselit Serbia e Mali i Zi qartas janë para të gjithëve, Bosnjë-Hercegovina e Kosova janë të fundit. Këto vende, si një vend, Serbia e Mali i Zi, kanë krijuar struktura administrative, përfaqësi diplomatike, ndërsa kanë marrë edhe resurse tjera. Kjo do të thotë se dy vendet (Serbia e Mali i Zi), të cilat janë krijuar me shpërbërjen e Jugosllavisë e në të cilat popullata është relativisht homogjene, mund të bëhen anëtarë në këto kushte të lehta. Për këtë ekziston vullneti, jo gjithmonë i kuptueshëm, i Brukselit dhe i disa vendeve anëtare. Duket se fakti se këto dy shtete (atëherë një) kanë qenë përgjegjëse për tmerret e luftës në Jugosllavi është lënë anash në këtë proces burokratik.

Sa është real pranimi i përbashkët i vendeve të regjionit në BE në këtë çast, duke marrë parasysh dallimet ndërmjet shteteve?

Nuk mund dhe nuk guxon të ketë raunde të reja të zgjerimit deri sa të gjitha vendet kandidate të mos i zbatojnë reformat e nevojshme dhe t’i plotësojnë kriteret e qarta – kjo nënkuptohet. Por, sikur të ndiqet logjika e Komisionit Europian, atëherë kjo në fund do të thoshte se, për shembull, vendet si Bosnjë-Hercegovina e Kosova nuk do të kishin gati kurrfarë gjasash, së paku shikuar në afat të gjatë, të realizojnë anëtarësinë e plotë: problemet e brendshme etnike dhe konfliktet e gjata me Serbinë e serbët në të dy vendet e bëjnë anëtarësimin pak të besueshëm nga perspektiva e sotme, ndonëse zgjidhjen politike kurrë nuk duhet përjashtuar. As kontesti i Maqedonisë e Greqisë për emrin nuk i jep perspektivë optimiste vendit më jugor të Ballkanit perëndimor.

Po ashtu pyes: çka nëse Serbia e Mali i Zi ia dalin ta realizojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe atëherë me anë të vetos së tyre pengojnë anëtarësimet tjera të gjashtëshes ballkanike? Të gjitha këto flasin kundër parimit të ashtuquajtur të regatës. Nëse është dëshirë që për shkaqe politike-strategjike dhe shkaqeve të cilat kanë të bëjnë me stabilitetin e sigurinë europiane Selaniku të bëhet realitet për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë duhet menduar për «zgjidhjen në pako»: sepse vetëm të gjitha gjashtë vendet bashkë mund të kalojnë përmes vendimeve politike të vendeve anëtare, 27 parlamenteve të tyre, të bëhen anëtare me të drejta të plota. «Më të shpejtit» kështu do të jenë të motivuar t’u ndihmojnë «të ngadalshmëve» nga solidariteti dhe konfliktet e vjetra (etnike, gjeografike e të luftës) t’i lënë mënjanë. Gjashtë vende të Ballkanit do të duhej që për këtë gjë të paraqiten bashkërisht në 27 kryeqytetet pas gjithë atyre ndryshimeve strukturore në Bashkimin Europian, pas krizës financiare dhe të refugjatëve, nacionalizmit e popullizmit, që tash këto vendime i marrin 27 parlamente e jo, si më parë, komisioni teknik. Kur janë në pyetje këto vendime, pesha e këtij komisioni do të jetë më e lehtë se sa ka qenë rast në të kaluarën.

Nuk është realiste, thënë më mirë, është e përjashtuar që Serbia deri në vitin 2025 do të anëtarësohet, e deri atëherë të mos e ketë zgjidhur çështjen e Kosovës dhe atë në mënyrë që të jetë e kënaqur Prishtina e Brukseli dhe 27 kryeqytetet. Gjashtëshja ballkanike, duke pasur parasysh perspektivën e dobët të të gjitha këtyre vendeve, duke përfshirë edhe Serbinë, vështirë se do të vendosë të provojë bashkërisht, por megjithatë mendoj se kjo është e mundur. Bashkimi Europian (por edhe ShBA-ja, e cila ende ka përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor dhe ende dëgjohet), duhet t’u ndihmojë të gjitha këtyre vendeve dhe të harxhojë më mirë mjetet financiare se në të kaluarën. Atëherë gjashtëshja duhet të tregojë në të gjitha 27 kryeqytetet se në cilën mënyrë dëshiron të ketë sukses dhe t’i plotësojë të gjitha kriteret dhe pse pranimi në pako është fitim për stabilitetin dhe sigurinë.

Veçanërisht keni theksuar Bosnjë-Hercegovinën e Kosovën, duke vlerësuar se situata politike në këto vende është më e komplikuara. Edhe në strategjinë e publikuar para do kohë të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimore këto dy vende janë gjetur në «vagonin e fundit për BE». Si e vlerësoni Strategjinë e BE-së, sidomos pjesët të cilat kanë të bëjnë me Bosnjë-Hercegovinën e Kosovën?

Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, e ndoshta edhe Maqedonisë, vende të cilat në kuptimin objektiv e atë politik ndodhen në situatë më të vështirë të anëtarësimit nga gjashtë vendet, Strategjia e re për Ballkanin Perëndimor nuk u ofron gati asgjë që do të mund t’u jepte nxitje të matshme e të dukshme drejt anëtarësimit. Bosnjë-Hercegovina e Kosova, vende të cilat nuk janë etnikisht homogjene dhe në të cilat shumica janë myslimanë, janë humbësit kryesorë të agresionit serb. Për Europën, sipas mendimit tim, historikisht e politikisht do të ishte katastrofale sikur myslimanët, të cilët kryesisht shquhen për islam të moderuar, «të humbin luftën» për herë të dytë. Këto vende jo vetëm se u nevojitet t’i kuptojmë moralisht, por edhe t’u ndihmojmë e t’i mbështesim.

Por, kjo nuk do të thotë se elitat politike nga fundi i luftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë e deri më tani duhet të lirohen nga përgjegjësia. E kundërta: ato kanë bërë tepër pak që shtetet e tyre të shkojnë përpara me përgjegjësi e vetëmohim. Elitat, qeveritë dhe parlamentet janë fajtorët kryesorë pse gjendja e përgjithshme e atyre vendeve – politike, ekonomike dhe e drejtësisë – është larg nga standardet e Bashkimit Europian dhe pse perspektiva për të rinjtë atje është aq tronditshëm negative. Por, edhe popullatë në ato vende, votuesit, shoqëria civile, nëse ajo fare ekziston dhe nëse mund ta quajmë të tillë, po ashtu ka faj, gjë që gjithmonë anashkalohet. Duhet përfundimisht të zgjohen dhe të zgjedhin sipas standardeve europiane-perëndimore. Nuk guxojnë të lejojnë që liderët e vetëquajtur, të cilët, kinse përfaqësojnë interesin e tyre etnik, të frikësojnë, Pa «qytetarin e përgjegjshëm» Ballkani Perëndimor nuk mund të avancojë në kuptimin europian.

Është paralajmëruar se kontesti i Kosovës e Serbisë këtë vit mund të marrë epilogun përfundimtar. Deri sa një pjesë e politikanëve europianë thonë se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së, të tjerët thonë se BE-ja nuk e kërkon këtë nga Serbia. A prisni ju zgjidhje përfundimtare të këtij kontesti në vitin 2018?

Serbia do të mund të pranohet në BE vetëm pasi të jenë zgjidhur të gjitha çështjet, e sidomos «meta-çështjet». Qeveria e Gjermanisë njëherë e ka treguar këtë me rastin e prezantimit të Strategjisë «së re» për Ballkanin Perëndimor, që duhet të mbështetet në tërësi. Pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kjo sigurisht nuk do të bëhet. Kurse mendimet e disave se Kosova nga perspektiva e beogradasve (apo e disa europianëve) është pjesë e Serbisë dhe se në rast të anëtarësimit të Serbisë do të «tërhiqet» i përkasin fushës së fantazisë. Këtë, natyrisht, e dinë edhe në Beograd.

Edhe politikanët me aspirata europiane në Prishtinë duhet ta kenë afër zemrës integrimin në BE. Bashkimi Europian do të bëhet realitet vetëm atëherë kur të dy palët të bëjnë hapa drejt njëra-tjetrës dhe këtë ta shndërrojnë në marrëveshje. Deri atëherë do t’i shikojmë sukseset dhe rëniet e të dyja palëve. Më duket se koha për këtë ende nuk është pjekur, se ende nuk kemi udhëheqje mjaft të aftë, por madje as presion demokratik të qytetarëve e votuesve.

Çfarë interesi në Ballkan, sipas mendimit tuaj, ka Rusia?

Turqia, Rusia, por edhe disa vende të Lindjes së Afërme e të Mesme po tregojnë, pos Europës e Amerikës Veriore, interes politik për këtë regjion. Fjala është për interes gjeopolitik, minimin e Perëndimit, Bashkimit Europian dhe vlerave kulturore perëndimore. Mjetet për realizimin e këtyre interesave në shumicën e rasteve janë të dukshme. Shembuj janë politika energjetike e infrastrukturore apo religjioni. Madje sërish paraqitet «lidhja historike», siç shihet në rastin Rusia-Serbia. Vehabizmi, në veri të Bosnjë-Hercegovinës, po fiton në fuqi me mbështetje nga jashtë. Regjioni po mbetet jostabil, i brishtë dhe i pasigurt në çdo pikëpamje: kjo lehtëson ndikimin nga jashtë. Është mu Moska ajo që e ka kuptuar këtë. Po kërkon t’i godasë BE-në e NATO-n dhe t’u shkaktojë dëme. Çdo anëtar i ri i këtyre organizatave nga perspektiva ruse paraqet goditje për ambiciet e Moskës. Shembuj të prekshëm janë zgjedhjet në Mal të Zi. Për shkak të kësaj, para së gjithash Bashkimi Europian duhet të punojë më shumë në atë që të krijojë gjëra të prekshme në mënyrë që t’u kundërvihet këtyre tentimeve.