Sarajevë




Ndoshta s’është një poezi, por të paktën thashë atë që ndjej

Tashmë që vërtet revolucioni duhet, ata që dikur
ishin aq të zjarrtë, prehen krejt të qetë.

Ndërsa një vend i vrarë dhe dhunuar thërret për ndihmë
nga Evropa të cilën e kanë besuar, prej andej thjesht
gogësimë.

Ndërsa burrat e shtetit zgjedhin poshtërsinë dhe asnjë zë
s’ngrihet që i thirret emri.

Rebelimi i të riut që kërkoi një tokë të re ishte një
mashtrim, dhe ajo gjeneratë ka shkruar verdiktin mbi vetvete,

duke dëgjuar me indiferencë vajtimin e atyre që vdiqën
sepse janë mbi të gjitha thjesht barbarë që vrasin sho-shoqin
dhe jetët e mirëushqyera janë të vlefshme shumë
më tepër sesa jetët e zorrëtharëve.

Është zbuluar tani se Evropa e tyre qysh nga fillimi ka
qenë një mashtrim, për besimin dhe krijimin e tij është
asgjëja.

Dhe asgjëja, ashtu si vazhdon të thotë profeti, sjell tutje
vetëm asgjënë, dhe ata do të drejtohen edhe njëherë tjetër
si bagëtia në kasaphanë.

T’i lemë ato të fërgëllojnë dhe në atë moment të fundit të
kuptojnë se fjala Sarajevë do të ketë të bëjë nga tani me
kuptimin e shkatërrimit dhe përuljen e bijve dhe bijave të tyre.

Ata e përgatisin duke përsëritur: «Të paktën jemi të sigurt»,
pa ditur se çfarë tamam po u prishet në maturinë e tyre.

Përkthyen: Pandeli Çina, Ben Andoni