Sahiti: Me shpifje ndaj Haradinajt, Muhaxhiri do harrimin e Demarkacionit

Kryetari i AAK-së në Pejë, Naim Sahiti, në Interaktiv të KTV-së ka folur për akuzat e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri ndaj Ramush Haradinajt.




Ai tha se Muhaxhiri këto akuza i ka personale, ngaqë mes partive politike nuk ka marrëdhënie të këqija dhe se ai ka shpifur, sepse kjo është strategji e tij që nuk do t’i funksionoj më, transmeton Koha.net.

Sipas Sahiti, Muhaxhiri është konfuz ngaqë dikur e ka pritur si njeri i parë Ramush Haradinajn në Pejë pasi është kthyer nga Haga, kurse tash hedh akuza ndaj tij.

Sahiti tregoi se ku është synimi i Muhaxhirit për të shpifur.

«Ka qenë një akt që nuk pritet nga kryetari i komunës, por ky kryetar ka synim të shpifë dhe të tërheqë vëmendjen nga temat kryesore, që janë Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ne Kosovë, por është edhe arsyeja tjetër sepse elektorati i Pejës është dëshpruar nga kryetari Muhaxhiri», tha Sahiti.

Ai më pas tha se qytetarët e Pejës nuk do ta pranojnë kurrë atë formë të Demarkacionit me Malin e Zi dhe se komisioni nuk i ka marrë parasysh konkluzionet e Asamblesë Komunale të Pejës.

«Asambleja Komunale në Pejë ka nxjerrë konkluzione dhe se kemi thënë që kjo formë e kufirit është e papranueshme dhe kjo nuk është marrë parasysh», shtoi Sahiti.

Ndërsa për qeverisjen Komunale Sahiti ka thënë se Muhaxhiri i punëson vetëm anëtarët e LDK-së, dhe këtë e ka thënë edhe publikisht.

«Ai punësimet i bën me kontratë mbi vepër, si në Komunë ashtu edhe në shkolla», tha Sahiti.