«Sagen, was ist!» – nji reagim anakronik i «Der Spiegel»

Ilustrimi Shutterstock



Rrugët janë plot njerëz. Edhe nëse nuk je tue u ngutë me mrri najkun, ngutia e tyne tue dalë e hy prej nji dyqani në tjetrin, të merr me vete në nji udhëtim të sikletshëm festash. Festat janë arsye për me u gzue bashkë me ma të afërmit. Pse gjithë ky siklet, nuk di bash me e thanë. Ndoshta, sepse kahdo që këqyri shoh mashtrim. Merr dy, paguej nji. Mashtrim. Zbritje kaq e aq për qind, vetëm për Krishtlindje. Mashtrim. Me këtë dhuratë shprehet dashnia. Mashtrim. E veçantë, veç për ty, se ti e meriton. Mashtrim.

Tue u mundu me i ikë mashtrimeve të tilla, e shoh, në qosh të nji rruge të nji qyteti të lezetshëm britanik, nji grue rreth të katërdhetave që e ka kapë nji mikrofon në dorë dhe po bërtet. Dy zmadhues mbi nji karrocë me rrota i rrijnë përskej. Nji kapelë me cilindër të thellë qëndron në tokë para kamëve të saj. Ajo, tue e afrue gojën të mikrofoni, jo shum afër, as jo shum larg, taman, që po get dëshmon përvojë në këtë punë, po bërtet në kupë të qiellës: Jezusin nuk keni me e gjetë në qendrën tregtare, as në vizëllimën e letrave me të cilat mbështjellni dhuratat për Krishtlindje për ma të dashunit e ju. Un ju tregoj ku asht Jezusi. Këtu. Këtu. Dhe tek thotë këtu për herë të tretë, tue i mëshue gjoksit të vet me dorë, thue se asht tue u mundue me i ba vetes ringjallje kardiopulmonare (CPR shkurtë), nji grue e gërbavtë afrohet e ia lëshon do pare në kapelën e thellë, që ma shum ngjanë me nji gyp uji, sesa me nji kapelë, për me e thanë të vërtetën. Të vërtetën tem. Sepse, nji kapelë asnjiherë nuk mundet me qenë gyp uji, le të duket qysh të do. Pikë. Ndërkohë, që ajo fton njerëzit «me e gjetë Jezusin» në kapelën e saj, un mendoj me vete: qe edhe nji pus mashtrimi ku njerëzit hyjnë tue mendu që po hyjnë vullnetarisht. Dhe krejt çka duhet, ast nji mikrofon dhe nji kapelë para kamëve. Ky mashtrim nuk vjen as i zbukuruem dhe prap mbushet. Mendoj un. Sa njeri mashtrohet, tue i besu tjetrit. E megjthatë, kurrgjo nuk na shitet ma shum ngado sesa ideja: beso!

Ditëve të fundit «Der Spiegel», nji institucion gjigand në fushën e gazetarisë, asht tue u përballu me nji krizë të madhe që ia ka shkund themelet e identitetit. Ose ashtu po thonë ata. Dhe jo rastësisht, mbrojtja e tyne, e cila padyshim asht nji ballafaqim psikologjik që nxjerr në pah terrorin emocional që po e përjetojnë, ose ashtu po thonë ata, kapet për atë fije identiteti të përthekuem në tre fjalë nga themelsuesi i gazetës: «Sagen, was ist!» (Me thanë, çka asht!). Tek këto fjalë, duket sikur mundohen me e rigjetë besimin në veten tue ia theksu, ma së pari vetes, e tani edhe të tjerëve, ligjitimitetin historik të vlerës së vetes prej fillimit të krijimit e deri sot. Por, në krejt reagimin e deritanishëm, transparencë andej ose këndej, të mashtruem, e të mllefosun pa dyshim, po si ushtarë të armatosun me fjalë deri në dhambë, nga vetëbesimi nuk kisha thonë që po duket sikur po vuen shum najnjani prej tyne. Dhe këtu kam parasysh prej letrës të gjatë e shum poetike të kryeredaktorit deri tek raportimi i gazetarit që zbuloi rastin (që duket ashiqare që asht këshillu detajisht sa me tregu e sa mos me tregu, prej krejt të vërtetës të tij) gati se të gjitha reagimet publike të «Der Spiegel» deri më tani.

Gazetat serioze mujnë e duhet me e synu me e pasë besimin e lexuesit në profesionalizmin e tyne, por me e pozicionu veten si të pagabueshëme me kërku besim të verbër të lexuesit, sikur që po bajnë edhe në reagimin ndaj rastit në fjalë, asht mashtrim në vete. Këta duhet me e synu nji lexues që mendon, që dyshon, e jo nji që beson që gazetarët nuk rrejnë. Sepse, gazetarët kanë rrejtë e mashtru edhe para Relotius. E do të rrejnë e mashtrojnë edhe pas. Kod etik ose jo, gazetarët janë njerëz. Gazetaria asht profesion. E si në çdo profesion edhe në gazetari kanë me përfundu njerëz për arsye ma të ulta të mundshme, e jo aq fisnike sikur «vlera e demokracisë; mbrojtja e të vërtetës; lufta për barazinë në botë etj.» (Për fat të keq!)

Pra, «sagen, was ist», po, por s’kish me qenë keq murit të redaksisë së «Der Spiegel», e pse jo edhe të tjerëve, dhe çdo titulli që botohet nga të gjithë, me ia shtu edhe nji «hinterfragen, was ist!» Mos beso! Dysho! Nji porosi e sinqertë parimore për lexuesin ma së pari.

Përnjiherë, «Der Spiegel» e gjen veten si personazh në shkrime të kolegëve të gazetave tjera, dhe kjo nuk asht e lehtë me u durue natyrisht. Gjithë aj ekspozim, me të lavdue dikush ani të lodhë, e le ma me të kritikue e me t’i analizue prej çdo ane gabimet që i ke ba. Por, nëse përgjigjja e «Der Spiegel» ndaj kësaj, si strategji mbrojtjeje, asht me kontrollu narrativën e këtij raportimi përmes pjesëmarrjes sa ma të zashme direkt prej zyreve qendrore të gazetës, pytja asht: sa asht profesionale (pavarësisht krejt ngjarjes) që nji institucion me krejt arsenalin e vet me iu sulë nji njeriu pa e kthy ma së pari gishtin kah vetja? A asht qëllimi me vu drejtësi në vend, apo me u hakmarrë? A asht qëllimi me «sagen, was ist» (me e thanë, çka asht) apo me kontrollu, çka asht?

Jemi dëshmitarë të kohës qysh gazetat çdo herë e ma shum, nuk shkrujnë veç për me informu, por për me bombardu. Vëmendja jonë mashtrohet qysh në titull. Në faqet e para nuk vendosen domosdoshmërisht shkrimet ma të randësishme, ato që të shtijnë me mendu, por ato ma bukur të shkrume, ato që të shtijnë me i ble dhetë faqet tjera si kolateral. Dhe dorën në zemër, realiteti shpesh herë asht «i bajatshëm». E kurrgja nuk tingllon ma bukur se me e ngjyrosë pak këtë realitet me muzikë e lutje, e me aroma e tinguj, për me e mashtrue konsumatorin (sepse, lexuesi qashtu po shihet sot) prej «bajatizmit» ku jeton.  Pra, kjo asht kërkesë që vjen prej strukturave të brendshme përmes presionit ndaj gazetarit me u ba «poet» që me e meritu faqen e parë (nënkupto: në daç me vlejtë mundi yt) dhe ky presion vjen edhe prej komisioneve që shkepin çmime.

Deri tek fonti që përzgjedhet për titullin, gjithçka ka potencial mashtrimi, edhe kur ajo çka thuhet asht në vetvete fakt në kuptimin e plotë të fjalës. Më kujtohet qysh me shpërthimin e valëve të refugjatëve nga Siria (kryesisht nga Siria) drejt Europës perëndimore (kryesisht perëndimore), fillimisht u folë për refugjatë të luftës, pastaj këta refugjatë fillun e u banën migrantë; tani u banën kriminelë, tani kahnjiherë viktima, kahnjiherë shfrytëzues, azilkërkues, përdhunues, numër shum i madhë, prap refugjatë, e tani migrantë, azilkërkues, problem, krizë, krizë, krizë etj. Gazetat në shërbim të politikës ditore. Që lexuesi kupton diçka tjetër kur lexon «refugjatë» e diçka tjetër kur lexon «migrantë», gazetarët e dijnë këtë. Pra, nuk asht vetëm e vërteta e fakteve, por edhe mënyra qysh i quejnë këto «të vërteta», kur kanë opsione të ndryshme me i emnue pa u akuzue për mashtrim, aty ku fillon mashtrimi.

Shiko vetëm artikuj e shumtë rreth krimeve të këtyne refugjatëve, me e pa qysh ta japin përshtypjen që Evropën e ka kapë nji epidemi kriminale sikur kurrë ma herët. Rritje të tilla raportimesh ka pasë edhe për refugjatët nga shtetet e ish-Jugosllavisë. Për disa vite me radhë, gjatë viteve të 90-ta (kryeisisht të 90-tat) ke mujtë me e pasë përshtypjen sikur burgjet e Gjermanisë janë të popullume veç me shqiptarë. Që asht rritë numri i raportimeve, nuk kam dyshim. Por kjo rritje e raportimeve të tilla, asht nji mashtrim në vete që shtrambëron realitetin, pa pasë nevojë «me rrejtë». Naj gjerman nashta asht tue thanë me vete diku: shyqyr qw po vijnë këta të huejt, se tani jishim dashtë me shkrujtë për përdhunuesit vendorë.

Gazetat e dijnë çka shitet ma shum, dhe ato kanë me publiku ma shum çka shitet ma shum. Ma shum shiten tregimet për budallakinat e Trump-it, sesa krejt argumentimet logjike të Hilary-t kundër politikave të Trump-it. Kurrkush nuk mundet me e mohu rolin ndihmues (për mos me thonë fajin) të mediave (edhe të atyne që nuk e përkrahnin, por që e dinin që tue raportu për budallakinat e tij shesin ma shum) në fitoren e Trump-it. Ky asht lloji i mashtrimeve për të cilin të gjithë bashkë, përfshi Der Spiegel duhet të marrin përgjegjësi e të shqetësohen.

Ndoshta tue marrë mësim prej skandalit rreth rastit Relotius, jo, pardon,  në fakt duhet të jetë rreth rastit «Der Spiegel», nuk asht ide e keqe nëse gazetat e ndryshme e shfrytëzojnë rastin me e ridefinu pak veten si shtyllë të randësishme të mbrojtjes së demokracisë, tue e theksue raportin që kanë me shitjen si faktor, me famën, me çmimet, me politikën, aq ma shum tash tue pasë parasysh zhvillimin e botës digjitale që e ka rritë presionin e gazetave për me mbijetu.

Që paska mashtrue Relotius po na dëshmohet që asht nji fakt, por, çka Der Spiegel e të tjerët nuk kanë me na e thanë asht: sa arriti Relotius me u ba nji prej gazetarëve ma të suksesshëm të Der Spiegel e i Gjermanisë, pikërisht përshkak të mashtrimeve që i ka ba? Dhe pse ashtu? Dhe kush ka përgjegjësi për këtë?

Relotius ishte gazetarë i madh. Siduket edhe rrenc i madh. Por s’asht problemi aty. Relotius ishte gazetar i madh me çmime të mëdhaja. Dhe këtu asht problemi kryesor. Der Spiegel nuk ka me e thanë kështu asnjiherë. Ndërkohë që bota po këqyr kah Der Spiegel me e kuptu qysh nuk e kanë pa ma herët mashtrimin e tij sistematik, pytja asht, qysh nuk e kanë pa ata që i dhanë çmime, gjithashtu? Kthehemi tek «hinterfragen, was ist»! Asnji e vërtetë nuk mësohet pa pytje të dhimbshme.

Shkrimet e Relotius janë ndër të tjerash, përplot paragjykime kulturore. Aty ku Relotius fillon e fantazon në shkrimet e tij, ai bjen viktimë e injorancës dhe arrogancës së tij përballë popujve e kulturave për të cilat kinse raporton. Në shkrimet e tij protagonistët jo rrallë kanë emna njerëzish që nuk i përshtaten kulturës të atj vendi, por janë nji kombinim arbitrar e qesharak i realitetit me imagjinatën e Relotius. Imgjinatë e cila edhe si e tillë, vunë varfnisht prej mosdijes. Por pytja nuk asht qysh mujti ai me rrejtë, pytja asht: a asht e mundshme që shkrimet e tij u pëlqyen e nuk u dyshuen, sepse e përmbushnin paragjykimin e lexuesve për njerëz të tjerë, popuj të tjerë, kultura tjera, tue përfshi këtu si lexues edhe ata që vendosën për çmimet që ia dhanë? Ndoshta, paragjyimet e tilla në tregime populiste për njerëz që nuk e kena idenë as qysh iu tingllojnë emnat, konfimojmë njifarë ndjenje superioriteti tek lexuesi (tue përfshi këtu si lexues edhe ata që i dhanë çmime Relotius) dhe janë të dëshirueshme përtej dëshirës me dijtë të vërtetën. Ndoshta, bota atje jashtë, ajo që u takon njerëzve tjerë për të cilët nuk dijna kurrgja (dhe nuk dojna me dijtë), asht nji përrallë në vete, hala pa u shkrue, dhe nuk na intereson për me mësue diçka prej saj, por na mjaton veç për me u argëtue?! Shkrimet gatuhen për nji ide të caktume të lexuesit. Redaksitë e mëdha si kjo e Der Spiegel nuk notojnë në dete të panjoftuna lexuesish. Ata e njohin lexuesin e tyne mirë. Edhe kur nuk e njohin mirë gazetarin e tyne.

Vala e refugjatëve nga Siria dhe shtete të ndryshme të Afrikës, nji herë nuk e mbaj në mend që u quejt me germa të mëdhaja diku: krizë humanitare! (por kjo mundet me qenë përshkak se un s’kam lexu mjaft. Kërkoj ndjesë!). Sidoqoftë, prej «valë refugjatësh», kjo katastrofë humanitare që na e shtrijti dorën, përfundoi në «krizë migrimi» dhe këtu tue gjetë politizimin e duhun, mbet viktimë e numrimit politik, që në fund, natyrisht, edhe falë gazetarëve, lujti rol shum të randësishëm në rritjen e të djathtës në mbanë Evropën e kushtimisht hiç ma pak edhe në rezultatin e referendumit britanez për Brexit.

Kur i lexova disa nga shkrimet e Relotius sa për me e kriju nji ide, pa ekzagjerim më duhet me thanë, që ma lanë nji shije në kuptimin e plotë të fjalës, të nji përshkrimi shum klishe të kulturave, ose njerëzve të kategorive të ndryshme, për të cilët bajke fjalë shkrimi. Un s’po habitna që ai ka rrejtë, por që qenka vlerësu kaq shum edhe kur nuk asht dijtë që ka rrejtë, më habiti asht mase. Për pak mendova, pse s’po bona edhe un gazetare. Fantazi kam boll. Plot fjali të shkrimeve të tij, isha në gjendje me i mshelë sytë e me e vazhdu fjalinë në kry tem e me ia qëllue. E keni paraysh sikur në ato filmat me skenar të dobët, ku e dinë prej fillimit çka ka me u bo, edhepse nuk e ke pa filmin. Ose si roman, që e përbinë mes stacioneve të trenit rrugës për në punë, dhe e harron me qëllim në ulësen e trenit e tani të dhimbset personi që ka me e gjetë. Nashta edhe vet në tren e ke gjetë. Ndërthurrja ishte e tillë që me të marrë me vete në nji udhëtim «aventuresk» (ose «argëtues»), e jo me të informu. Shkrimet e tij, në mënyrën qysh rrëfehen si ngjarje që kanë ndodhë (ose nuk kanë ndodhë) i shkojnë për vije klishesë të nji bote ku protagonisti asht skajshëm «gjynah»; ose skajshëm «budallë»; ose skajshëm çka të do, veç jo «mesatar» si na.

Pyetja që «Der Spiegel» në këtë pikë duhet me ia ba edhe vetes edhe të tjerëve asht, qysh mujtëm me i vlerësu kaq shum, edhe me çmime këto shkrime në këtë masë pa dyshue kurrë, bile pak, sa shum paragjykime «tipike» përmbanin ato? Mu si lexuese ma shum se mashtrimi i Relotius, këtij, dhe cilitdo që vjen pas këtij, më mllefosë mashtrimi i komplet nji industrie që më vlerëson aq pak si qenie intelektuale e sistematikisht ushqen dhe prandaj edhe e vlerëson me çmime stilin e përshkrimit të botës (edhe luftës e le ma ngjarjeve të tjera) me lojë psikologjike fjalësh tue dashtë me «më hipnotizu» drejt konsumimit të gazetës të tyne, e jo me më informu. Kurrqysh me më ba ma të dijshëm.

Nuk asht fshetësi, që gjithçka çka thuhet e përshkruhet me fjalë përmbanë në vetvete nji potencial mashtrimi, e në gazetari (por jo vetëm) ky potencial rritet kur qëllimi asht ma shum se me tregue të vërtetën, me e shitë tregimin (për me e shitë gazetën). Relotius u dëshmu që asht shitës i mirë i tregimeve. Pra shitës i mirë i Der Spiegel. Por nuk ban me u harru, që Der Spiegel iu ka gzu suksesit të Relotius, sepse e ka përkthy në sukses të vetin. Dhe ky sukses, pra suksesi i Der Spiegel ishte arsyeja pse nuk e dyshuen kurrë Relotius, e jo suksesi i Relotius në vetvete, qysh po argumentohet nga Der Spiegel. Duket sikur me qenë e njajta po nuk asht. Sepse, perceptimi i Der Spiegel për suksesin e vetes tregon diçka për pozicionimin e Der Spiegel me gazetarinë dhe rolin e gazetarisë në përgjithësi. Relotius nuk u dyshue, sepse Der Spiegel ka humbur aftësinë me dyshue në veten. Pikë. Këtu gazetaria ka kohë që po lëkundet.

Shitja asht ba aq e randësishme, konkurrenca digjitale aq e madhe, saqë edhe kur të paraqitet nji e vërtetë e plotë, pytja që duhet me e ba na asht, pse bash ajo e jo nji tjetër? Qysh zgjidhet nji e vërtetë me u ba tregim i randësishëm për me e nda me botën? Çka po du me thanë asht, i ashtuquejtuni skandali i Relotius, për moszbulimin kaq kohë të gjatë të mashtrimeve të të cilit fajin e mbanë Der Spiegel po aq sa konkurrenca dhe ata që ia dhanë çmimet, asht veç nji e vërtetë tjetër, përballë nji skandali që po e jetojmë përditë na si «konsumatorë» të gazetarisë, e nuk e paraqet hala kurrkush në faqe të parë të fletave të veta. Gazetaria a ka obligim ma shum se veç «me thanë, çka asht», «me e dijtë pse po e thotë, atë çka asht» që bota me qenë nji ma e drejtë, e jo që gazetat e tyne me u shitë ma shum. Por, gazetaria çdo herë e ma shum po i ngjanë mashtruesës me mikrofon që edhe «Zotin e të gjithëve» don me e shitë me pare, ndërkohë që ua tërheq vërejtjen njerëzve për mashtrimet në qendra tregtare.

Po, «sagen, was ist», por, në derë të secilës redaksi në botë, dikush duhet ndoshta me e shkrue, gjithashtu: «was nicht gesagt ist, ist nicht; unsere Verantwortung ist aber immer»! Si kujtim për përgjegjësinë morale që ka gazetaria me e mbrojtë botën prej «nuk e kena dijtë» dhe si përkujtim për përgjegjësinë që e ka njeriu/shoqnia kur bota bahet e padurueshme, sepse aj/ajo ka dështue me e mbrojtë.

Sepse, kështu (kam qef me besu) kishim me e kuptu ma mirë përgjegjësinë kolektive si evropianë: mas tmerrit të luftës së dytë botnore, qysh mujti me ndodhë gjenocidi në Bosnje?; e pse mas gjenocidit në Bosnje, megjithatë ndodhi gjenocidi në Kosovë?; pse lufta në Gjeorgji thuej se nuk ka ekzistue?; pse nji mohuese e gjenocidit ma të madh në Evropë pas luftës së dytë botnore, tolerohet?; pse pavarësisht kritikave përrallore për të drejtat e njeriut, edhe përballë vrasjes së nji kolegu të gazetarisë, edhe përballë luftës në Jemen, që Perëndimi i shet armë hala me t’njajtin lezet Arabisë Saudite e Emirateve nuk asht lajm i përditshëm në gazeta të Evropës deri sa të pushtohen rrugët me protestues?; Qe nji skandal i vërtetë.  E shum pse-ja tjera.

Për me e thanë me pak fjalë: me thanë çka nuk ishte, asht krim mjaft i madhë, por mos me u thanë çka ishte, asht gjithashtu krim shum i madhë. E «skandali» Relotius, sado tragjik, kam përshtypjen s‘po përjetohet rand vetëm përshkak faktit që aj ka rrejtë, por përshkak se atij i janë dhanë aq shum çmime. Pra, nuk po kahet drejtësia këtu, aq sa po kahet viktimizimi i vetes. Po du me thanë, tipike, por nuk e po thom, sepse e di që s’asht e drejtë me i shti krejt me nji thesë. Tipike nuk ekziston. Anipse shumica e shkrimeve të Relotius ishin fort tipike «holivudiane» (vërejtje: Holivudi ka prodhu edhe filma fort të mirë.) e reagimi i «Der Spiegel» tash asht tipik anakronik, dhe duket sikur asht ndalu në nji botë moralizimesh ku marrja e përgjegjësisë (ose llogaridhanja) asht hutu me nji betejë fjalësh që synohet me u fitu tue u ulë në rresht të parë në bankën e viktimës të komplet të paditunit, ama shum të mençunit, e komplet të prambrojtunit, por shum të fortit.