Saga e dëmshpërblimit të përmbytjeve, qeveria «me një dorë e jep, me tjetrën e merr»

Pas 6 vitesh premtime, qeveria vendosi të shpërndajë dëmshpërblimin e dëmeve bujqësore për zonën e përmbytur të Nënshkodrës, por banorët janë të irrituar pasi u janë mbajtur faturat e pashlyera të energjisë dhe kamatvonesat si dhe nuk u janë vlerësuar dëmet në biznese.

Përmbytjet në Shkodër | Foto nga : Thomas Hackl/Flickr



Të përmbyturit gjatë vitit 2011 në Ultësirën e Shkodrës po marrin pjesën e mbetur të dëmshpërblimit për dëmet bujqësore – i premtuar nga qeveria para gjashtë vjetësh. Por ndërsa me një dorë u kthen paratë si dëmshpërblim për përmbytjet, me dorën tjetër vendimi i qeverisë u ndalon atyre pagesat e pashlyera të energjisë elektrike bashkë me kamatvonesat, ndërsa nuk merr në konsideratë dëmet në banesa dhe biznese.

«Shqetësuese është se ndalohet debia e energjisë elektrike e kohës kur ishim të përmbytur dhe pse nuk kishte si të kishim drita, bashkë me kamatën. Kjo është tallje», tha për BIRN-in Paulin Maçaj, organizues i një sërë protestash dhe një greve urie për dëmshpërblimin.

Maçaj ankohet edhe se ky vendim i qeverisë nuk ka marrë parasysh dëmet në banesa dhe biznese. Sipas tij dhe banorëve të tjerë të zonës,  vendimi i 15 prillit të këtij viti për dhënien e pjesës së mbetur të dëmshpërblimeve është i mangët dhe ata thonë se do të protestojnë duke mos marrë pjesë në zgjedhje.

Afrimi i fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të  25 qershorit ka zgjidhur qesen për dëmshpërblimet e vonuara, por Paulini thotë se padrejtësisht dhe pa asnjë lajmërim, banorëve të përmbytur nga ujrat e HEC-ve mbi Drin u është ndaluar te këto para, vlera që ata i kishin borxh OSHEE si debitorë të pagesës së energjisë elektrike, përfshirë dhe kamatvonesën e cila supozohej se ishte falur.

«Njerëzit po i marrin kuponat me të cilët tërheqin paratë dhe pse janë të gjithë të pakënaqur nga shuma e vënë në dispozicion, por thonë se më mirë po i marrim se mund  të mos i japin fare. Pra shteti – dhe në këtë rast KESH-i që na mbyti, jo një herë, por disa herë  nuk mjaftohet me këtë, por edhe na vjedh duke na ndaluar pa asnjë shpjegim kamatat e mospagesës së energjisë elektrike, madje dhe për atëherë kur ishim nën ujë», thotë Maçaj.

Banorët e Nënshkodrës kanë vite që kërkojnë dëmshpërblim pas përmbytjeve, por ato kanë marrë vetëm disa pjesë të tij. Në  vitin 2013, para zgjedhjeve të asaj kohë atyre iu dha nga qeveria Berisha vetëm 49% e dëmit të shkatuar nga përmbytjet në kultura bujqësore sipas vlerësimit të bërë nga komisionet përkatëse.  Katër vjet më vonë, po në prag të një fushate elektorale qeveria Rama vendosi të jepte pjesën e mbetur, por duke i vendosur kësaj barrën e energjisë së papaguar ndër vite. «Diferenca e palikuiduar nga vlera e kompensimit, prej 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekësh, që do të rezultojë pas rakordimit të shumave të paekzekutuara ndaj familjeve dhe subjekteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të paguhet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.)», thuhet në vendimin e qeverise së 15 prillit të këtij viti. Kjo pagesë i përket vetëm dëmeve në kulturat bujqësore dhe jo atyre në banesa e biznese.

Banorët thanë BIRN-in se nuk ishin të kënaqur me dëmshpërblimin, ndërsa ata që kishin pasur dëme në banesa apo biznese nuk përfitonin prej vendimit të qeverisë dhe me gjasë mund të mos marrin asnjëherë dëmshpërblim.

Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci, Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu, të cilët në janar të këtij viti hynë në grevë urie për të marrë dëmshpërblimin, i thanë BIRN-it se do të vazhdojnë përpjekjet për të përfshirë aty dëmet që u janë bërë në banesa.

Grigor Pema nga fshati Obot tregon se shteti i pagoi me 5000 lekë të reja ditën ato që erdhën e bënë vlerësimet e dëmeve të shtëpive përmbytura dhe tani nuk përgjigjet për ata që i pësuan dëmet.

«Është vlerësuar dëmi i banesave, i kulturave bujqësore dhe bizneseve.Thuhet se nuk ka dokumente, por ato janë», tha ai për BIRN.

Banorët e zonës që u përmbyt disa herë mes viteve 2009-2012 këmbëngulin te dëmshpërblimi i banesave dhe bizneseve, pasi siç thonë edhe dëmi aty ka qenë më i madh krahasuar me bujqësinë për të cilën qeveria mori vendimin e likujdimit. Janë bërë tre vlerësime në kohën kur ndodhën përmbytjet, për 7581 familje që përfshinin kyesisht dëmet në bujqësi dhe blegtori. Ndërkohë nga 260 biznese, vetëm katër janë dëmshpërblyer apo janë në lista, ndërsa për 5924 shtëpi banimi nuk ka asnjë vendim.

Sipas prefektit të Shkodrës nuk ka pasur asnjëherë një vendim për dëmshpërblim të kësaj natyre. «Nuk ka vendim qeverie për to (vendim të 2011-tës). Janë bërë vlerësimet nga qeveria e atëhershme, por vendim për kompensim është marrë vetëm për dëmët ne bujqësi. Për dëmet e tjera nuk ka vendim qeverie», tha prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani.

Sipas tij, për  bizneset është vendosur kompesim zero ndërsa për dëmët në banesa  nuk ka asnjë vendim.

«Kërkesat e tyre janë të drejta, por vështirë se mund të thuhet se do arrihet të merret vendim për dëmet në banesa, pasi duhet të nisë gjithçka nga fillimi, dhe kjo duket e vështirë», tha Radovani

Duke llogaritur këto dëme, Paulin Maçaj thotë se qeveria i ka borxh kësaj shtrese edhe 2.3 miliardë lekë. Maçaj thotë se banorët nuk do tërhiqen nga vendimi i tyre për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare, nëse qeveria nuk miraton dëmet në banesa dhe biznese.

(https://www.reporter.al/saga-e-demshperblimit-te-permbytjeve-qeveria-me-nje-dore-e-jep-me-tjetren-e-merr/)