«Sa të jetoj, do të jetoj si luan»

Adem Demaçi ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë duke qenë se i denonconte trajtimet jonjerëzore të shqiptarëve nga pushteti jugosllav dhe e kritikonte regjimin e Josip Broz Titos. Në fillim të veprimtarisë së tij ai me shokë shpërndau 99 flamuj shqiptarë nëpër qytetet kryesore të Kosovës – dhe pastaj nuk pushoi gati kurrë në betejën e tij për lirinë e Kosovës sipas motos: «Nuk pranoj jetë miu në vrimë. Sa të jetoj, do të jetoj si luan». Portret përkujtimor i Adem Demaçit.

Adem Demaçi.



Adem Demaçi u lind në gusht të vitit 1935 në Prishtinë në Mbretërinë Sërbe-Kroate-Sllovene. Për shkak të kushteve të rënda të jetesës dhe mungesës së përkujdesjes shëndetësore, nga gjithsej shtatë fëmijë, prindërve të tij u mbijetojnë vetëm tre. Të pasigurt nëse Ademi do të arrinte të mbijetonte, ata nuk ia regjistrojnë lindjen deri më 26 shkurt 1936.

Shkollën fillore katërvjeçare në Prishtinë, Demaçi e nis në Shqipërinë nën sundimin italian (1941-1943), e vazhdon në Shqipërinë nën sundimin gjerman (1944) dhe e përfundon më 1946 në Jugosllavinë komuniste. Në Prishtinë nën Jugosllavinë komuniste në vitet 1946-1953 e mbaron edhe gjimnazin tetëvjeçar.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Si gjimnazist boton tregime në gazetën «Rilindja» dhe në revistat «Jeta e Re» dhe «Zani i Rinisë». Pas mbarimit të gjimnazit, e regjistron letërsinë botërore në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Beogradit, ku, si bursist i gazetës «Rilindja», ndjekë ligjërata të profesorëve të shquar të Beogradit. Pas pesë semestrave, për shkak të sëmundjes së nënës, detyrohet t’i ndërpresë studimet dhe të kthehet në Prishtinë, ku nis punën si redaktor i letërsisë botërore në gazetën «Rilindja».

Gjatë viteve 1953-1958 Demaçi afirmohet si autor tregimesh të shkurta. Tregimi «Kthimi», më i njohuri i tij asokohe, thërret haptas kundër shpërnguljes së shqiptarëve të ish-Jugosllavisë për në Turqi. Në dhjetor 1957 në konkursin letrar të gazetës «Rilindja» merr çmimin e dytë për tregimin më të mirë.

Në gjysmën e parë të vitit 1958 boton romanin e parë «Gjarpijt e Gjakut», që është edhe romani i parë në shqip i botuar në Kosovë, ku e sulmon traditën e hakmarrjes, me moton: «Jo atyne që janë trima me e ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë trima me e shtri dorën e pajtimit». Në këtë kohë Demaçi nuk ishte anëtar i asnjë organizate ilegale, por fliste gjithçka, gjithkund, dhe me gjithkënd.

Prandaj, më 18 nëntor 1958, Demaçi arrestohet «në emër të popullit» për shkak të «propagandës armiqësore kundër rregullimit shtetëror të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë (RFPJ-së)». Fill pas arrestimit ndalohet edhe qarkullimi i romanit «Gjarpijt e gjakut», i cili vite më vonë, nis të shpërndahet nga studentë e veprimtarë të lëvizjes ilegale, shpeshherë i mbështjellë me kopertinat e romanit «Ura mbi Drinë» të shkrimtarit jugosllav Ivo Andrić.

Derisa mbahet në paraburgim, Demaçi e pranon para organeve të hetuesisë se një grupi të shokëve dhe të afërmve ua ka përmend nevojën e formimit të një organizate ilegale, por themelimin e saj ia kishte pamundësuar pikërisht arrestimi. Demaçi e pranon edhe se qëllimi parësor i organizatës që po mendonte ta themelonte do të ishte kundërshtimi i shpërnguljes së shqiptarëve të ish-Jugosllavisë për në Turqi, kundërshtimi i fushatës për mbledhjen e armëve në dimrin e viteve 1955/56, si dhe kundërshtimi i burgosjes e dënimit të grupeve të ndryshme të studentëve.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Më 17 mars 1959, Demaçi shpallet fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe dënohet me 5 vjet burg të rëndë, kurse më 9 qershor 1959, Gjykata Supreme e Sërbisë ia ul dënimin nga 5 në 3 vjet. Disa ditë pas shqiptimit të dënimit, Demaçin e dërgojnë në Burgun Qendror të Beogradit (Centralni Zatvor), kurse pas disa orësh, e dërgojnë në kazamatin e Sremska Mitrovicës në Vojvodinë, atëbotë më i rregulluari në ish-Jugosllavi, i ndërtuar në kohën e Austro-Hungarisë, ku edhe e vuan krejt dënimin. Ndërsa e vuan dënimin, Demaçi caktohet të punojë në prodhimin e felgave për rrotët e automjeteve të rënda, ku bën bartjen e pjesëve metalike prej një tornoje tek tjetra, ndërkaq më vonë punon në kuzhinë.

Dy vite pas lirimit nga burgu, më 28 nëntor 1963, Demaçi me një grup shokësh themelojnë organizatën ilegale Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – LRBSh. Qëllim parësor dhe përfundimtar i LRBSh-së ishte «…sigurimi i të drejtës për vetëvendosje, deri në shkëputje të plotë, për viset e banueme me shumicë shqiptare që gjinden nën administrimin e Jugosllavisë». Për me e mbërri qëllimin e lartpërmendur, LRBSh deklaron se «… ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore, prej atyne politike e propagandistike, e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore».

Veprimtarët e LRBSh-së më 12 prill 1964 shpalosin 99 flamuj shqiptarë nëpër shtylla të telefonit, të rrymës, e nëpër dyer shpish të qyteteve kryesore të Kosovës. Në popull flitet se flamujt janë vendosë nga njerëz të ardhur me helikopterë prej Shqipërisë. Përpos flamujve, nëpër mure, në secilin qytet ku zhvillohet aksioni, veprimtarët e LRBSh-së e shkruajnë edhe parullën «RRNOFTË SHQIPNIA – NANA JONË».

Më 8 qershor 1964, vetëm dy muaj pas aksionit të flamujve, arrestohen mbi 300 anëtarë të LRBSh-së. Për policinë kishte qenë krejt i lehtë zbulimi dhe arrestimi i anëtarëve të LRBSh-së, ngaqë pushteti e kishte pasur njeriun e vet brenda kësaj lëvizjeje, të cilit nuk do t’i ngjajë gjë e keqe nga anëtarët e LRBSh-së, megjithëse statuti i kësaj organizate parashihte që të likuidohej. Në procesin gjyqësor të mbajtur në Prishtinë më 27-31 gusht 1964, Demaçi dënohet me 15 vjet burg, kurse rreth 100 veprimtarë të tjerë me nga 13, 11, 9 dhe 4 vjet, ndërkaq 200 anëtarë të tjerë lirohen pas pak muajsh.

Katër muaj e gjysmë në fillim të dënimit Demaçi i vuan në Burgun e Nishit, kurse më pas dërgohet në Burgun e Požarevac-it, të quajtur «Zabela», ku e kalon gati një vit në izolim, në një qeli plot me insekte, që gradualisht kishte filluar t’i zbuste e të miqësohej me to. Përpos detyrimit për ta nda qelinë me kriminelë ordinerë dhe për të vuajtë në qelinë e izolimit, Demaçi detyrohet të kryejë edhe punë të rënda. Në këtë burg, ai fillimisht caktohet në repartin ku punohen kallëpet për shkrirjen e pllakave të ndryshme metalike, e më pas në repartin për montimin e stufave me vajgur. Përveçse batakçinj e nacionalistë virulentë, Demaçi këtu takon edhe njerëz parimorë, siç është disidenti Mihajlo Mihajlov, i cili dënohet për shkak të tentativave për ta botuar një gazetë opozitare, pastaj regjisori sërb Lazar Stojanović, i dënuar meqë në filmin e vet «Jezu Krishti Plastik» e kishte tallë presidentin jugosllav, Josip Broz Tito.

Në burgun e Požarevac-it, në shtator të vitit 1969, Demaçi e shkruan një dramë, të cilën e titullon «Popu» (amalgam i sajuar prej fjalëve politika dhe pushka). Dorëshkrimin e dramës e nxjerr vjedhurazi nga burgu një bashkëveprimtar i tij. Në këtë dramë, Demaçi i përshkruan luftërat e shqiptarëve nën Mbretërinë Sërbo-Kroato-Sllovene në çerekun e parë të shekullit të kaluar. Kjo është e vetmja mundësi për të shkruar në burg gjatë gjithë 28 vjetëve sa u mbajt prapa grilave.

Në vështrimin e Demaçit, LRBSh-ja kishte qenë një prej shkaktarëve për rrëzimin e Aleksandar Ranković-it (1966) dhe për fillimin e miratimit të amendamenteve, të cilat i jepnin gjuhës shqipe në Kosovë statusin e gjuhës zyrtare, krahas asaj sërbe, dhe lejonin përdorimin e flamurit shqiptar. Në këtë kohë, rishikohen edhe dënimet e të burgosurve politikë shqiptarë, e në bazë të këtyre rishikimeve, dënimi i Demaçit, nga 15, ulet në 10 vjet.

Më 27 nëntor 1968 në disa qytete të Kosovës organizohen demonstrata me kërkesën Kosova Republikë. Në fillim të viteve ‘70 nis të hartohet, kurse më 21 shkurt 1974, miratohet Kushtetuta e re e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), e cila të dy Krahinave Autonome të Republikës së Sërbisë, Kosovës dhe Vojvodinës, u siguron statusin që me shumëçka u ngjason atyre të gjashtë republikave jugosllave. Tre muaj e gjysmë pas miratimit të Kushtetutës së RSFJ-së, më 8 qershor 1974 Demaçi lirohet nga burgu i dytë.

Në dhjetë vjetët e qëndrimit në burgun e dytë, Demaçi kupton se kishte gabuar në vlerësimin që bashkimi kombëtar mund të arrihej me mbështetje në njërën nga dy kryefuqitë e botës komuniste. Fillimisht kishte menduar se bashkimi i trojeve shqiptare mund të bëhej me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, i cili atëbotë e dënonte revizionizmin jugosllav. Ftohet keq kur e kupton se vetë Rusia po shtypte popuj të shumtë brenda territorit të Bashkimit Sovjetik dhe heq dorë fare kur, më 1968, Bashkimi Sovjetik ndërhyn në Çekosllovaki. I var shpresat tek Kina, e cila e kishte nisë njëfarë propagande anti-jugosllave. Kur bie në burgun e dytë, ku ka shumë kohë të lexojë e të mbahet në rrjedha, e kupton se i kishte vlerësuar gabimisht edhe Rusinë edhe Kinën, dhe nis të mendojë se bashkimi kombëtar mund të mos jetë zgjidhja e vetme, pasi që një ndërmarrje e tillë nuk do ta gjente dot një krah të fortë të përmasave globale.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Demaçi thotë se Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 formalisht u jepte disa të drejta shqiptarëve dhe Kosovës, por se ato të drejta mund të shkeleshin në çdo kohë. Sipas tij: «Shumica e kuadrove shqiptare në udhëheqësi ishin të gatshme, sikurse edhe dëshmohet më pas, që t’i zbatonin qorrazi të gjithë urdhrat që vinin nga Sërbia dhe Jugosllavia. Dallimi i vetëm ishte se ata tani po flisnin shqip. Rezultatet e arritura gjatë kësaj kohe nuk ishin meritë e tyre, por e studentëve, e punëtorëve dhe e intelektualëve. Ata i kishin shërbyer Ranković-it dhe më kishin dërguar në burg».

Në vitin 1975 Tito e viziton Kosovën dhe kërkon nga udhëheqësit e Kosovës që t’i arrestojnë anëtarët e organizatave shqiptare ilegale në embrion. Komisioni për Siguri i Jugosllavisë e përpilon një listë prej 19 personave që duhen arrestuar si preventivë. Listën e miratojnë të gjitha republikat, përveç Sllovenisë. I fundit nga kjo listë, më 6 tetor 1975, arrestohet Demaçi. Pra, për vetëm pesëmbëdhjetë muaj, prej datës 8 qershor 1974 deri më 6 tetor 1975, Demaçi ndodhet jashtë burgut.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë e akuzon Demaçin se pas daljes nga burgu i dytë është takuar me të akuzuarit e tjerë dhe ka planifikuar me ta hartimin e Statutit dhe të Programit të Organizatës. Ka folur për parimin e organizimit territorial dhe i ka emëruar ata si udhëheqës të grupeve, kurse veten si udhëheqës kryesor të grupit. Të akuzuarve nuk u jepet as aktakuza për ta lexuar. Më 1 shkurt 1976 fillon gjykimi, ndërsa më 7 shkurt 1976 Gjykata e Qarkut në Prishtinë, i dënon 19 të akuzuarit: Demaçin me 15 vjet burgim, kurse të tjerët me 12, 9, 7, 6, 5 dhe 4 vjet dhe secilit të burgosur i kërkohet t’i paguajë shpenzimet e gjykimit.

Nga të gjithë të dënuarit në Grupin e Demaçit, vetëm 2 prej 19 të akuzuarve në këtë proces kanë pasur lidhje me veprimtarinë për të cilën ngarkohen. Për më shumë, Demaçi as që i njeh shumicën nga 19 të dënuarit. Bash për këtë, ai gjatë gjykimit i thotë haptas trupit gjykues: «Nuk e kam kryer veprën penale për të cilën akuzohem. Me asnjërin prej të pandehurve nuk kam biseduar për organizim. Ju nuk po më dënoni pse kam kryer ndonjë vepër penale, por thjesht për bindjet e mia politike. Unë kam simpati për Shqipërinë. Jugosllavia pa të drejtë po e mban Kosovën në kuadër të vet. Jugosllavia, duke e nda popullin shqiptar në dysh, po e dëmton edhe mundësinë e përparimit të vet dhe të ndërtimit të socializmit».

Lidhur me dënimin e vet të tretë, shumë kohë më vonë pasi të ketë dalë nga burgu, Adem Demaçi shprehet: «Dënimi i tretë ishte i kurdisur. Herën e parë më kanë arrestuar për propagandë, të dytën për themelimin e organizatës. Këto dy akuza i pranoj. Të tretën herë më dënuan pa asnjë faj. Para gjyqit më sollën edhe njerëz të cilët as s’i kisha pa e as njohë kurrë. Gjykimi ishte i turpshëm. Komedi e vërtetë. Jam viktimë. Por, pa viktima s’ka asgjë. Jam pajtuar me këtë rol. Në anën tjetër, jam i lumtur që kolonialistët sërbë më zgjodhën pikërisht mua që të më thyenin, ngase unë e dija mirë se jam i pathyeshëm. Ata prej meje kanë krijuar një martir».

Dënimin e tretë Demaçi fillimisht e vuan për afro nëntë muaj në një qeli të Burgut të Prishtinës. Më pas, për një natë, e dërgojnë në Burgun Qendror të Beogradit, prej ku të nesërmen e nisin për në Zagreb, e prej aty për në Stara Gradiška të Kroacisë, ku do ta vuajë gjithë mbetjen e burgut të tretë. Në Stara Gradiška ndodhej njëri prej burgjeve më të ashpra të Jugosllavisë, që njihej sidomos për krimet që kryheshin aty ndaj kuadrove të luftës në fund të viteve 1940. Ndëshkimorja në Stara Gradiška, e ndërtuar mu buzë lumit Sava, gjendej në një regjion kënetor përplot lagështi e insekte. Kohën më të madhe vendi ishte nën mjegull. Në fillim të vuajtjes së dënimit në këtë burg, Demaçi punon në tapetari, e mandej, në kohën më të madhe, bën thurjen e karrigeve me spagë nga shavari i tjerrur. Së fundmi e caktojnë për montimin e stilolapsave.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Më 2 qershor 1978 organizata humanitare me nam botëror Amnesty International (AI) e pranon Adem Demaçin si të burgosur të ndërgjegjes. AI nuk adopton asnjë të burgosur që ka përdorë a proklamuar dhunë për realizimin e qëllimeve të veta politike. Nelson Mandela nuk ka gëzuar adoptim nga AI, pikërisht për shkak të proklamimit të dhunës. Demaçi thotë se dhunën nuk e kishte përdorë jo për shkak të bindjeve, por për shkak të shpërpjesëtimeve të fuqive, krejt i vetëdijshëm se me Sërbinë nuk qëroheshin dot hesapet pa dhunë. Pas AI vargohen organizatat ndërkombëtare që kërkojnë lirimin e Demaçit, mes tyre edhe PEN klubet e shkrimtarëve, madje edhe PEN klubi sërb. Ky i fundit, ndryshe nga organizmat e tjerë, më parë sesa pafajësinë e Adem Demaçit, merr për bazë gjendjen e ashpërsuar shëndetësore të tij.

Në vitin e fundit të qëndrimit në burg, Demaçi jep disa intervista për gazeta sërbe e kroate. Në njërën prej këtyre intervistave, dhënë në mars të vitit 1990, flet edhe për Enver Hoxhën: «Ai ka arritë që për 40 vjet ta shndërrojë Shqipërinë nga vendi më i pazhvilluar në Europë, në një vend që mund të krenohet. Për këtë unë e respektoj si birin më të madh të popullit shqiptar. Ai ishte udhëheqës gjenial, i cili natyrisht i kishte edhe gabimet e veta, por asnjërin prej tyre strategjik».

Pas daljes nga burgu dhe vizitës në Shqipëri, Demaçi pohon që përherë e ka pasë të qartë se puna e Enver Hoxhës s’është gjë, ndonëse fotografinë e tij e ka mbajtë në shtëpi dhe ka bërë deklarime superlative për të, ngaqë kështu ka dashtë të përmbahet nga konfrontimi me Shqipërinë, me të cilën është përpjekë ta bashkojë Kosovën për ta shpëtuar nga robëria sërbe. Në të vërtetë, vazhdon Demaçi: «…ne jemi përpjekë për bashkim me Shqipërinë sepse nuk e kemi ditë se si është gjendja atje dhe shumë mirë që nuk e kemi ditë, sepse po ta dinim, s’do të kishim vepruar fare dhe do të bëhej fort keq».

Shumë vjet pas daljes nga burgu, Demaçi deklaron se oreksi i Enver Hoxhës për pushtet pa zgjedhë mjete, varësia totale fillimisht prej Jugosllavisë, pastaj prej Bashkimit Sovjetik e në fund prej Republikës Popullore të Kinës, si dhe lufta kundër bllokut demokratik, e cila e dogji shansin e sigurt për bashkimin e popullit shqiptar, tregojnë se Enver Hoxha e donte më shumë pushtetin sesa interesat thelbësorë të popullit shqiptar.

Më 21 prill 1990 me vendimin e marrë me shumicë votash prej vetë Kryesisë së Jugosllavisë, Demaçi lirohet nga burgu pesë muaj e gjysmë para se të vuajë dënimin e plotë, megjithëse kërkon të mos lirohet asnjë ditë më herët. Në prononcimin e parë publik, kureshtjes së gazetarëve se si po ndihej në liri, përgjigjet: «Që nga 21 prilli i vitit 1990 ndodhem në më të madhin burg në botë që njeh historia e njerëzimit – në burgun e quajtur Kosovë, ku regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist i ka zhveshë më se dy milionë shqiptarë nga të gjitha liritë dhe të drejtat më themelore njerëzore e kombëtare».

Në dhjetor të vitit 1991, Demaçi e fitoi çmimin Saharov për Liri të Mendimit, çmim ky i themeluar nga Parlamenti Europian në vitin 1988 si një mjet për të laureuar individë ose organizata që ia kushtojnë jetën mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Në fjalimin e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit, Demaçi thotë: «Më vjen keq që nuk e kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzueshme nga ato hapësira që ende u thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesi sërb përmes dhunës më të egër po ia pret një nga një arteriet jetëdhënëse popullit shqiptar, duke e rrënuar e shkallmuar pa mëshirë dhe plotësisht sistemin politik, informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, financiar, ekonomik e juridik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg, ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike e juridike».

Në periudhën 1991-1996 Demaçi e udhëhoqi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj). Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid ia ndau Çmimin Special për Paqe, kundër Racizmit e Ksenofobisë, i cili u ndahet personaliteteve me qëndrim paqësor e tolerant që angazhohen për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur mbi të drejtat e njeriut dhe shumësinë kulturore. Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandidojnë shkrimtarin Demaçi për Çmimin Nobel për Letërsi, kurse në shtator për Çmimin Nobel për Paqe. Në dhjetor të vitit 1995 Demaçit i dorëzohet Çmimi Leo Eitinger për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Oslos, i cili u ndahet personave të përkushtuar për të drejtat e njeriut dhe mban emrin e psikiatrit norvegjez Leo Eitinger, që ia kushtoi jetën promovimit të të drejtave të njeriut dhe luftës kundër padrejtësive e racizmit.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Demaçi, në këtë periudhë luftërash e tensionesh të mëdha, shpeshherë kur nëpër paraqitjet publike flet për sërbët, përdor cilësimet «populli vëlla sërb» ose «populli heroik sërb». E akuzojnë se nuk sheh ç’bën Sërbia kundër shqiptarëve në Kosovë dhe të tjerëve në Jugosllavi. Është i vetëdijshëm, përgjigjet Demaçi, për terrorin që po ushtrohet ndaj shqiptarëve dhe e përjeton shumë rëndë këtë, mirëpo vlerëson se populli sërb është i manipuluar nga pushteti dhe se krejt një popull s’do të duhej njëjtësuar me klasën politike në pushtet.

«Për mua të gjithë popujt janë të mirë. Nuk ka popuj të këqij. Këto të këqija që po na bëhen sot, po na i bën pushteti sërb, i cili të njëjtën gjë mund t’ia bëjë edhe popullit të vet. Prandaj, duhet bërë dallim mes popullit sërb dhe klasës pushtetare. Shqiptarët nuk duhet t’i ngatërrojnë këto, edhe pse unë i kuptoj ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë dallimin, sepse ky terror që po ushtron pushteti sërb nuk ka shoq në historinë më të re të njerëzimit. Janë disa intelektualë sërbë që po kanë guxim dhe po gjejnë mënyra për ta shprehë mospajtimin e tyre me pushtetin sërb: Bogdan Bogdanović, Milan Nikolić, Zagorka Golubović, Srdjan Popović, Lazar Stojanović… Këta janë bijtë e vërtetë të popullit sërb».

Të shumtë janë miqtë e dashamirët që ia tërheqin vërejtjen: po vazhdoi me këso cilësime për sërbët, do ta humbë kapitalin e akumuluar te shqiptarët. Demaçi kundërpërgjigjet se s’i duhet kapitali i ndërtuar mbi urrejtje, shovinizëm e përçarje ndërmjet popujve: «Nuk është në rregull që ata që i kanë shërbyer pushtetit jugosllav të ma ndalojnë mua, që tërë jetën kam qenë kundër pushtetit jugosllav, të përdor shprehje si ‘populli vëlla sërb’».

«Nuk mendoj se populli im është ndonjë popull ideal, ndonjë popull i zgjedhur, që nuk e bën atë që bëjnë të tjerët. Shqiptarët nuk kanë bërë, se asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë që të bëjnë atë që po bën Sërbia. Gjithmonë kanë qenë të pushtuar e të shtypur. Nëse shqiptarët kanë bërë në ndonjë periudhë krime ndaj sërbëve, i kanë bërë tek-tuk».

Fill pas daljes nga burgu, Demaçi shpallë se do të jetë në anën e të gjithë atyre që rrezikohen: në anën e sërbëve e në anën e të gjithëve që janë pakicë në Kosovë, pavarësisht nëse kjo mund t’i kushtojë. «Mund të shkoj edhe në burg. Jam në gjendje edhe të vdes, jo pse i dua unë më shumë sërbët e malazezët, por sepse i dua shumë shqiptarët. Unë jam kundër idesë që të hakmerremi, sepse unë vetë kam hak për të marrë, por nuk dua ta marr. Dua që të hiqet dorë nga hakmarrja». Demaçi në një rast madje pohon se më parë do të pranonte t’i vritej djali sesa një sërb; ai mëton se fitorja më e madhe e popullit shqiptar në kohët e fundit është shënuar me faktin se ky popull arriti të përmbahet e të mos e lejojë hakmarrjen, pavarësisht nga represaliet e vrasjet.

Pas daljes nga burgu, refuzon të inkuadrohet në parti politike me shpjegimin se nuk ka ambicie për pozitë politike dhe se do të jetë i angazhuar politikisht veç për aq kohë sa të shohë se nuk po respektohet vullneti i popullit shqiptar në Jugosllavi: «Të ulem në kolltuk nuk kam dëshirë. Të flijohem për popull jam i gatshëm. Këtë e konsideroj si kënaqësi, e jo si detyrë».

Në vitin 1993 Demaçi shkon në televizionin BK në Beograd. Ai para teleshikuesit sërb nënvizon se si njeri i paqes është kundër luftës, por nëse Sërbia e kërcënon Kosovën me luftë, le ta dijë se do të humbë. Kjo le të jetë një vërejtje, thotë Demaçi, se populli shqiptar nuk është popull qyqar që s’di të luftojë. Ai shton: «Nuk kam ardhur të kërcënoj, por të tërheq vërejtjen dhe ta lus popullin sërb që t’ia ndalë vrapin politikës së Milošević-it, që të mos ndodhë ndonjë gjakderdhje tjetër dhe të mos e kapërcejmë atë vijën e kuqe, kur do të jetë shumë vështirë që të jetojmë bashkë pastaj. Pra, kam ardhur që të përgjunjem para popullit sërb për shkak të popullit tim. Aq shumë e dua popullin tim, sa atë dua ta mësoj të jetë mik edhe i popullit sërb».

Në mes të viteve 1990, Demaçi ashpërson kritikat ndaj Ibrahim Rugovës dhe kërkon që shqiptarët të vihen në lëvizje për t’i treguar botës se jo veç me fjalë e vota, po edhe me mish e shpirt janë të gatshëm të përvishen për lirinë e vet, por, jo përmjet luftës së armatosur sepse kjo formë do t’i përshtatej veç Sërbisë. Ai kërkon që Kosova ta nisë luftën me forma konkrete të rezistencës paqësore aktive: punëtorët t’u kthehen fabrikave; arsimtarët me nxënës shkollave; profesorët dhe studentët fakulteteve; mjekët spitaleve; gazetarët televizionit, radios dhe gazetave, e të tjera kësisoj. Demaçi kërkon edhe rishikimin e synimeve politike, duke pasur për bazë pavarësinë e Kosovës, por me një aneks i cili do të parashikonte që fill pas pavarësimit, Kosova t’i fillonte negociatat me Sërbinë dhe Malin e Zi për krijimin e një bashkësie konfederative ballkanike, që ai e quan «Ballkania».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Në fillim të muajit maj 1998, «Zëri i Amerikës» në gjuhën sërbe nëpërmjet lidhjes telefonike i ballafaqon Adem Demaçin, si Kryetar të Partisë Parlamentare të Kosovës, me Vuk Drašković-in, Kryetarin e Lëvizjes së Ripërtëritjes Sërbe. Në debat, argumenti më këmbëngulës i Drašković-it është ky: «Nuk ndodhen në Sërbi kampet për shkollimin e terroristëve dhe nuk kalojnë terroristët nga Sërbia për në Shqipëri, por është pikërisht e kundërta». Demaçi i kundërvihet: «Sërbia nuk ka nevojë të shkollojë terroristë, sepse vetë shteti sërb është shtet terrorist». Ai vazhdon: «Duhet të nisemi nga urdhri i Zotit: ‘Mos ia bëj tjetrit atë që s’do të doje të ta bënin ty’». Demaçi e paralajmëron Drašković-in se shqiptarëve është duke iu sosë durimi. Drašković-i kundërpërgjegjet: «Kosova kurrë nuk do të jetë jashtë Sërbisë. Kur është në pyetje Kosova, nuk ekziston aso fuqie, në tokë e as në qiell, e që të mund t’i detyrojë sërbët të heqin dorë prej saj». Demaçi i lutet Drašković-it që të mos e përdorë, në diskursin politik, fjalën kurrë: «Kini kujdes se çka po flisni! Unë me popullin tim do ta mbajmë mend mirë këtë që po e thoni: kurrë! Populli shqiptar s’kërkon asgjë më shumë sesa ajo që ka populli sërb. Sa të thoni kurrë për shqiptarët, as ju nuk do të jeni të qetë kurrë. Gjithmonë do ta mbani gurin rreth qafës. Unë po ju lus të hiqni dorë nga fjala kurrë. Ju më ne nuk mund të na mashtroni. Ju më ne nuk mund të na frikësoni. Ju më ne nuk mund të na nënshtroni».

Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në gusht të vitit 1998 emërohet Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së. Demaçi pranon të heqë dorë nga vizioni vetjak për konfederatën «Ballkania», ndërsa UÇK-ja nga çlirimi dhe bashkimi i trojeve të copëtuara shqiptare në Ballkan. Të dyja palët pajtohen të angazhohen për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, në përputhje me vullnetin që populli i Kosovës e shpreh në referendumin e vitit 1991. Demaçi sqaron se: «Zyra e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së në Prishtinë nënkupton se UÇK-ja nuk mendon që e vetmja mënyrë e zgjidhjes së problemeve tona të jetë forca, por se jemi përherë të gatshëm t’i fillojmë bisedimet me Sërbinë për ta gjetur një zgjidhje».

Demaçi refuzon pjesëmarrjen në Konferencën e Rambouillet-së ngaqë në parimet e panegociueshme nënvizohet afirmimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Jugosllavisë dhe për Kosovën parashihet vetëm autonomi substanciale në kuadër të Sërbisë e të Jugosllavisë.

Sekretarja e Shtetit e ShBA-së, Madeleine Albright, i telefonon Demaçit dhe i kërkon që ta bindë Hashim Thaçin për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambouillet-së. «Jepjani Thaçit pëlqimin tuaj. Po nuk ia dhatë, dështimi do t’ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e rëndomtë do të vazhdojnë të vriten», e paralajmëron Albright. Demaçi thotë t’ia ketë kthyer: «Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Në qoftë e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë». Madeleine Albright nxjerr argumentin i cili për Demaçin nuk pi ujë: «Sërbia është e fortë dhe ju vret e ju shkatërron». Demaçi i kundërpërgjegjet: «Nuk e kemi nisë luftën për të provuar se a mund të fitojmë, por e kemi nisë për ta fituar. Ne nuk heqim dorë nga lufta për liri». Biseda telefonike 45-minutëshe me Adem Demaçin, pohon Albright në memoaret e përmbledhura nën titullin Zonja Sekretare, kishte qenë më rrënqethësja që kish provuar ndonjëherë në jetën e saj. Pas Konferencës së Rambouillet-së, mars të vitit 1999, Demaçi jep dorëheqje meqë nuk pajtohet me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouillet-së.

Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, Demaçi del rrugëve të Prishtinës tri herë në ditë dhe ndalohet disa herë nga forcat sërbe/jugosllave. «Doja që të më vrisnin, i bindur se nëse më vrasin, atëherë do të kuptohet edhe më mirë natyra gjakatare e regjimit jugosllav, por ata ishin të zgjuar dhe nuk më vranë, sepse nuk donin që me vrasjen time t’ua shtonin shqiptarëve edhe më shumë inatin për hakmarrje». Pas mbarimit të luftës në Kosovë, Demaçi deklaron se ndjen keqardhje që, me tërheqjen e forcave sërbe nga Kosova marrin fund edhe gjasat e tij për t’u bërë dëshmor.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Pas luftës në Kosovë (1998-1999), Demaçi e drejtoi Komitetin për Tolerancë dhe bashkëjetesë në kuadër të KMDLNj-së. I vizitoi thuajse krejt vendbanimet e pakicave në Kosovë dhe i inkurajoi pjesëtarët e tyre të qëndrojnë në Kosovë, dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të mos i sulmojnë, duke thënë se pakicat janë pasuri e Kosovës: «Populli sërb është popull liridashës dhe këtë e çmoj shumë, por popullit sërb i është fshehë e vërteta për shqiptarët. Më dhemb çdo ligësi që i bëhet popullit sërb, ashtu siç më dhembte ligësia që i bëhej popullit shqiptar. Se unë para së gjithash jam njeri, e pastaj, fare rastësisht, jam edhe shqiptar. Tash jam në anën e sërbëve, sepse ata janë pala më e dobët. Mirëpo, unë s’kam kurrfarë pushteti dhe s’mund të bëj tjetër, veçse t’u flas njerëzve që të jenë të arsyeshëm. Unë mendoj për të ardhmen dhe nuk dëshiroj që populli im të jetojë në armiqësi me popullin sërb. Nuk do të doja që populli im të mbahej në mend si popull që bënte të këqija».

Në këtë kohë, Demaçi jep intervista të shumta për media. Në njërën prej tyre, ndërsa flet mbi pozitën e pakicës sërbe dhe raportet e saj me shqiptarët në Kosovë, ai pohon: «Sërbët në Kosovë jetojnë keq dhe shumica prej tyre jetojnë keq pa fajin e vet. Mua më vjen keq për vrasjet që kanë ndodhë ndaj sërbëve të pafajshëm. Por, nuk mund të ketë fjalë për hegjemonizëm shqiptar. Unë po i mbroj të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë. Personalisht këto po më kushtojnë shumë, por misioni im është të jem në anën e të dobëtëve. Kur rishtas në Kosovë para nja dhjetë mijë shqiptarëve thashë: ‘Tash është koha t’i mbrojmë sërbët’, nisën menjëherë fishkëllimat. Unë ua ktheva: ‘Po më fishkëlloni, por unë prapë ju dua, sepse këtë po e bëni prej mosdijes’. Në atë moment nisën duartrokitjet, sepse ata e dinë kush jam unë, por unë i preka në nerva, sepse u kërkova ta harronin të kaluarën».

Demaçi i porosit sërbët të rrezikojnë e të ecin lirisht rrugëve, të prirë nga njerëz të guximshëm. Ai merr si shembull veten, që gjatë luftës dilte përditë rrugëve të Prishtinës derisa vriteshin njerëz. «Kam shëtitë lirshëm sepse kam dashtë me qenë i lirë. Nuk pranoj jetë miu në vrimë. Sa të jetoj, do të jetoj si luan. Po qe nevoja të vdes, do të vdes. Shumë shqiptarë më thoshin të mos dilja, sepse ishte situatë e rëndë, por unë kam dalë dhe prapë kam me dalë. Nëse ka sërbë që kanë interes të më vrasin, le të më vrasin, sepse unë nuk mund ta shes lirinë time për kurrfarë çmimi».

Në nëntor të vitit 2001 mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, në të cilat Demaçi refuzon me marrë pjesë. Ai arsyeton se pushtetin kryesor në Kosovë prapseprap do ta ketë UNMIK-u, i cili është i caktuar për ta zbatuar Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, qëllim i të cilës është ta ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), kurse institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes (IPVQ-të) do të jenë veç dorë e zgjatur e UNMIK-ut. Demaçi është kundër zgjedhjeve edhe për arsye se, sipas tij, Kosova s’ka klasë politike të formuar, por veç grupe që përpiqen të përfitojnë materialisht nga hallakama. Ai shton se duhen disa vjet punë që të ngrihet një klasë intelektuale politike, e cila më vonë do të ishte në gjendje të merrej me qeverisjen e vendit, prandaj nuk duhet të ketë zgjedhje. Demaçi adreson kritika të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë: UNMIK-u e trajton Kosovën si objekt, ndërsa Sërbinë si subjekt dhe punon bashkë me të për ta kthyer Kosovën nën Sërbi, sepse UNMIK-u vë në zbatim Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila Kosovën e trajton si pjesë të Unionit Sërbi-Mal i Zi.

Edhe pas luftës, Demaçi shkruan ngjeshur. Qysh më 1999 përgatit për shtyp dy vepra, që ende mbeten të pabotuara: «Ballë për ballë me UÇK-në» si dhe «Shqiptarët mes Amerikës dhe Evropës». Më 2003 boton poemën politike të titulluar «Tung vargu im». Në Tiranë Albanian-Esperanto Institute e boton më 2005 një vëllim me intervista të kohës së pasluftës me Demaçin, të titulluar «Kosova në udhëkryq». Më 2006 sheh dritën e botimit romani «Heli e Mimoza»; pas një viti nxjerr romanin autobiografik «Dashuria kuantike e Filanit», kurse më 2008 romanin «Alb Prometeu». Më 2009 boton romanin «Nëna Shegë dhe pesë gocat», i cili përbën pjesën e dytë të romanit «Heli e Mimoza», ndërsa fill pas tij nis ta përgatisë pjesën e tretë të titulluar «Shkrumnaja e dashuria».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Në mes të viteve 2000, Demaçi bashkohet me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në kundërshtimin e negociatave: si të negociojmë me shtetin e Sërbisë që vrau mija njerëz të pafajshëm, deportoi gati 1 milion njerëz nga Kosova, shkatërroi rreth 120 mijë shpi e përdhunoi qindra gra? Sipas Demaçit, zgjidhja e statusit të Kosovës duhet ta respektojë vullnetin e popullit, e për realizimin e një zgjidhjeje të tillë ekziston instrumenti: referendumi! Demaçi thotë se në negociatat e Vjenës palët dëgjojnë njëra-tjetrën, por bisedimet e vërteta bëhen prapa perdeve dhe me të tjera mjete. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë i ka përzgjedhë me kohë personat që janë dëshmuar të gatshëm me i falë tokat e Kosovës, ndërsa në Sërbi ka pasë probleme për t’i gjetë personat e duhur. Demaçi vlerëson se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare është që në emër të të drejtave të pakicave dhe të ruajtjes së objekteve kulturore e fetare, t’i lejojë Sërbisë që në zemër të Kosovës të formojë një minishtet sërb etnikisht të pastër, në mënyrë që ta bllokojë tërësisht Kosovën.

Më 2 shkurt 2007, pas shumë muajsh të negociatave, Martti Ahtisaari u dërgon Beogradit dhe Prishtinës një dokument, i cili paraqet bazën për të ardhmen e Kosovës si një shoqëri shumetnike, ku të gjitha bashkësitë, shqiptarë, sërbë e të tjerë, mund të jetojnë të sigurt. Ky dokument bën fjalë vetëm për çështje praktike që kanë të bëjnë me decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, çështjet ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Demaçi pohon se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i hartuar nga i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, është një përpjekje për ta liruar Kosovën nga sovraniteti i Sërbisë, por propozimi bën të mundshëm sovranitetin e pakicës sërbe mbi shumicën shqiptare, sepse dy të tretat e deputetëve sërbë mund ta bllokojnë nxjerrjen e çfarëdo ligji. Demaçi shton se propozimi i mundëson Sërbisë të përzihet në Kosovë nën firmën e përkrahjes së sërbëve lokalë dhe të krijojë mbi 40 zona të veçanta për manastiret dhe kishat ortodokse, të cilat do të përfshijnë mija hektarë tokë private. Me pak fjalë, sipas Demaçit, në emër të mbrojtjes së pakicës sërbe, Sërbia synon të shkëpusë pjesë të mëdha nga Kosova e vogël, çka është krejt e papranueshme, mbasi kështu Kosova shndërrohet në një Palestinë të Ballkanit Perëndimor.

Në nëntor të vitit 2007 mbahen zgjedhje parlamentare, në të cilat kryeson PDK-ja e Hashim Thaçit, e cila hyn në koalicion qeverisës me LDK-në. Thaçi vjen në postin e Kryeministrit, kurse Fatmir Sejdiu në atë të Presidentit. Kryeministri i ri Kosovës e fton Adem Demaçin në takim më 16 shkurt 2008. Ky takim shënon lidhjen e Demaçit me Thaçin. Demaçi jep këtë prononcim lidhur me takimin: «Ishte e palejueshme që të qëndronim vetëm si shikues e kritikë dhe për shkak të ujit të ndotur të mbledhur ta hidhnim tutje edhe foshnjën e porsalindur të lirisë. Unë jam solidarizuar me këtë politikë, sepse nuk kam guxuar që as formalisht të mbes kundërshtar i kësaj kthese, kur ShBA-ja dhe shtete të tjera të fuqishme e shkelën Rezolutën 1244».

Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe sovran në pajtueshmëri të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të hartuar nga i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. Demaçi, si mysafir i Kuvendit, merr pjesë në shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë. Deklarata për Pavarësinë e Kosovës mirëpret mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare të kanalizuar nëpërmjet pranive ndërkombëtare në Kosovë për t’i zbatuar përgjegjësitë që i janë vënë sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të hartuar nga i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. Kosova njihet si shtet i pavarur nga shumica e vendeve më të zhvilluara të botës.

Më 29 prill të vitit 2008, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, e shpall Adem Demaçin simbol të pavarësisë për kontributin e dhënë gjatë tërë veprimtarisë së tij. Kryeministri Thaçi merr vendim që Adem Demaçi të gëzojë përkujdesje institucionale: t’i krijohen kushte për punë dhe jetë dinjitoze, duke i ofruar pension të veçantë, veturë e vozitës. Në bazë të këtij vendimi, shtëpia ku ka vepruar Zyra e UÇK-së në Prishtinë shpallet muze. Në vitin 2010 Presidenti i Kosovës i dha urdhrin «Hero i Kosovës».

Ishte gati-gati i bindur se do të mund të jetojë aq sa do të zgjedhë vetë, dhe thoshte se e ka vendosë të jetojë plot 111 vjet. Adem Demaçi vdiq më 26 korrik 2018 në Prishtinë pas një lëngate të gjatë e të mundimshme.

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe dialogplus.ch

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA