Sa mirë që është gënjeshtër!

Për politikanët shqiptarë, shpeshherë në rend të parë është partia, pastaj qytetarët dhe vendi. Kjo ndodh në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni.

Kryeministri Edi Rama, gjate nje takimi ne Pallatin e Kongreseve me Kryetarin e PD, Lulzim Basha, ku kane diskutuar ne lidhje me reformen ne drejtesi.



Më 2010, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ishte në konflikt me kushtetutën. Ai duhej të zgjidhte ndërmjet detyrës së kryetarit të Kosovës, ose atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe, presidenti i parë i Kosovës së pavarur vendosi ta braktisë detyrën e presidentit të vendit, duke u përcaktuar për partinë! Nuk vonoi shumë dhe Sejdiu e humbi edhe funksionin e kryetarit të partisë. Mbase si një mallkim për oportunizmin e tij, që ndërmjet shtetit dhe partisë e zgjodhi të dytën.

Historia koalicioneve të partive shqiptare me ato maqedonase nuk është e re. Pavarësisht se në Maqedoni, për momentin, kjo është tema kryesore, që po bën kaq bujë dhe duket sikur e ka sjellë sistemin në rrezik të ekzistencës. Koalicionet shqiptaro-maqedonase zënë fill që nga vitet e ‘90-ta. Njëlloj nuk është e re as historia e refuzimit të shqiptarëve nga sistemi, madje historia e dhunës mbi to. Dhe, secilën herë është pritur që ministrat shqiptarë ta braktisnin qeverinë në shenjë proteste. Por, kot!

Ndodhën Ladorishta, Bit Pazari, Reçica, Gostivari, Sopoti, Brodeci, Mostra, Kumanova etj. Sa herë Kumanova, Shkupi, Tetova…: vrasje dhe helmime, për bukë e për shkollë, dhe nuk ndodhi asgjë. Ministrat shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë nuk u tundën. Deputetët shqiptarë të Partisë për Prosperitet Demokratik dhe të Partisë Popullore Demokratike e refuzuan votimin e Kushtetutës së Maqedonisë, por asnjë protestë më shumë. Ajo ishte kushtetuta që nuk e arrinte as standardin e asaj të 1974-tës. Aty u ngjiz kryengritja e 2001-shit.

Më 1994, ministrat shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë ishin nënshkrues të aktit të themelimit të Universitetit të Tetovës. Një projekt i disa intelektualëve idealistë, i cili shihej me dyshim nga cinikët. Aq më tepër për shkak të refuzimit të ashpër të maqedonaseve; atëbotë qeveriste Partia Socialdemokrate e Maqedonisë. Nën trysninë e saj, ministrat shqiptarë i tërhoqën nënshkrimet nga akti i themelimit të universitetit dhe e nënshkruan kapitullimin e tyre përpara maqedonasve dhe shqiptarëve.

Në skenën politike në Maqedoni erdhi Partia Demokratike Shqiptare. Ajo erdhi me një diskurs emancipues. Me premtimin se çështjet shumë të rëndësishme të identitetit politik të shqiptarëve në Maqedoni do t’i realizonte në një afat të caktuar. Përndryshe do ta braktiste bashkëqeverisjen me VMRO-në. Afatet nuk u kapën, premtimi për braktisje të qeverisë nuk u mbajt. Politikanët që për dekada kishin vepruar në ilegalitet dhe në emigracion nuk e falën, në mars të 2001-shit ata e filluan kryengritjen e armatosur.

Më 2015, në Maqedoni plasi afera e përgjimeve. «Bombat» e opozitës nxorën shumë të zeza të qeveritarëve maqedonas, por edhe të partisë shqiptare në koalicion, që këtë herë ishin ish-kryengritësit, Bashkimi Demokratik për Integrim. Opinionin publik e «argëtoi» një audio-aferë seksuale midis dy kuadrove të saj. Ish kryengritësit erdhën në element: Për herë të parë një parti shqiptare i tërhoqi ministrat e saj. Për një javë! Këtë s’e kishte bërë as për moskapjen e afateve të Marrëveshjes së Ohrit, as për gjithë ato shkelje të tjera të shqiptarëve në Maqedoni!

Lajmi i vërtetë i kësaj fundjave ishte dorëheqja, pastaj u tha shkarkimi, i ministrit të Brendshëm në Shqipëri, Saimir Tahiri. Ndryshe, i mbiquajturi «superministër»! Ende pa e realizuar opinioni publik tamam se ç’kishte ndodhur, erdhi shkarkimi edhe i tre ministrave të tjerë të Qeverisë shqiptare. Një gjë e kërkuar, por e papritur. Së paku jo në këtë mënyrë. Dhe vjen motivacioni i të zotit të punës, kryeministrit shqiptar, Edi Rama: Ministrat duhet të fokusohen me kohë të plotë në terren për zgjedhjet që vijnë!

Ish-opozitari socialist, Ben Blushi, në një forum të brendshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë e ndezi një debat që bëri bujë. Ai i ndolli disa eksponentë të asaj që njihet si «Rilindje» në një kurth të hidhur me një shpallje: Unë nuk jam me partinë, por me Shqipërinë. Ata që ishin mësuar të reagonin me inerci u nxituan ta kundërshtonin edhe në këtë pikë. U deshën prerje shiritash të regjistrimeve e shumë interpretime për ta rikuperuar këtë gafë të klasës që po e udhëheq Shqipërinë.

Reagimi i fundit i Ramës synon ashiqare t’ia marrë kauzën opozitës, e cila me padëgjueshmërinë e saj rrezikon t’ia prishë atij gjithë konceptin. Me këtë, ai për opinionin e brendshëm e ndërkombëtar sjell argumentin e ndryshimeve në qeveri, në anën tjetër e ruan veten në krye të qeverisë. Interpretimi i këtyre intervenimeve kozmetike si shkarkim i barrës së ministrit të shtetit për t’u angazhuar në fushatën e partisë, në realitet, do të ishte një fyerje për vendin. Të vjen të bërtasësh fort: Sa mirë që është gënjeshtër!