Sa kushton rezistenca politike?

Duke e monetarizuar rezistencën politike, sakrifica e viteve ’90 për një jetë më të mirë në shtetin e Kosovës, shndërrohet në sakrificë për të ardhmen ekonomike të shtetit të Kosovës. Represioni politik dhe ushtarak i viteve ’90 nuk mund të krahasohet me sfidat ekonomike të pas luftës, por thuajse po e arrin efektin e njejtë: numri i atyre që janë larguar nga Kosova pas vitit 1999 është më i madh se sa i atyre që janë larguar gjatë viteve ’90.

Agron Demi.



Cilat janë ato vepra të cilat e humbin kuptimin në momentin kur u vihet një vlerë monetare? Kësaj pyetjeje mundohet t’i jap përgjigje filozofi Michael Sandel në librin e tij «Çfarë nuk mund të blihet me para» (origjinal: «What Money can’t buy», 2012). Sipas Sandel, ekzistojnë disa parime morale dhe civile, të cilat humbasin vlerën ose korruptohen në momentin që blihen ose shiten. Në këto kategori Sandel përfshin shitblerjen e bebeve të porsalindura, praktikën e nënave surrogate, shitblerjen e organeve, blerjen e teksteve për kartolinat e ditëlindjeve ose urimet e martesës, simulimin e suksesit shkollor të nxënësve përmes shpërblimit monetar, etj.

Sandel kundërshton që këto të mira morale e civile të shkëmbehen me para, dhe kundërshtimin e tij e bazon në dy premisa: atë të korruptimit dhe shtrëngimit. Në momentin që një vlere morale ose civile i vihet një vlerë monetare, atëherë kemi korruptuar thelbin ose qëllimin e saj. Po ashtu, është thuajse e pamundur që ky shkëmbim monetar për këto të mira morale ose civile të ndodh në kushte të barabarta. Për shembull, askush nuk mund të argumentojë se shitësi i veshkës e merr këtë vendim në bazë të vullnetit të tij/saj të lirë. Përndryshe përse gjithnjë të varfrit shesin organet e tyre, kurse të pasurit i blejnë ato?

Nëse Sandel do të kishte pak njohuri për Kosovën, sigurisht se do të vlerësonte se ndarja e shpërblimeve monetare për kategori të ndryshme të popullsisë mbi bazën e rezistencës gjatë viteve ’90 përbën korruptim të atyre vlerave civile. Të burgosurit politikë gjatë dhe para viteve ’90, punëtorët e arsimit, deputetët e viteve ’90, veteranët e luftës, e shumë e shumë kategori të tjera të rezistencës civile e të armatosur do të marrin pension të meritave nga Qeveria e Kosovës.

U fillua me të burgosurit politikë. Në vitin 2010 u aprovua Ligji për të dënuarit dhe ish të përndjekurit politikë. Me këtë ligj, Qeveria e Kosovës mori përsipër që të kompensojë financiarisht për çdo ditë të kaluar në burg të burgosurit dhe të përndjekurit politik të të gjitha regjimeve totalitare që nga 1 marsi 1913 e deri më 12 qershor 1999. Çdo ditë e kaluar në burg do të paguhej me 16.7 euro. Për statusin e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë aplikuan rreth 10 mijë persona. Kompensimi filloi nga viti 2015. Deri në fund të 2018 do të shpenzohen 42 milionë euro për të burgosurit politikë.

U vazhdua me veteranët e luftës së UÇK. Nga 24.577 ushtarë të çarmatosur në shtator 1999, numri i aplikantëve për statusin e veteranit ka kaluar mbi 80 mijë persona, 60 mijë kanë marr certifikatat e veteranit, kurse 39,977 tashmë marrin pensione mujore. Në tri vitet e para të aplikimit të kësaj skeme të pensioneve janë shpenzuar 96 milionë euro. Për vitin 2018 pritet që pensionet e veteranëve të kalojnë shumën e mbi 81 milionë eurove, ani pse janë buxhetuar «vetëm» 58.7 milionë euro. Deri më 2049 pritet që të shpenzohen mbi 2.5 miliardë euro vetëm në këtë skemë të pensioneve.

Pas veteranëve dhe të burgosurve politikë, kërkesën për pensione e parashtruan edhe veteranët e arsimit të viteve ’90. «Pasi që krejt po marrin pensione, pse mos të marrim edhe ne», ishte përgjigja e një anëtari të SBASHK-ut (sindikatës së arsimit) në pyetjen se përse duhet paguar për një punë në kohën kur nuk ishim shtet? Me projektligjin i cili po shqyrtohet në Kuvend, parashihet që varësisht nga vitet e angazhimit në arsimin shqip të viteve ’90, punëtorët e arsimit të kompensohen mes 267 euro dhe 303 euro në muaj. Deri më 2049, pritet të shpenzohen rreth 650 milionë euro për pensionet e veteranëve të arsimit të viteve të rezistencës.

Nga ky vit, kompensime financiare do të marrim edhe deputetët e viteve ’90. Linja buxhetore për këtë kategori vetëm se është ndarë në shumën prej 300 mijë eurove. Ministria e Financave ka deklaruar se ka pranuar kërkesa për kompensim edhe nga policët të cilët lanë punën me vendosjen e masave të dhunshme më 1989, nga punëtorët shëndetësorë, shërbyesit civil, punëtorët e gjykatave, etj.

Për të gjitha këto kategori, në 30 vjetët e ardhshëm do të ndahen së paku tre miliardë euro. Tre miliardë euro do të jenë më pak për ndërtimin e shkollave dhe çerdheve, ndërtimin e spitaleve, shtëpive për të moshuar, etj. Kësisoj, duke e monetarizuar rezistencën politike, sakrifica e viteve ’90 për një jetë më të mirë në shtetin e Kosovës, po e sakrifikon të ardhmen ekonomike të shtetit të Kosovës. Represioni politik dhe ushtarak i viteve ’90 nuk mund të krahasohet me sfidat ekonomike të pas luftës, por thuajse po e arrin efektin e njëjtë: numri i atyre që janë larguar nga Kosova pas vitit 1999 është më i madh se sa i atyre që janë larguar gjatë viteve ’90.

Por, nëse angazhimi patriotik i mësimdhënësit, deputetit, të përndjekurit dhe burgosurit politik, veteranit të luftës, punëtorit shëndetësor, policit, ka një vlerë monetare, përse një të tillë mos ta kenë edhe 282’603 familje e biznese të cilat kontribuuan financiarisht për mbajtjen gjallë të institucioneve paralele të viteve ’90? Përse një të drejtë mos ta ketë edhe diaspora, të cilët dhuruan 3 për qind të të ardhurave të tyre mujore, dhe së bashku me ata që jetonin në Kosovë dhuruan rreth 200 milionë marka?

Nëse arsimtarët e viteve ’90 kanë të drejtë të monetarizojnë aktivitetin e tyre patriotik të asaj kohe, përse nuk e ka këtë të drejtë, për shembull, Ibrahim Gashi nga Prishtina, i cili lëshoi shtëpinë e tij dykatëshe për shkollë? Ibrahimi me familjen e tij gjashtëanëtarëshe jetonte në katin e parë, kurse në katin e dytë zhvillonin mësimin tri klasë të shkollës «Prenk Jakova». Ose familja e Asllan Shalës, në shtëpinë e të cilit vijonin mësimin në dy ndërrime rreth 200 nxënës të gjimnazit «Jeta e Re» në Suharekë (rrëfime të pasqyruara në librin «Arsimi shqip në Kosovë 1990-1999 – Shtëpitë shkolla», me autor Bajram Shatri). Janë rreth 3200 shtëpi të evidentuara të cilat shërbenin si shkolla gjatë kohës së okupimit të objekteve shkollore nga shteti serb.

Nëse deputetët e viteve ’90 kanë të drejtë për pension për aktivitetin e tyre patriotik, përse atëherë nuk e meriton një pension të tillë edhe Isa Veliu nga Sllubica e Gjilanit, i cili shiti një nga tri lopët me të cilat mbante familjen dhe i dorëzoi 500 franga në Këshillin Lokal për Financim në Gjilan? (rrëfime nga libri «Këshilli Qendror për Financim i Kosovë», i autorëve Mehmet Hajrizi, Ismail Kastrati, Bajram Shatri).

Nëse veteranët e luftës kanë të drejtë të marrin pension për rezistencën e tyre guerile, përse atëherë nuk kanë të drejtë për pension të tillë edhe mjekët vullnetarë të shoqatës «Nëna Terezë» dhe ata qytetarë të cilët lëshuan shtëpitë e tyre për klinikat e kësaj shoqate? Shaban Svirca, saldues me profesion, kishte lëshuar shtëpinë e tij në Vranjevc për ambulancën e parë të shoqatës «Nëna Terezë», e cila u hap më 30 mars 1992. Nga kjo datë e deri në mbarim të luftës në qershor 1999 u angazhuan mbi 1600 mjek vullnetarë në shoqatën «Nëna Terezë», të cilët kryen rreth katër milionë vizita mjekësore, për pacientët e të gjitha komuniteteve. Të gjitha pa pagesë (rrëfime nga libri «Bijtë e Nënës» të Gani Demollit).

Rezistenca civile dhe ajo e armatosur e viteve ’90 në Kosovë është një ndër lëvizjet më të ndritura të rezistencës politike të një populli. Vënia e një çmimi monetar për rezistencën e viteve ’90 korrupton thelbin e angazhimit patriotik. Në vend se të ndahen pensione në bazë të meritave për të gjitha kategoritë e rezistencës politike, shteti i Kosovës do të duhej që t’u siguronte pensione të dinjitetshme të gjithë qytetarëve të Kosovës. Veterani i arsimit, luftës, politikani, i burgosuri, nuk duhet të shpërblehen në bazë të angazhimit të tyre gjatë viteve ’90, por njëkohësisht as të lihen të jetojnë me pension bazik të moshës, i cili nuk i nxjerr as nga kufiri i varfërisë.

Ato 400 milionë euro që shpenzohen çdo vit në skema të ndryshme sociale, në rast se do të orientoheshin tek kategoritë me gjendjen më të rëndë sociale dhe ekonomike, e jo tek kategoritë në bazë të patriotizmit, do të mjaftonin për të nxjerrë secilin qytetar nga varfëria. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore 17.6 për qind e popullsisë së Kosovës (316 mijë qytetarë) jetojnë në varfëri, ose me më pak se 1.82 euro në ditë. Me 400 milionë euro që aktualisht ndahen për skema sociale, në rast se do të orientoheshin nga kjo kategori e të varfërve, do të mjaftonin për të çrrënjosur varfërinë njëherë e mirë.