Sa herë që burrat e bëjnë punën pis…

...drejtimin e punëve duhet ta marrin gratë. Një shënim për politikën gjermane dhe dy udhëheqëse (Angela Merkel dhe Andrea Nahles) që (do të) drejtojnë dy partitë më të mëdha politike – CDU dhe SPD.

Andrea Nahles dhe Angela Merkel.



Sa herë që burrat e bëjnë punën pis, gratë duhet të pastrojnë terrenin. Në fund të viteve ’90 Helmut Kohli u ballafaqua me akuza të rënda për financim ilegal të partisë se tij (CDU). Përkundër apeleve që të tregojë se prej kujt kishte marrë para për të mbushur arkat e partisë, Kohl nuk foli. Kurrë. Këtë sekret e mori me vete në varr, pasi u hidhërua me gati të gjithë politikanët e CDU-së. Atëbotë – në fund të viteve ’90 – Angela Merkel e shtyu anash patriarkun Kohl dhe e mori drejtimin e partisë. Ndarja me Kohlin ishte radikale. Madje Merkel në vitin 2000 ia anuloi Kohlit edhe titullin «kryetar nderi» i CDU-së. Më 2010 Merkel përsëriti se Kohlit assesi nuk do t’i kthehet titulli kryetar nderi i partisë. «Kjo pyetje nuk shtrohet më», tha ajo. Pasi u bë kryetare e CDU-së Merkel më 2005 e solli parinë e saj në pushtet.

Tani, në vitin 2018, burrat socialdemokratë të Gjermanisë e kanë bërë punën pis dhe një grua, Andrea Nahles, po e merr drejtimin e partisë (SPD) për të pastruar oborrin. Kryetari i deritanishëm i SPD-së Martin Schulz i ka humbur zgjedhjet parlamentare dhe pastaj ka thënë se kurrë, kurrë, kurrë nuk do të bëhet ministër i Merkelit. E shkuar, e harruar. Schulz lidhi koalicion me Merkelin, madje shprehu dëshirë të bëhet ministër i Jashtëm. Kjo ambicie e tij e çmendi Sigmar Gabrielin, ministër aktual i Jashtëm i Gjermanisë, i cili ka qenë kryetar i SPD-së. Gabriel dëshiron të mbetet kryediplomat. Me gjasë nuk do të mbetet. Të dy – Gabriel dhe Schulz – duket se do të mbesin vetëm deputetë në Bundestag. Të martën Schulz e ka ndërmend t’ia dorëzojë Andrea Nahlesit postin e kryetares.

Ky zhvillim në politikën gjermane tregon se sa më shumë të ketë gra në politikë, aq më pak bërllok do të (mund të) bëjnë burrat. Por, jo çfarëdo gra. Që të jetë e qartë. Angela Merkel të dielën në mbrëmje u ballafaqua me pyetjen nëse mendon të tërhiqet nga posti i kancelares pas një apo dy vitesh. Ajo tha: «Unë jam nga ata njerëzit që i mbajnë premtimet». Domethënë: deri në vitin 2021 në pushtet, nëse s’bën vaki ndonjë e papritur. (-lli)