Sa është majtiste gjenerata e tretë e të huajve në Zvicër?

Një studim tregon se ku qëndrojnë politikisht të huajt e gjeneratës së tretë.

Foto: Shutterstock



Për politikanët e ekstremit të djathtë në Zvicër është e qartë: të huajt që marrin shtetësinë e Zvicrës tradicionalisht votojnë partitë e majta. Sepse e majta, sipas kësaj logjike, lufton që të gjithë banorët e Zvicrës të kenë sa më shumë të drejta dhe «privilegje» sociale. Më 12 shkurt zviceranët do të votojnë në referendum mbi lehtësimin e procedurës për marrjen e shtetësisë nga ana e gjeneratës së tretë të të huajve. Sapo të marrin pasaportën zvicerane ata kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë në të gjitha nivelet e shtetit – komunë, kanton, konfederatë.

Ku qëndrojnë politikisht të huajt e gjeneratës së tretë, mes tyre edhe shumë shqiptarë? Përkundër frikës së qarqeve të djathta se të huajt anojnë nga e majta, deri më tani kanë munguar të dhënat serioze shkencore. Një përpjekje në këtë drejtim e ka bërë tani zvicerani Oliver Strijbis, i cili është profesor i shkencave politike në Universitetin Carlos III në Madrid. Vlerësimi i tij, i publikuar në bllogun e politologëve «50plus1», tregon: pjesëtarët e gjeneratës së tretë kanë qëndrime të ngjashme politike si zviceranët pa prejardhje të huaj.

Strijbis i deklaroi për gazetën «Tages Anzeiger» se në bazë të anketave rezulton se gjenerata e tretë anon më shumë nga e djathta se gjenerata e prindërve apo gjyshërve. Shumica e pjesëtarëve të gjeneratës së tretë preferon të zgjedhë partitë e qendrës apo të djathta, liberalët, demokristianët, të gjelbrit liberalë. I barabartë është numri i atyre që përkrahin partitë e majta dhe të ekstremit të djathtë, siç është Partia Popullore e Zvicrës (SVP). (-lli)

Raporti në web: http://www.50plus1.ch/?p=841