Sa duhet të punoni për një iPhone?

Celulari merret si masë për standardin ekonomik të një shoqërie. Përmes kësaj, një studim nxjerr që fuqia blerëse e zviceranëve është më e larta në botë. Në Zvicër duhen vetëm disa orë punë për të blerë një iPhone.

d8nn / Shutterstock.com



Në Zvicër duhet të punohet më së paku në botë për të blerë një iPhone 6. Në Cyrih për këtë mjaftojnë 20,6 orë pune, kurse në Gjenevë – një orë më tepër. Kjo i bie dy ditë e gjysëm punë. Në vendin e tretë vijnë njujorkezët me 24 orë. Kurse më së shumti punë për të blerë një iPhone 6 iu duhet njerëzve në Kiev: 627 orë. Kështu e transmeton «20 Minuten» studimin e UBS-it, ku janë krahasuar 71 vende. Përfundimisht: Fuqinë më të lartë të blerjes në botë e kanë Cyrihu dhe Gjeneva, ndërsa më të ulët, pas Kievit – Xhakarta dhe Nairobi. Ndërsa fuqia blerëse e zviceranëve shpjegohet me forcën e valutës së vendit. Pavarësisht disavantazheve që sjell kjo, në fusha të caktuara ajo i bën mirë kostos së jetesës së popullatës.

Për ta matur fuqinë blerëse të këtyre vendeve të ndryshme, autorët e studimit i kanë mbledhur çmimet e 122 artikujve dhe shërbimeve të cilat ofrohen në botë. Këtu, ndër të tjera, bën pjesë çmimi i një kilogram buke, një lirti qumësht ose qethja e flokëve te berberi. Shporta e caktuar është konform shprehive mujore të konsumit të një familjeje europiane.

Përveç fuqisë blerëse, në Cyrih dhe Gjenevë edhe të ardhurat neto janë më të larta në botë. Kjo lidhet me faktin që barra tatimore në Zvicër, në krahasim ndërkombëtar, është ndër më të ulëtat. Tek të ardhurat neto, në studim janë zbritur vetëm të dhënat për tatime dhe sigurimet shoqërore, sikurse ai i moshës dhe pensionit. Nuk janë konsideruar të dhënat për sigurimin shëndetësor dhe taksat e tjera. Sipas autorëve, kjo bën që Zvicra në plan ndërkombëtar të dalë më mirë se ç’duhet. Në Kopenhagë të ardhurat tatimohen me 45 për qind, ndërsa në Cyrih me vetëm 7 për qind. Atje prandaj shpenzimet për shëndetësinë dhe çerdhet i merr shteti, kurse këtu ato paguhen veçmas.

Studimi jep të dhëna edhe për atë se në cilat qytete këto 122 produkte dhe shërbime janë më të shtrennjta. Sipas tij, Cyrihu, Gjeneva dhe Nju Jorku janë qytetet më të shtrenjta në botë. Në studimin e njëjtë të para tre viteve, më i shtrenjti ishte kryeqyteti norvegjez, Oslo. Shpjegimi për këtë transformim është përsëri forcimi i frangës dhe dollarit kundrejt krunës norvegjeze. Një gjë nuk është konsideruar në studim: kostoja e banimit. Sikurse të mirrej parasyshë kjo, Nju Jorku do të dilte qyteti më i shtrnjtë në botë, para Cyrihut dhe Gjenevës. Qiraja në qytetet zvicerane ndonëse e lartë, sillet sikurse në metropolet e tjera europiane, në Nju Jork ajo është jashtëzakonisht e kushtueshme. ks