Rusia nxit frikë në Ballkan para syve të NATO-s

Reportazh i «New York Times» nga Kosova. Koloneli Corwin Lusk, komandant amerikan i grupit multinacional lindor të KFOR-it, pajtohet se zgjedhjet serbe po nxisin deklaratat acaruese dhe se Rusia po luan me këtë lojë, megjithëse dyshon se Rusia kërkon konfrontim direkt në Ballkan. «Do të ishte sjellje shumë joracionale sepse do të ishte luftë që nuk do të mund ta fitonin», ka deklaruar ai. «Është luftë që askush nuk do të shpëtonte pa plagë e pa u djegur».

Trupa amerikane gjatë një ushtrimi.



Në malet e dendura përgjatë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, një patrullë e ushtarëve amerikanë nën komandën e NATO-s patrullon nëpër baltë e llucë, me sytë katër nga trafikantët dhe kushdo që provon ta kalojë kufirin. Duke pasur parasysh të kaluarën e përgjakshme të këtij rajoni, gjendja e tanishme është goxha e qetë, së paku në këtë pjesë.
Është kjo zonë që ndan Serbinë dhe Kosovën, ku kanë nisur të çojnë krye armiqësitë e vjetra në rajonin e Ballkanit, i cili ka vuajtur shumë shekullin e kaluar dhe po rrezikon të shndërrohet prapë në zonë kritike. Dhe përsëri është përzier Rusia, duke nxitur tensione derisa po mundohet të shfrytëzojë ndryshimet politike në një zonë që dikur shihej si triumf i diplomacisë amerikane të muskujve – por që tani po minon sfidat në rritje me të cilat po përballen NATO-ja dhe Bashkimi Europian.

«Rusia mendon se Perëndimi po përzihet në oborrin e saj dhe presidenti Vladimir Putin dëshiron të tregojë se mund t’ia kthejë me të njëjtën kartë», thekson Dimitar Bechev, ekspert për politikën ruse dhe ballkanike, dhe drejtues i Institutit të Politikës Europiane në Sofje. «Ata e shohin Ballkanin si pjesë të poshtme të Perëndimit, dhe e përdorin për ta ngarkuar me peshën e rëndë, dhe e projektojnë si pushtet me kosto të lirë».

Pothuajse tetëmbëdhjetë vite pasi ndërhyrja e prirë prej Shteteve të Bashkuara i dha fund aneksimit serb të Kosovës, patrullat amerikane në kufi janë pjesë e misionit më të gjatë në histori të NATO-s. Megjithëse Bashkimi Europian ka shënuar përparim të kufizuar me ndërmjetësimin e marrëveshjeve ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë, prania e forcave të NATO-s ia ka dalë të ruajnë paqen e brishtë, me zemërimet ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe pakicës serbe që ende janë të gjalla.

Prapëseprapë, NATO-ja tani po përballet me konfrontime të veta, pavarësisht nëse bëhet fjalë për sfidën e hapur që e ka ngritur presidenti amerikan Donald Trump, për besnikërinë amerikane ndaj aleancës, apo me provokimet në rritje nga ana ruse. Aleanca ushtarake ka dërguar përforcime në Poloni dhe në shtetet baltike për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve ruse, por përfshirja ruse në Ballkan ka mbetur pa vëmendje të madhe.

Rusia ka lidhje të vjetra historike me Serbinë dhe e kundërshtoi ashpër luftën e NATO-s në Kosovë më 1999. Pas fushatës bombarduese të NATO-s të prirë prej amerikanëve, Serbia humbi kontrollin në rajon, por vazhdon t’i mbështet serbët atje, duke u zotuar se nuk do ta njohë sovranitetin e Kosovës, të cilën e konsideron djep të popullit serb dhe të besimit ortodoks. Vladimir Putini ka vazhduar të mbështet Serbinë, si dhe serbët që jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë – dhe ka vazhduar të përzihet në marrëdhëniet e ndërlikuara të politikës në Ballkan.

Për ata që nuk janë të informuar, Moska ka përkrahur serbët e Bosnjës kur mbajtën referendumin kundërthënës në nëntor që do të mund të rriste kërkesat për më shumë pavarësi – ose të plotë – nga Sarajeva. Një muaj më vonë, Rusia ka përkrahur partitë e pushtetit në zgjedhjet e ndjeshme në Maqedoni, një tjetër ish-republikë jugosllave. Bashkimi Europian organizoi zgjedhjet për ta ndihmuar vendin që të dalë prej krizës politike.
Në Mal të Zi, shteti i vogël fqinj dhe ish-aleat i rusëve, që tani po i bashkohet NATO-s, autoritetet kanë bërë të ditur se e shpëtuan vendin prej një grushti të shtetit të planifikuar të orkestruar prej rusëve.

Pastaj në janar, Moska vendosi të merrte një hap shtesë me ndihmën ofruar Serbisë për kontestimin e pavarësisë së Kosovës, duke përkrahur një seri provokimesh që dëmtuan përpjekjet për normalizim diplomatik, të njohur si dialogu i Brukselit, e që është sponsoruar nga Bashkimi Europian. Ai proces ka prodhuar së fundi një ndryshim të vogël, meqë Kosova do ta merrte kodin e saj telefonik +383.

Prej se Kosova shpalli pavarësinë më 2008, megjithatë qeveria e dominuar nga shumica etnike shqiptare në Prishtinë ka dështuar të integrojë pjesët e dominuara nga serbët në veri të Ibrit nën ombrellën qendrore, përfshirë Mitrovicën, qytetin e dytë për nga madhësia në vend.

Por derisa kosovarët po e festonin këtë kthesë të vogël (prefiksin e telefonik), serbët ndërtuan një mur betoni që ndante veriun të dominuar nga pjesa serbe e Mitrovicës nga shqiptarët etnikë në pjesën jugore. Muri ishte ndërtuar prej palës serbe matanë urës që ndan Ibrin, projekt që Bashkimi Europian e financoi me shpresë se do të lidhte bashkësitë e ndara.
Zyrtarët e Bashkimit Europian kërkuan me zemërim që muri të rrëzohej, por serbët e sfiduan, duke detyruar të shtyhej ceremonia e inaugurimit të urës. Këtë muaj, muri është rrëzuar, por një barrierë mezalike vazhdon të mbetet dhe pamundëson qarkullimin e makinave dhe qytetarëve.

Për më tepër, qeveria serbe dërgoi një tren rus nga Beogradi drejt Mitrovicës, të ngjyrosur me pamflete e shenja që deklaronin se «Kosova është Serbi» të shkruar në mbi 20 gjuhë. Kosova e ndali trenin në kufi, duke e akuzuar Serbinë se dëshiron të ndërmerr pushtim të veriut të Kosovës, sipas modelit rus për aneksimin e Krimesë. Serbia në anën tjetër akuzoi shqiptarët etnikë se kishin vënë mina përgjatë hekurudhës dhe se planifikonin një fushatë bombardimi të serbëve dhe të vendeve të tyre të shenjta.

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, i cili mendohet se ka mbështetjen e Rusisë derisa po kërkon një tjetër mandat presidencial prej pesë vitesh në prill, kërcënoi me dërgimin e trupave të tij në Kosovë për t’i mbrojtur serbët nëse është e nevojshme.

«Nëse vriten serbët, do ta dërgojmë ushtrinë në Kosovë», deklaroi Nikoliq pas episodit të trenit, që mendohej se do të rivendoste lidhjen e këputur prej kohës së bombardimeve të NATO-s më 1999. Ai paralajmëroi zyrtarët në Prishtinë që të mos provokonin konflikt, duke theksuar se do «përfundonin keq».

Ambsadori rus në Serbi, Aleksandr Chepurin, shkroi së fundi një editorial në gazetën serbe «Politika», duke vlerësuar se Moska do ta përkrahte Serbinë «të parandalojë përpjekjet për krijimin e pseudoshtetit artificial të Kosovës».

Milan Nic, analist i Ballkanit në Institutin e Politikave GlobSec, grup i pavarur mendimi nga Bratislava, ka deklaruar se deklaratat e forta për Kosovën janë të zakonshme në prag të zgjedhjeve serbe, por kështu Serbia asnjëherë nuk do t’i përmirësonte raportet me Bashkimin Europian, e lëre më t’i bashkohet duke pretenduar se ish-krahina jugore është pjesë e saj.

«Nëse përnjëmend duan të përmirësojnë jetën e serbëve në Serbi», ka deklaruar Nic, «ata duhet të heqin dorë prej këtij iluzioni».

Koloneli Corwin Lusk, komandant amerikan i grupit multinacional lindor të KFOR-it, pajtohet se zgjedhjet serbe po nxisin deklaratat acaruese dhe se Rusia po luan me këtë lojë, megjithëse dyshon se Rusia kërkon konfrontim direkt në Ballkan.
«Do të ishte sjellje shumë joracionale sepse do të ishte luftë që nuk do të mund ta fitonin», ka deklaruar ai. «Është luftë që askush nuk do të shpëtonte pa plagë e pa u djegur».
Shumë shqiptarë dhe serbë etnikë që jetojnë në Kosovë i druajnë një tjetër lufte. Pothuajse 120 mijë serbë jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, dhe shumica prej tyre përkrhain frymën e ngjallur të nacionalizmit serb. Por janë rreth 70 mijë serbë të shpërndarë nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës që druajnë se janë më të ekspozuar ndaj hakmarrjes.

Në qytezën e Deçanit në jugperëndim të Kosovës, 20 klerikë serbë qëndrojnë në një manastir ortodoks serb, që është pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur prej UNESCO-s dhe mbrohet prej trupave të NATO-s që të mos sulmohet prej joserbëve. Abati i manastirit, ati Sava Janjiq, ka thënë se diskursi nacionalist nga Serbia «shpesh na kthehet si bumerang».

«Sa herë më telefonojnë nga Serbia, më pyesin: A ka luftë atje? A duan t’ju vrasin?», ka deklaruar ati Janjiq, 52 vjeç. «U them: Jo, nuk po na vrasin. Nuk ka luftë. Nuk mund të rrej. Por edhe nuk po them se situata është për mrekulli».

Detyra e NATO-s në rajon është shumë e ndërlikuar. Niveli i trupave ka rënë në rreth pesë mijë në dekadën e fundit, përfshirë edhe 650 ushtarë amerikanë, dhe detyra e tyre përfshin patrullat kufitare, si dhe vrojtimin ndasive të ndjeshme në rajonin e ndarë në baza etnike.
Në mungesë të ushtrisë së tyre,shqiptarët etnik i shohin trupat e NATO-s si mbrojtës të shtetit të tyre.

«Ata janë këtu që të na mbrojnë nëse serbët duan ta në sulmojnë prapë», thekson Belkize Sahatçiu, 46 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, që punon në një dyqan këpucësh në pjesën serbe të Mitrovicës.

Sidoqoftë, shumë serbë që jetojnë në Kosovë i përshkruajnë trupat e aleancës ushtarake si pushtuese e jo si mbrojtëse, ka deklaruar Lilijana Miliq, që ka një fermë përgjatë rrugës ndërmjet Mitrovicës dhe Prishtinës.

«Ato nuk po e mbrojnë askënd, aq më pak ne», ka deklaruar ajo. «Erdhën që ta pushtonin këtë tokë, dhe tani po rrinë në bazat e tyre. Ku ishin kur njerëzit u dëbuan nga shtëpitë e tyre midis dite?»

Njëherësh, Miliq fajëson politikanët serbë në Beograd për fatkeqësinë e serbëve të Kosovës. «Ata veç flasin, flasin e flasin për mbrojtjen tonë», thekson ajo, «por krejt çfarë duan është të kujdesen për interesat e tyre».

Copyright për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus. Ndalohet ribotimi nga mediume të tjera.