Rusia nuk u largua kurrë nga Ballkani

Duke bërë një përshkrim të shkurtër historik nga shekulli 18, Marcus Tanner, mbron idenë se Rusia ka gëzuar përherë ndikim në Ballkan, pavarësisht ndryshimit në përmasa përgjatë viteve. Tani, Tanner arsyeton se pak konkurrencë mes Rusisë dhe Perëndimit për ndikim në Ballkan, nuk do të ishte keq.

Foto: Shutterstock



Mes diskutimeve të ethshme për një zgjerim të mundshëm rus në vendet baltike, kthimi i qetë, por i qëndrueshëm i Rusisë si një aktor në Ballkan ka tërhequr pak vëmendje. Nëse ndonjë lider perëndimor është në panik për zgjedhjen e presidentëve pro-rusë në Bullgari dhe Moldavi, kjo mbetet për t’u thënë. Përveç zhvillimeve në Bullgari dhe Moldavi, Kremlini ka qenë shumë i zënë tjetërkund në rajon. Rusia po forcon lidhjet me Serbinë nacionaliste, i ka dhënë forcë serbëve të Bosnjës në luftën e tyre për më shumë pavarësi – ose pavarësi totale – në Bosnjë, i ka dhënë zemër serbëve të Kosovës të kërkojnë të njëjtën gjë në Kosovë dhe – përmes mbështetjes për opozitën në Malin e Zi – e ka mbajtur këtë vend në tension.

Nëse Rusia duket e vendosur të kthehet në Ballkan, është ngaqë nuk është mësuar të lihet jashtë. Për shekuj, e ka parë Ballkanin si një sferë natyrale të influencës, të paktën që prej sundimit të Pjetrit të Madh që e mori Malin e Zi në mbrojtjen e tij. Një ditë më e rëndësishme në histori erdhi më vonë, më 1774, kur Katerina e Madhe detyroi Perandorinë Osmane të nënshkruante Traktatin e Küçük Kaynarca, që i dha Rusisë vlera të paqarta «për të përfaqësuar» popullin e krishterë të Ballkanit. Ky zhvillim i rëndësishëm vulosi rolin e Rusisë zyrtare si padron dhe figurë atërore për të krishterët ortodoksë të Ballkanit – një rol që si Rusia ashtu dhe ortodoksët e Ballkanit e kanë marrë seriozisht që atëherë.

Katedralja Alexander Nevski në Sofje, e ngritur në homazh të trupave rusë që çliruan Bullgarinë nga osmanët në vitet 1870, është vetëm një memorial i dukshëm ndaj shumë lidhje që ka populli bullgar me Rusinë, për shembull. Pas krijimit të Bullgarisë, Rusia mori një lloj kontrolli. Kur sovrani i parë i vendit, Aleksandri i Batenbergut tregoi shenja të pavarësisë nga Rusia, ai u detyrua të largohej në 1886. Më vonë, në vitet 1900, pas një revolucioni në Beograd që përmbysi dinastinë pro-austriake, interesi rus kaloi drejt Serbisë së veriut, që përgjithësisht e kishte provuar veten si më i bindur se Bullgaria – bullgarët kishin rezultuar më pak të gatshëm për të mësuar nga sa shpresohej. Mali i Zi, megjithatë, mbeti një satelit virtual, me princat që jetonin nga pensioni rus.

Pas luftës së parë botërore, që siç dihet filloi me pushtimin rus në mbështetje të Serbisë, Rusia u la jashtë Ballkanit për herë të parë që nga shekulli 18, ndërsa revolucioni sovjetik filloi të shihej me tmerr nga monarkitë e Ballkanit. Lufta e dytë botërore, nga një pikëpamje ruse, ktheu rendin natyror, ku partitë me bindje moskovite drejtonin të gjithë rajonin përveç Greqisë dhe më pas Jugosllavisë. Kujtime të hershme të dominimit shpjegojnë përse Rusia ndihet aq e acaruar që u la jashtë Ballkanit sërish, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ekziston, sigurisht, një ndryshim sasior mes llojit të perandorisë që disa në Kremlin ëndërrojnë të rikrijojnë në Ballkan sot dhe punëve të shtetit që ekzistonin nga 1944-5 në 1990-1.

Fuqia e Rusisë sovjetike atëherë përfshinte të gjithë rajonin dhe ishte një forcë e madhe e pasfidueshme. Ndikimi rus sot është i kufizuar në disa zona të Ballkanit dhe bazohet kryesisht në mbështetin popullor – me pak ekonomi, kryesisht energji të përfshirë. Greqia, me gjithë identitetin e saj ortodoks, nuk ka qenë kurrë interes i madh për Rusinë – siç zbuluan komunistët grek kur Stalini i braktisi ata në fund të viteve 1940. Rumania ortodokse është një tjetër zonë e ndaluar. Edhe në periudhën komuniste, rumunët, me identitetin e tyre latin, nuk ishin të hapur.

Kroacia, Shqipëria dhe Kosova [e kontrolluar nga qeveria] janë gjithashtu zona ku Rusia nuk ka shpresë të shtrijë ndonjë influencë reale, jo më dominimin e vet. Ose katolikë ose myslimanë, identiteti sa i vjetër dhe i ri i Rusisë si një fuqi ortodokse e krishterë nuk përbën tërheqje për to. Në fund, sferat e mundshme të aktivitetit rus janë Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, pjesa e vogël serbe e Bosnjës dhe me gjasa Maqedonia. Në këto vende, mes serbëve veçanërisht, diskutimi i Rusisë si një armik është i panatyrshëm, shkon kundër ndjenjës kombëtare dhe bie ndesh me një ndjesi të fortë solidariteti etnik dhe fetar.

Penetrimi rus edhe në këto vende nuk mund të shkojë shumë larg gjithsesi. Bullgaria tashmë është në Bashkimin Europan dhe Serbia do të donte të ishte – në fund mendja e mund zemrën. Edhe në Malin e Zi, një peshk i vogël përkundrejt balenës ruse, opozita pro-ruse duket se nuk mund të përmbysë elitën dominante pro-perëndimore që është e vendosur ta fusë Malin e Zi në BE dhe NATO. Serbët e Bosnjës, ose të paktën liderët e tyre, janë hedhur plot entuziazëm në krahët e Kremlinit – por vlera e saktë e kësaj aleance mbetet ende për t’u testuar.

Një leksion i historisë është që Rusia – një vend i madh me interesa të shumëllojshme – nuk “i kënaq” përherë klientët e saj të ardhshëm të Ballkanit. Por kënaqi Serbinë në 1914. Por më herët, në “krizën e aneksimit” të Bosnjës në 1908, kur Serbia u mobilizua kundër Austrisë me pritshmërinë se Rusia do të shkonte në luftë, kjo e fundit u tërhoq. Serbët e Bosnjës mbetet të zbulojnë nëse Rusia do t’i mbështesë ata deri në fund nëse vjen puna për t’i dalë kundër boshnjakëve dhe aleatëve të tyre perëndimorë. Sa për perëndimin vetë, edhe ai gjithashtu do të mësojë që ndikimi i tij në rajon është i kufizuar – dhe jo ai që ishte dhjetë vjet më parë. Është e lehtë të bëhen parashikime pesimiste prej kësaj – por mund të rezultojë diçka e mirë.

Për shumë kohë, fuqia perëndimore në Ballkan qëndronte në faktin se nuk kishte alternativë. Kjo mund të ketë anën e saj të mirë, por ka inkurajuar vetëkënaqësi, neglizhencë, mendim përtac dhe diktat. Nëse perëndimi duhet të konkurrojë për ndikim në Ballkan, në vend që ta marrë atë për të mirëqenë, do të duhet të jetë më i mprehtë, të përpiqet të joshë njerëzit dhe të angazhohet. Shumë konkurrencë në Ballkan do të ishte – sigurisht – shkatërrimtar për rajonin. Por pak më shumë konkurrencë nuk do të bënte keq.

Marcus Tanner është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe gazetar i jashtëm për gazetën britanike, Indipendent. Përpara se t’i bashkohej BIRN në 2006, ai ka punuar si korrespondent për Ballkanin për Indipendent nga viti 1989 deri në vitin 1994, dhe zëvëndesredaktor i faqes së botës deri në vitin 2001. Tanner është autor i disa librave si, «Croatia, A Nation Forged in War», «Ireland’s Holy Wars», «Last of the Celts», «The Raven King: Matthias Corvinus and the Fate of His Lost Library», si dhe «Albania’s Mountain Queen: Edith Durham and the Balkans». – Ky tekst u botua fillimisht nga: https://www.reporter.al/rusia-nuk-u-largua-kurre-nga-ballkani/