Rusia ngacmon zgjoin e grerëzave në Ballkan

Rusia do të vazhdojë me përpjekjen për shfrytëzimin e ndasive në Ballkanin Perëndimor, tradicionalisht teatër i garës për shumë fuqi botërore. Ndikimi rus do të vazhdojë të shtrihet në shumë pjesë të trazuara të Ballkanit, përfshirë Serbinë, veriun e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Me fryrjen e flakëve të tensioneve në rajon, Moska do të mund të instruktonte një seri krizash që do ta sfidonin Perëndimin të përmbahej, shkruan agjencia amerikane për analiza gjeostrategjike Stratfor.

Vladimir Putin. Foto: Shutterstock



Gadishulli Ballkanik ka qenë ngaherë periferi e perandorive. Rajoni, me mishmashin e etnive, feve dhe lëvizjeve politike, ka qenë gjatë gjithë historisë fushë e lojës për fuqitë konkurruese botërore. Rusia nisi të hahej me Perandorinë Austro-Hungareze dhe me atë Osmane për ndikim në rajon në shekullin nëntëmbëdhjetë. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, Jugosllavia u bë fushëbetejë ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit, pavarësisht statusit jugosllav të painkuadruar pas Luftës së Dytë Botërore. Derisa Perëndimi mundohej ta joshte vendin me ndihmë ekonomike, sovjetikët luajtën me Partinë e tyre sunduese Komuniste, dhe dy palët vazhduan përplasjen e tyre edhe në vitet tetëdhjetë. Dhe kur Jugosllavia u prish më 1991, palët ndërruan pozicionet. Prishja e Bashkimit Sovjetik e la në situatë të papërshtatshme Moskën derisa njësitë përbërëse jugosllave po kalonin nëpër tranzicion drejt sovranitetit të plotë, duke ia lënë këtë detyrë Bashkimit Europian. Prej atëherë, Perëndimi ka dominuar raportet ekonomike dhe të sigurisë me shtetet e Ballkanit.

Megjithatë Rusia ka ruajtur rrënjët e veta në Ballkan. Dhe sot, kur po thellohen ndasitë e Bashkimit Europian dhe po mbisundon paqartësia për të ardhmen e NATO-s, Moska ka kthyer edhe njëherë sy e vesh kah rajoni. Stabiliteti i Ballkanit ka qenë temë e nxehtë në takimet e presidentit rus, Vladimir Putin, me Këshillin e Sigurisë në Kremlin sivjet, saqë kryeshefi i Këshillit deklaroi se ishte top prioritet për Moskën. Incidentet me përzierje të Moskës në Ballkan janë në ngritje, njëherësh vazhdon dilema nëse rajoni do të jetë teatri i radhës në luftën e vazhdueshme të Moskës kundër fuqisë dhe unitetit perëndimor. Mbi të gjitha, ngritja e tensioneve në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni ia ofron qeverisë ruse mjetet e përshtatshme për të rritur ndikimin e saj dhe të çorientojë Perëndimin.

Kryqëzimi i shpatave në Serbi

Prej fundit të Luftës së Ftohtë, Serbia, ndryshe prej shumicës së shteteve fqinje pro-perëndimore, ka qëndruar në mes të dinamikës Rusi-Perëndim. Vendi ka ruajtur lidhjet e forta kulturore dhe fetare me Rusinë me qëllim të mbajtjes së raporteve të vazhdueshme me Moskën, njëherësh duke ndjekur rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, ndikimi rus gjatë dy viteve të kaluara ka shënuar ngritje të madhe dhe bie në sy. Numri i mediave dhe organizatave joqeveritare ruse në vend ka shënuar prej disa sosh në mbi 100 më 2015, ka bërë të ditur Qendra për Studime Euro-Atlantike në Beograd. Dy rrjetet kryesore ruse të lajmeve, Sputnjik dhe RT (që më parë njihej si Russia Today), kanë nisur të dyja të ofrojnë programe televizive, lajme online dhe emetime nëpër radiostacionet në gjuhën serbe. Përveç kësaj, gazeta shtetërore ruse, «Rossiyskaya Gazeta», boton «Nedeljnik», e përjavshme goxha e lexuar, në Moskë para se të publikohej edhe në Serbi. Në këto publikime këta retorikë të fuqishme antiperëndimore, ta zëmë nëpërmjet referencës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë më 1999 dhe me përkrahjen ruse për Beogradin zyrtar gjatë kohës së konfliktit. Dhe strategjia duket se ka shkrepur. Një anketim ka treguar se në shkurt në të përjavshmen serbe, «Vreme», se diku rreth 68 për qind e serbëve preferojnë raportet me Rusinë para atyre me Bashkimin Europian.

Njëherësh, Rusia dhe Serbia kanë rritur me të madhe bashkëpunimin ushtarak në muajt e fundit. Një aeroplan rus që po bartte 40 tonelata ushqime, veshmbathje dhe pajisje mjekësore nga Serbia fluturoi drejt Sirisë në tetor 2016. Në muajin tjetër, ushtritë ruse dhe bjelloruse mbajtën manovra ushtarake në Serbi që rastisën me manovrat e NATO-s matanë kufirit në Malin e Zi fqinj. Qeveria në Beograd për më tepër do t’i marrë gjashtë bombardues MIG dhe shumë tanke dhe makineri luftarake gjatë javëve të ardhshme si dhuratë nga Moska, e cila i ka ofruar edhe shitjen e sistemeve anti-ajrore Buk. (Pajisjet do të jenë një version më i ri i teknologjisë sovjetike në të cilin ende mbështetet Serbia.)

Kryqëzimi i shpatave është teatër politik që për qëllim ka t’i kënaq apetitet e votuesve nacionalistë serbë në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit. Por nën qilimin politik serb ka një mori tensionesh ndërmjet vendit dhe shteteve fqinje – sidomos në raport me Kosovën, pavarësinë e së cilës nuk e njeh Serbia. Këto dy shtete për pak sa nuk u zhytën në luftë në janar kur Qeveria e Kosovës dërgoi njësitet speciale policore në pjesën veriorit të territorit të shtetit, me vendbanime kryesisht serbësh të Kosovës, për të ndalur një trend me frazën «Kosova është Serbi» në 21 gjuhë. Duke iu kundërpërgjigjur incidentit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi Serbinë se po mundohej ta përdorte «modelin e Krimesë» për të marrë pjesën veriore të vendit të tij. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, njëherësh i telefonoi homologut rus për të kërkuar ndihmë, duke nxitur frikën për luftë të re.

Receta e një krize

Tani që Kosova po flirton prapë me idenë e transformimit të Forcës së Sigurisë me armatim të lehtë në ushtri të vërtetë, janë acaruar përsëri raportet ndërmjet dy shteteve. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s janë kërcënuar se do ta rishikojnë bashkëpunimin me FSK-në nëse Kosova vazhdon me planin për ushtrinë. Prapëseprapë, presidenti Thaçi ka dërguar draftin e ligjit për aprovim në seancë të rregullt kuvendore, duke cituar marrëveshjet e fundit ushtarake të Serbisë me Rusinë dhe ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës si arsye për masa të reja në terren. Qeveria e Kosovës është e shqetësuar se ndërmjet ndasive të brendshme të Bashkimit Europian dhe administratës së re amerikane, Perëndimi nuk dëshiron të humbë kohë ose nuk e ka vëmendjen te ruajtja e sigurisë së shtetit të shpallur para nëntë vitesh. Dhe nëse vazhdojnë të ngrihen tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Rusia do të mund t’i përdorte për të instruktuar mjeshtërisht shpërthimin e një krize të plotë në terren.

Në fakt, Moska së fundi po përballet me akuzat se të njëjtën punë ishte munduar ta bënte në Mal të Zi. Qeveria malazeze ka akuzuar forcat ruse të sigurisë për komplot për vrasjen e Milo Gjukanoviqit, kryeministrit të atëhershëm malazez, pak para shpalljes të rezultatit të zgjedhjeve në tetor në përpjekje për të bllokuar rrugëtimin pothuajse afër finalizimit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO Ish-zëvendësatasheu ushtarak i Rusisë në Poloni, i cili ishte dëbuar nga Varshava më 2014 për spiunazh, e organizoi planin, ka bërë të ditur prokuroria speciale malazeze. Duke hedhur edhe më shumë benzinë në zjarr, Gjukanoviqi deklaroi se Moska kishte derdhur shuma të majme parash në fushatën parazgjedhore të vendit. Serbia arrestoi dhe dëboi një grup rusësh të akuzuar për planifikim të puçit në javët pas zgjedhjeve malazeze, dhe 21 të dyshuar u arrestuan në Mal të Zi. Moska, nga ana e saj, ka mohuar se kishte gisht në komplot dhe akuzoi Qeverinë malazeze për fabrikim të puçit. Pavarësisht kësaj, prospekti për zgjedhje të reja më 2018 mund t’i ofrojë Rusinë një mundësi tjetër për hedhur farat e mospajtimit në qeverinë e brishtë malazeze.

Referendum për ndikimin e Rusisë?

Votimi i ngjashëm në Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës mund t’i ofrojmë ngjashëm mundësi Rusisë për të shtrirë ndikimin edhe atje. Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka bërë thirrje për mbajtje referendumi vitin e ardhshëm për pavarësimin e Republika Srpska, që është njësi e dominuar prej serbëve ortodoksë. (Propozimi të kujton referendumin e mbajtur në Krime pak para aneksimit nga Rusia.) Dodiku, i cili e përmendi së pari referendumin gjatë fushatës zgjedhore për presidencë më 2014, ka folur hapur për lidhjet e tij me Moskën. Dy javë para zgjedhjeve presidenciale, shkoi në Moskë dhe u takua me vetë Putinin, dhe në ditën e zgjedhjeve doli me ultranacionalistin dhe propagandistin e madh rus, Konstantin Malofev në një kafene hoteli pas votimit. Mlofevi është agjent i këshilltarit presidencial rus, Vladislav Surkov; bashkërisht raportohet se kanë organizuar dhe financuar referendumet në Krime, Donjeck dhe Luhansk. Për më tepër, ai mbërriti në ditën e zgjedhjeve me një grup rusësh që më vonë u panë duke ecur rrugëve para qendrave të votimit. Dodiku ia doli të siguronte fitore të ngushtë në zgjedhje, duke ngushtuar fushën e veprimit të resë ruse në Bosnjë-Hercegovinë nëpërmjet tij. Për më tepër, përherë e më shumë media ruse në dy vitet e fundit janë vendosur përgjatë kufijve serbë për të shtrirë ndikimin. Megjithëse votuesit në Republika Srpska janë të ndarë lidhur me çështjen e ndarjes, fushatat e mediave të Kremlinit do të marrin me gjasë vrull me afrimin e referendumeve, mbase duke ngacmuar njërin prej fuqive më të mëdha të barutit në politikën e Ballkanit të sotëm.

Vala e dezinformatave

Shteti me shumicë sllave, Maqedonia, tashmë është cak i fushatës ruse të dezinformimit. Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahje të lëvizjeve separatiste në mesin e pakicës shqiptare të vendit përherë të brishtë, të cilët përbëjnë më shumë se 25 për qind të popullsisë. Gjatë javëve të kaluara, anëtarët e bashkësisë shqiptare të Maqedonisë kanë dalë në rrugë duke kërkuar krijimin e qeverisë së tyre, kauzë që Moska pretendon se po përkrahet nga Perëndimi me qëllim të krijimit të të ashtuquajturës, Shqipëri e Madhe. Sipas burimit të Stratforit, ambasadat gjermane dhe austriake në vend po mundohen t’i kundërvihen propagandës ruse, siç po vepron edhe Radio Europa e Lirë amerikane. Megjithatë, anketimet e fundit tregojnë se shumica e maqedonasve do t’i ktheheshin shumë më shpejt për ndihmë Rusisë në të ardhmen se Perëndimit, për shkak se dyshojnë në zotimet perëndimore. (Në të vërtetë, raportohet se Washingtoni po planifikon ndaljen e fondeve të Radios Europa e Lirë, duke krijuar kështu boshllëk në mediat maqedonase, që do ta mbushte Rusia.)

Ani pse destabiliteti në Maqedoni ndryshon krahasuar me atë në Kosovë ose në Republika Srpska, gjendja e tanishme është një tjetër shembull i aktiviteteve të Rusisë në Ballkan. Afërmendsh se jo të gjitha shtetet në rajon kanë pritur krahëhapur përparimet e Moskës në rajon: Kroacia, shtet anëtar i Bashkimit Europian, si dhe i NATO-s, vazhdimisht ka punuar për mbajtjen larg kufijve të saj mediat ruse, bën të ditur burimi i Stratforit. Shqipëria, shtet anëtar i NATO-s, gjithashtu i ka rezistuar ndikimit rus, derisa mediat e Kremlinit kanë zgjedhur mbulimin e saj duke përfshirë edhe shërbime informative në gjuhën shqipe. Sidoqoftë, fushatat sigurisht se do të vazhdojnë. Për Moskën, përzierja në Ballkan ka çmim të lirë dhe rrok shumë vëmendje. Qeveria ruse nuk është dehur sa të mendojë se do të fitojë zemrat e shteteve të Ballkanit. Në fakt, Rusia e sheh rajonin si fole të grerzës. Duke ia prishur folenë, Moska do të mund të krijonte një seri krizash tepër të mëdha për Bashkimin Europian dhe NATO-n për t’u mbajtur, duke ia mundësuar kështu vetes një kartë shtesë në lojë në negociatat e saj me Perëndimin.