Rusia mund ta njohë Kosovën, thotë ekspertja britanike

Ekspertja e njohur britanike për çështjet e Rusisë thotë se Moska mund ta njohë Kosovën si pjesë e një dakordësie të madhe mes Amerikës dhe Rusisë.

Mary Dejevsky, një ish-korrespondente e Moskës dhe Uashingtonit dhe tani shkrimtare për Guardian dhe anëtare e organizatës Chatham House. Foto: Russia Today PrintScreen Youtube



Një nga ekspertet dhe analistet më të respektuara britanike për Rusinë ka hedhur idenë se Rusia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës si pjesë e një marrëveshje më të gjerë mes Uashingtonit dhe Moskës, sapo Donald Trump të betohet si president.

Mary Dejevsky, një ish-korrespondente e Moskës dhe Uashingtonit dhe tani shkrimtare për Guardian dhe anëtare e organizatës Chatham House, e ngriti idenë në revistën katolike britanike Tablet në botimin e 21 janarit ku reflektohen pasojat e mundshme të një takimi të suksesshëm Trump-Putin në të ardhmen e afërt.

Trump vazhdimisht ka shprehur dëshirën për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin pas inaugurimit të tij dhe për të krijuar marrëdhënie të reja SHBA-Rusi.

Dejevsky, që takon rregullisht liderë të Kremlinit përmes Valdai Group, ku zyrtarët rusë mblidhen çdo vjeshtë, sugjeroi se Moska mund ta njohë Kosovën si pjesë e një pakete që synon të mbyllë çështje të ndryshme diplomatike të pas-Luftës së Ftohtë që kanë penguar marrëdhëniet mes fuqive.

Në artikull, Dejevsky e përshkruan Trump si një person të dhënë pas marrëveshjeve, i cili do të kuptojë shpejt nëse liderët rusë duan vërtet një marrëveshje dhe që do të largohej për të bërë marrëveshje të tjera nëse ndjen se gjërat nuk po ecin.

Megjithatë, Dejevsky tha se Putin po investonte shumë në arritjen e një marrëveshje me administratën e re amerikane dhe kishte pak gjasa që ta linte rastin t’i ikte nga dora, pasi do të dëmtonte pozicionin e tij në atdhe.

Rusia ka kundërshtuar me kokëfortësi njohjen e Kosovës, një ish-provincë e aleatit të afërt Serbisë, që u nda me ndihmën e ushtrisë perëndimore në 1999 dhe shpalli pavarësinë e plotë në 2008.

Shumica e vendeve perëndimore, duke filluar me SHBA-në, kohë më parë kanë njohur shtetësinë e Kosovës, por vende si Serbia, Rusia, Kina dhe pesë shtete të ndryshme të BE-së dhe shumë vende të tjera nuk e kanë bërë. Ata që nuk e kanë njohur përfshijnë vende në Amerikën Qendrore dhe Latine dhe Azi si dhe gjysmën e shteteve në Afrikë.

Ritmi i njohjeve është ngadalësuar në vitet e fundit; vitin e shkuar vetëm dy shtete e njohën Kosovën, Surinami dhe Singapori. Së bashku, rreth 110 vende nga 193 anëtare të OKB e kanë njohur vendin ballkanik.

Ndërsa njohja e Rusisë do të përshëndetej si një arritje e madhe në Kosovë, do të vinte si një tronditje e madh për aleatin historik të Rusisë, Serbinë. Beogradi është zotuar të mos e pranojë shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon të pretendojë se Kosova është pjesë e integruar e territorit kombëtar, megjithëse ka rënë dakord të «normalizojë» marrëdhëniet me Kosovën sipas kërkesave të BE-së.