Rusia me qendër spiunazhi në Serbi?

Një qendër në Serbi po i nxeh gjakrat. Moska thotë se është një qendër për ndihmë emergjente në rast katastrofash. Specialistët e NATOS dyshojnë.

Foto: esfera / Shutterstock

Në zonën e komandos gjinden saçë përgjimi, depoja është e mbushur me pajisje shpëtimi. Një shtëpi betoni shërben si vend stërvitjeje. Për çfarë është fjala? Një qendër emergjente, sikurse pohon Moska – apo një stacion spiunazhi rus në zemër të Ballkanit?, shkruan «20 Minuten». Disa specialistë organizatash joqeveritare perëndimore dhe specialistë ushtarakë besojnë se rusët kanë ngritur një bazë ushtarake të fshehtë, e cila i shërben ndriçimit të iteresave ushtarake amerikane në rajon.

Përderisa Serbia i qëndron afër Rusisë, fqinjët e tjerë janë skeptikë. Sidomos Bullgaria, Rumania dhe Hungaria, të cilat kanë vuajtur aq shumë pas Luftës së Dytë Botërore nën regjimet komuniste. Nëse del që është një operacion ushtarak, atëherë ky do të ishte i pari i këtij lloji nga Rusia jashtë zonës së Bashkimit Sovjetik që nga prishja e Paktit të Varshavës në fillim të viteve `90-të.

Qendra ndodhet në afërsi të një vendfluturimi në Nish. Sipas vlerësimeve të analistëve perëndimorë, fjala është për një bazë të përbashkët të qeverive të Rusisë dhe Serbisë. Ajo shërben si një përgjigje ndaj ekspansionit të Natos në rajon. Vendet përreth Serbisë, ose janë anëtare të saj, ose dëshirojnë të aderojnë aty. Partneri rus në këtë qendër është Ministria Ruse e Emergjencave, një autoritet i madh gjysmëushtarak, detyrë e së cilës është ndihma në raste katastrofash. Mirëpo, thuhet në raport, ajo zbaton edhe detyra të shërbimeve të sigurimit. Kjo ministri prej kohësh ka pasur një rol në Serbi, si për pastrimin e minave dhe mjeteve të tjera shpërthyese të mbetura pas bombardimit të Serbisë nga Natoja më 1999.

Me rastin e hapjes së Qendrës më 2012, ish ministri rus i energjisë, tani ministër i mbrojtjes i refuzoi si shpifje spekulimet se Rusia po ngrit një bazë ushtarake në Serbi. Nga ana e Natos kanë refuzuar të komentojnë qendrat e tilla. Ata thjesht nuk janë të merakosur për këtë, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë. UE-ja është e qartë: Serbia duhet t’u qaset programeve të emergjencës së UE-së dhe t’u kthejë shpinën atyre ruse, nëse dëshiron të aderojë në Nato.

Në vizitën e fundit në qendrën humanitare ruso-serbe nuk gjinden gjurmë të tjera përveç atyre që shërbejnë për luftimin e zjarreve, përmbytjeve dhe katastrofave të tjera natyrore. Imazhet që iu janë treguar reporterëve të AP-së në monitoret e hapësirës komanduese vijnë nga kamerat vrojtuese brenda qendrës. Në këtë ngrehinë kishte pasur vetura të ndihmës së shpejtë, një Jeep, çadra të paketuara, gomone dhe pajisje për luftimin e zjarreve.

Sipas bashkëdrejtorit rus të qendrës, ajo nuk është në asnjë mënyrë asisoji e pajisur për ta spionuar Rumaninë, ku rishtazi janë stacionuar raketa amerikane, apo Kosovën, ku ka trupa paqësore të Natos dhe një bazë amerikane. Ai thotë se është e pamundur që një qendër e tillë të shndërrohet në një qendër spiunazhi: ajo është e vogël, ka një shtab prej tre serbëve dhe pesë rusëve e asgjë më tepër.

Rusi është ankuar se vende si Kroacia, por edhe Maqedonia dhe Bosnja nuk janë të prirur që në rast katastrofash të mëdha natyrore të pranojnë ndihmën ruse. Si puna e krizës së refugjatëve prej rreth një milion njerëz që lëvizën në itinerarin e Ballkanit.

Edhe Serbia synon aderimin në UE, por pa u prishur me Moskën. Kështu ajo nuk iu është bashkangjitur sanksioneve amerikane dhe të UE-së ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë. Raporti kujton që shumë njerëz në Serbi kanë një  qasje negative ndaj Perëndimit për shkak të bombardimit të Serbisë më 1999. Banorët e Nishit kishin qenë të dyzuar kur ishin pyetur për ngritjen e qendrës me rusët. Sido që të jetë, citohen zëra që mendojnë se opinionit nuk po i thuhet e vërteta e plotë dhe se po ndodh diçka që opinioni nuk e di. ks