Rusia kritikon vendimin e Hagës për të mos liruar Mlladiqin

Moska tha se ishte «konfuze» nga refuzimi i Gjykatës së Hagës për të liruar përkohësisht ish-liderin serb të Bosnjës Ratko Mlladiq dhe për ta lejuar atë të shkojë në Rusi për arsye shëndetësore.

Ratko Mlladiq në gjykatë.



Ministria e jashtme e Rusisë kritikoi vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, për të hedhur poshtë kërkesën për lirimin e përkohshëm të ish-liderit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq për të marrë trajtim mjekësor në Rusi.

«Refuzimi për të lejuar Mlladiqin, një serb, të marrë trajtim mjekësor është një shenjë treguese e drejtësisë së Hagës. Gjykata dikur miratonte lirimin e përkohshëm të të dënuarve për arsye shumë më pak serioze», tha ministria e jashtme ruse, sipas TASS.

Moska pretendoi se vendimi i Gjykatës dhe argumentet e saj do të «shkaktonin vetëm konfuzion».

Gjykata refuzoi ta lirojë Mlladiqin, i cili është në gjyq për krime lufte të kryera gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse ajo konsideron se trajtimin që ai merr në paraburgim është ai i duhuri.

Mlladiq pësoi dy infarkte para se të kapej dhe ekstradohej në Hagë në vitin 2011.

Avokatët e Mlladiqit paraqitën një mocion në Gjykatën e Hagës në mars duke kërkuar lirimin e përkohshëm të ish-gjeneralit serb të Bosnjës që ai të merrte trajtim mjekësor në Rusi.

Mocioni thoshte se 74-vjeçari Mlladiq ishte «në gjendje të komplikuar dhe kërcënuese për jetën» dhe kishte nevojë për kurim «që të lehtësonte efektet e gjashtë viteve në burg».

Avokatët paraqitën mendimet e tre mjekëve të cilët thanë se Mlladiqi nuk po merrte kujdesin e duhur mjekësor në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, dhe kjo po shkaktonte «përkeqësim serioz të gjendjes së tij shëndetësore».

Ata thanë se Rusia ishte e gatshme të garantonte se Mlladiqi do të kthehej në Hagë kur t’i kërkohej kjo gjë.

Megjithatë, prokurorët Peter McCloskey dhe Alan Tieger thanë se Mlladiq qe në arrati për 16 vjet dhe kështu që ekzistonte një rrezik i madh që ai të mund të arratisej para se të merrej vendimi në gjyqin e tij.

«Historia e tij e gjatë si një i arratisur i drejtësisë dhe ashpërsia e akuzave kundër tij tregojnë rrezikun se ai do të arratisej para dhënies së vendimit», thanë McCloskey dhe Tieger.

Ata thanë gjithashtu se Mlladiqi kishte marrë kujdesin e duhur në qendrën e paraburgimit të OKB-së.

Mlladiq u arrestua në vitin 2011 në fshatin Lazarevo, pranë Zrenjaninit, në Serbinë veriore pasi kaloi 16 vjet në arrati.

Mlladiq po gjykohet për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrje peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja dhe prokuroria dhanë deklaratat e tyre mbyllëse në gjyqin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimi pritet të merret në nëntor.

(https://www.reporter.al/rusia-kritikon-vendimin-e-hages-per-te-mos-liruar-mlladicin/)