Rusia fal interesat e borxhit bullgar mbi centralin bërthamor sovjetik

Kompania Atomstroyexport e Rusisë ra dakord të falë interesat e borxheve që Bullgaria i detyrohet për projektin e centralit bërthamor në Belene - me kushtin që Bullgaria të shlyejë principalin në tërësi deri më 15 dhjetor.

Centrali bërthamor në Belene. Foto: Atomstroyeksport

Një marrëveshje për shlyerjen e borxhit u nënshkrua nga kompania shtetërore e Bullgarisë për energjinë elektrike NEC dhe prodhuesit rus të centraleve bërthamore Atomstroyexport të mërkurën, bëri të ditur Ministria e Energjisë së Bullgarisë.

Një gjykatë arbitrazhi në Gjenevë urdhëroi NEC të paguajë te firma ruse 601.6 milionë euro për prodhimin e dy reaktorëve bërthamorë për centralin e anuluar të Belenes.

Gjykata vendosi në qershor që deri sa Bullgaria të shlyejë këtë borxh, ajo i detyrohet rusëve edhe 130 mijë euro interesa për çdo ditë vonesë.

Por kompania ruse premtoi se nëse Bullgaria do ta paguajë shumën e plotë para 15 dhjetorit të këtij viti, ajo do të anulojë interesat e akumuluara që nga 14 qershori, të cilat aktualisht arrijnë në 23,8 milionë euro.

Nëse borxhi nuk shlyhet brenda 15 dhjetorit por shtyhet deri më 25 dhjetor, Rusia pranoi të anulojë vetëm 55 për qind të interesave të akumuluara.

NEC pagoi sakaq 5 milionë euro si këst i parë i principalit.

Projekti i centralit bërthamor në Belene filloi në vitet 1970 por punimet u bllokuan në vitet 1990.

Pas disa përpjekjeve për riaktivizim, kryeministri aktual Boyko Borissov e braktisi projektin më 2013 për shkak të mungesës së fondeve dhe mungesës së interesit nga investitorët privatë.

Në qershor, një gjykatë në Gjenevë urdhëroi Bullgarinë të paguajë 550 milionë euro kompensim për kompaninë ruse që pati prodhuar dy reaktorët bërthamorë të destinuar për projektin e braktisur.

Në shtator, qeveria miratoi një ligj për të paguar këtë detyrim si borxh publik, por ligji duhet të miratohet paraprakisht edhe nga Brukseli.

Në qershor, qeveria e Bullgarisë njoftoi se do të kërkojë blerës për dy reaktorët bërthamorë por nuk e mbylli opsionin për të kërkuar investitorë privatë për rigjallërimin e projektit.

Të hënën, një deputet nga partia në pushtet GERB, Delyan Dobrev, dorëzoi imunitetin parlamentar pasi prokuroria nriti akuza kundër tij në lidhje me projektin Belene.

Prokurorët e akuzuan Dobrev se kishte neglizhuar punën për NEC gjatë kohës që qe Ministër i Ekonomisë dhe Energjisë mes viteve 2009 dhe 2013, gjë që i ka kushtuar shtetit 560 milionë euro.

(reporter.al: http://www.reporter.al/rusia-fal-interesat-e-borxhit-bullgar-mbi-centralin-berthamor-sovjetik/)