Rusi: Politikë me fe gjithkund në Europën Lindore

Në Europën Lindore me dekada të tëra feja është shtypur nga komunizmi. Një çerekshekull më vonë gjithçka duket ndryshe. Një rol të veçantë po e luan Rusia.

Foto: Shutterstock



25 vite pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik feja, sipas një ankete, po përjeton një rilindje në vendet e Europës qendrore dhe lindore të karakterizuara nga ortodoksizmi. Sipas anketës numri i atyre që deklarohen si të krishterë ortodoksë në Rusi gati është dyfishuar mes viteve 1991 dhe 2015 – nga 37 në 71 për qind.

Këtë e ka treguar një anketë e prezantuar në Moskë ditë më parë nga instituti amerikan Pew Research Center në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Friedrich-Ebert. Trende të ngjashme hulumtuesit kanë konstatuar edhe në ish-republikat e tjera ortodokse ish-sovjetike si Ukraina.

Anketa hulumton zhvillimin e fesë në 18 shtete të Europës qendrore dhe lindore, të cilat gjatë Luftës së Ftohtë u sunduan nga komunizmi. Në lidhje me këtë anketuesit pyetën 25 mijë të rritur mes qershorit 2015 dhe korrikut 2016. Shumica e vendeve dominohen nga konfesioni ortodoks, në disa të tjera si Polonia shumica është katolike.

Anketa konfirmon një trend, i cili vërehet prej vitesh në shoqërinë ruse. Që nga fundi i Bashkimit Sovjektik, ku feja shtypej, besimi po forcohet sërish si pjesë e identitetit nacional dhe kulturor. Kësisoj, 57 për qind e ruseve dhe rusëve e shohin ortodoksinë si kriter për të qenë pjesë e kombit rus. Edhe më e theksuar është kjo pikëpamje në Gjeorgji, Serbi dhe Greqi.

«Shumë të krishterë ortodoksë na thonë se feja e tyre para së gjithash është çështje e kulturës nacionale apo e traditës familjare dhe më pak e besimit personal», tha njëri nga autorët e anketës. Kjo shihet edhe në atë se në vendet ortodokse identifikimi me fenë po rritet, por shkuarja e rregullt në kishë dhe lutjet mbesin në nivel të ulët.

Nën presidentin rus Vladimir Putin kisha ruso-ortodokse është bërë një shtyllë e rëndësishme morale. Kundërshtarët e qeverisë e shohin me sy kritik lidhjen e ngushtë mes kishës dhe shtetit. Me më shumë se 100 milionë ithtarë Patriarkati i Moskës është bashkësia më e madhe fetare ortodokse.

Rrjedhimisht, anketa konfirmon rolin prijës të Moskës në botën ortodokse. Sipas anketës 85 për qind e rusëve thonë se një Rusi e fuqishme është e nevojshme për të kufizuar ndikimin e Perëndimit.

Edhe në shtetet e tjera ortodoske shumica e të anketuarve përkrahin këtë mendim, mes tyre shteti anëtar i BE-së Greqia (70 për qind), Serbia (80 për qind) dhe Bjellorusia (76 për qind). Po ashtu shumica në këto vende mendon se Rusia duhet t’i mbrojë të krishterët ortodoksë edhe jashtë kufijve të saj.

Përjashtim bën vetëm Ukraina, ku vetëm 22 për qind e shohin Rusinë si kundërpol të rëndësishëm ndaj Perëndimit. Që nga aneksimi i siujdhesës së Krimesë nga Moska në vitin 2014, Ukraina dhe Rusia gjenden në konflikt. Po ashtu Kievi akuzon Moskën se po mbështet separatistët prorusë në Ukrainën lindore. (DPA)