Rushdie: Shkrimtarët e sfidojnë frikën, letërsia është guxim

Salman Rushdie ka thënë se «mbrojtësit e fjalës së lirë duhet të gjenden në libra» dhe «shkrimtarëve u takon të jenë në vijën e frontit».




Këto deklarata i ka dhënë të martën paradite, në konferencën për media, një ditë para hapjes zyrtare të edicionit të 67-të të Panairit të Librit në Frankfurt. Përzgjedhja e Rushdies si mysafir, në ngjarjen më të madhe në botë të librit, ka nxitur reagim të ashpër të Iranit, shkruan sot «Koha Ditore».

Ministri iranian i Kulturës ka anuluar pjesëmarrjen këtij shteti duke thënë se «zyrtarët e panairit si temë zgjodhën lirinë e shprehjes, por ata kanë ftuar dikë që ofendoi fenë». Irani lëshoi një fatva kundër Rushdies pas publikimit të romanit të tij «Vargjet satanike» më 1988. Kjo e detyroi fituesin e çmimit «Booker» që për disa vjet të jetojë i fshehur. Mëngjesin e së martës në qytetin gjerman, Rushdie foli për atë se si liria e shprehjes po sfidohet nga dhuna dhe kërcënimet ndaj atyre që janë pjesë e industrisë së librit, duke nisur nga shkrimtarët dhe përkthyesit e deri tek botuesit dhe librashitësit.

«Botuesit dhe shkrimtarët nuk janë luftëtarë. Ne nuk kemi tanke. Por barra bie mbi ne që ta mbajmë vijën e frontit», ka thënë Rushdie. «Letërsia mund të jetë e dobët për shkak se nuk ka fuqi reale në botë, por në njëfarë mënyre është narrativja më e madhe, duke na vënë neve në pikëpyetje se çka është fiktive. Ne e sfidojmë veten dhe refuzojmë ta trajtojmë botën si të tillë. Ne i sfidojmë të gjitha opinionet korrigjuese dhe të gjitha frikët. Letërsia nuk trembet», ka shtuar ai. Të hënën Rushdie, përmes një postimi në tij në rrjetin social «Twitter», ka mbështetur Nayantara Sahgal dhe të gjithë fituesit e tjerë indianë të «Sahitya Akademi», çmim i cili së fundmi është kthyer në formë të protestës kundër vrasjes së dijetarit indian MM Kalburgi, në muajin gusht. Ai njihej si njëri prej intelektualëve i cili synonte thyerjen e besëtytnive, gjë që zëmëroi grupe të ndryshme religjioze. Vrasësi ende nuk është identifikuar.

«E mbështes Nayantara Sahgal dhe shumë shkrimtarë të tjerë që po protestojnë para ‘Sahitya Akademi’. Kohë alarmuese për lirinë e shprehjes në Indi», ka shkruar Rushdie në «Twitter», duke shtuar se ai nuk mbështet «asnjë parti politike indiane dhe kundërshton çfarëdo lloj sulmi ndaj fjalës së lirë. Liria është partia ime e vetme».

Ndërsa në Frankfurt ai tha se «është e rëndësishme që të mbrohen shkrimtarët dhe shkrimi», dhe se «fiksioni është narrativja që e konteston botën».

«Në Perëndim nuk do të duhej të flisnim për lirinë e fjalës. Do të duhej të ishte si ajri që e thithim. Më duket se kjo betejë është fituar qindra vjet më parë…Fakti se ne duhet të kthehemi dhe të luftojmë në këtë betejë është rezultat i fenomeneve të tanishme», ka thënë shkrimtari.

Organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt kanë thënë se shpresojnë për «dialog të mëtutjeshëm» me Ministrinë e Kulturës së Iranit, rreth anulimit të pjesëmarrjes së tyre në panair. Sipas organizatorëve, disa botues iranianë ende janë prezentë në Frankfurt.

Jurgen Boos, drejtor i Panairit, ka thënë se shpreson që anulimi ka qenë «një vendim i ngutshëm dhe se do të mund të vazhdojnë të zgjerojnë marrëdhëniet» dhe se panairi është «vend i dialogut».

«Megjithatë, për ne, liria e shprehjes është e panegociueshme. Nuk duhet të harrojmë se Rushdie ende po kërcënohet me vdekje për shkak të punës së tij», ka thënë Boos, në konferencën para hapjes së panairit. «Liria e shprehjes momentalisht është në një situatë të ndjeshme. Është nën zjarr, në sensin më të drejtë të fjalës. Kohët që po jetojmë përcaktohen nga konfliktet e dhunshme, dhe me dhunën e cila gjithmonë po merr një drejtim: atë të gabuarin», ka shtuar ai.

Ai i bëri thirrje industrisë së librit që t’i «qetësojnë» lexuesit.

«Shikojeni Rushdien. Ai krijon turbulenca me veprat e tij. Po kështu duhet të bëjnë edhe botuesit e tjerë, të kenë guxim të jenë kundërthënës», ka thënë Boos, duke iu referuar romanit të ri të Rushdies «Two Years, Eight Months and Twenty-Eight Nights», ku kundërshtarët dyshekullorë flasin për qëndrimet e tyre kontradiktore.

«Duhet t’i diskutojmë këto gjëra në mënyrën e duhur: të jemi të sjellshëm me kundërshtarin, por të jemi të ashpër në mbrojtjen e asaj që flasim», shkruan Rushdie në librin e tij. «Ajo që thuhet këtu është shumë e thjeshtë, por edhe e vërtetë. Është e pamundur të vrasësh një ide ose një qëndrim. Nuk do të zhduket, edhe nëse do të duhej që të vrasësh të gjithë njerëzit që e shprehin atë ide. Ato që mbesin gjithmonë janë fjalët», ka thënë Boos.

Panairi i Librit në Frankfurt zyrtarisht do të hapet sot (e mërkurë) dhe do të zgjasë deri më 18.