Rumunët triumfojnë kundër klikës së korruptuar

300 mijë rumunë në rrugë e sheshe. Nuk është viti 1989, nuk është diktatori Nikolae Çaushesku gjallë. Por në vitin 2017 në pushtet janë trashëgimtarët e tij të korruptuar. Ata deshën të amnistojnë veten, por këtë plan ua prishën rumunët e emancipuar – të prirë nga presidenti me prejardhje gjermane, Klaus Johannis.

Pamje nga protestat në Rumani.



Ka politikanë që s’kanë asnjë skrupull për t’i bërë dëm vendit. Vjedhin votat ose fitojnë zgjedhjet me gara të pandershme elektorale, vijnë në pushtet, plaçkitin arkën e shtetit, mbajnë me para klientët e tyre, zgjerojnë rrjetin e nepotizmit – dhe pastaj duan të qëndrojnë përgjithmonë në pushtet. E tillë është partia e ashtuquajtur socialdemokrate rumune PSD, e cila është në pushtet.

Me një urdhëresë urgjente kjo parti ka vendosur ta amnistojë vetveten. Urdhëresa qeveritare thotë se të dënueshme janë në të ardhmen vetëm deliktet që kalojnë 200 mijë lei (afër 50 mijë euro). Një zyrtar që vjedh, ta zëmë, 30 mijë euro, nuk dënohet. Si është e mundur kjo pafytyrësi? Qe shpjegimi: pas dekretit të qeverisë qëndron Liviu Dragnea, i cili nga prapavija i mban dizgjinët e PSD-së. Dragnea nuk arriti të bëhej kryeministër për shkak se është i dënuar për manipulim të zgjedhjeve dhe aktualisht kundër tij po zhvillohet një procedurë gjyqësore për keqpërdorim të 100 mijë lei. Urdhëresa e qeverisë e amniston Dragnean, sepse s’ka keqpërdorur më shumë se 50 mijë euro. Kështu, i larë e shpëlarë nga qeveria, ai do të përpiqej të merrte postin e kryeministrit. Qeveria ka menduar edhe më thellë: i ka prezantuar parlamentit një ligj, i cili parasheh faljen e politikanëve të dënuar nëse dënimi i tyre është nën 5 vjet. Nga ky ligj do të përfitonin plot politikanë të PSD-së të dënuar viteve të fundit për korrupsion.

Sa i përket korrupsionit PSD-së rumune ndoshta në Ballkan ia kalon vetëm e ashtuquajtura Parti Demokratike e Kosovës (PDK). Në vjeshtën e vitit 2015 qeveria e PSD-së e prirë nga Victor Pont dha dorëheqje pas një zjarri në një diskotekë në Bukuresht, ku vdiqën më shumë se 50 veta. Tragjedia ishte shkaktuar nga mosrespektimi i rregullave të mbrojtjes nga zjarri. Edhe këtu luante rol korrupsioni. Në dhjetor PSD prapë i fitoi zgjedhjet – duke premtuar rroga më të larta dhe pensione më të larta.

Ndërsa emancipimi politik në Kosovë nuk ka arritur ende nivelin e duhur, partitë e korruptuara mund të qëndrojnë në pushtet. Ndryshe në Rumani. Hyrja në BE, forcimi i sistemit të drejtësisë, shoqëria civile aktive, diaspora e madhe rumune dhe shumë e angazhuar në të mirën e vendit, një president me origjinë gjermane, i cili qëndron në krye të angazhimeve për një shtet funksional dhe pa korrupsion kanë ndikuar që të ngushtohet hapësira për politikanë të korruptuar në Rumani.

Pas dekretit të fundit për amnistinë e politikanëve të korruptuar, rreth 300 mijë rumunë vërshuan sheshe e rrugë – në Bukuresht, Temishvar, Cluj, Constanta, Iasi. «Shporruni» – kjo ishte thirrja e demonstruesve gjithandej. Dukej sikur ata po i referoheshin një vargu të himnit rumun: «Tash ose kurrë – një fat tjetër thur». Drejtësia në Rumani që nga viti 2013 ka ashpërsuar luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit. Figura të larta politike si ish-kryeministri Adrian Nastase kanë përfunduar në burg. Agjencia rumune kundër korrupsionit (DNA) çdo vit heton deri në një mijë zyrtarë të nivele të ndryshme. Gjatë fundjavës presioni u bë aq i madh, saqë qeveria premtoi se do ta tërheq dekretin. Të dielën ajo do të mbajë një mbledhje për këtë çështje. Mbetet të shihet nëse dekreti do të hiqet përgjithmonë apo përkohësisht.

300 mijë rumunë kanë dalë në rrugë në vitin 1989, kur e rrëzuan regjimin e Nikolae Çaushesku. Pastaj diktatori dhe gruaja e tij u pushkatuan. Në vitin 2017 rreth 300 mijë rumunë penguan qeverinë të amnistojë politikanë të korruptuar. Në krye të lëvizjes qytetare u vunë intelektualë, politikanë, zyrtarë – dhe kryetari i shtetit Klaus Werner Johannis. Siç e thotë edhe emri: kryetari është me origjinë gjermane. Johannis doli në rrugë bashkë me popullin dhe e quajti qeverinë «një bandë me regjistër dënimesh». Viteve të fundit politikanët rumunë i ka trembur sidomos prokurorja Laura Kovesi. Në periudha të caktuara ajo çdo ditë akuzonte mesatarisht nga katër persona për ryshfetmarrje, plaçkitje të arkës shtetërore, manipulime tenderësh dhe delikte të tjera. Figura të njohura dhe të panjohura, me ndikim të madh dhe të vogël janë futur në burg. Kështu është rritur besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit. Ata nuk ndalen tani – deri kur të thahet moçali i korrupsionit. Një shembull për Kosovën. Dhe Shqipërinë. Dhe Maqedoninë…