Rumania përballet me krizë politike pasi kryeministri refuzon të japë dorëheqjen

Kryeministri social demokrat në Rumani, Sorin Grindeanu ka refuzuar të japë dorëheqjen, pavarësisht se partia e tij i tërhoqi mbështetjen dhe të gjithë ministrat e tjerë u dorëhoqën.

Kryeministri rumun Sorin Grindeanu. Foto: Shutterstock



Rumania u përball me një krizë politike në rritje të enjten pasi Partia Social Demokrate në pushtet, PSD, shkarkoi qeverinë e saj gjashtëmujore – por kryeministri Sorin Grindeanu refuzoi të japë dorëheqjen.

Kryeministri e akuzoi liderin e partisë, Liviu Dragnea, për përpjekjen për të kontrolluar partinë dhe qeverinë.

PSD kërkoi dorëheqjen e të gjithë qeverisë pas një takimi të nxehtë të mërkurën, kur liderët e partisë e vlerësuan qeverinë aktuale si të pakënaqshme.

Të gjithë ministrat në kabinet paraqitën dorëheqjen dhe liderët e PSD-së votuan për tërheqje nga mbështetja për Grindeanu.

Por, pas një argumenti të nxehtë mbi punën e kabinetit, Grindeanu braktisi takimin e Komitetit Ekzekutiv të PSD-së, duke u zotuar të mbante detyrën.

Kreu i PSD-së, Dragnea e mohoi të mërkurën në mbrëmje të ketë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por tha se qëllimi ishte të vlerësonte punën e qeverisë.

Megjithatë, në një konferencë për shtyp në mbrëmje, Grindeanu këmbënguli se Dragnea ishte përpjekur ta bindte atë të jepte dorëheqjen dhe i kishte ofruar disa poste të tjera në këmbim të saj.

Ai gjithashtu kritikoi vlerësimin e paraqitur nga udhëheqja e partisë, duke nënkuptuar se ishte një farsë politike e krijuar për të treguar në mënyrë të gabuar se kabineti i tij ishte i paaftë.

«Edhe pse kemi një ekonomi të mirë dhe disa ministra kanë punuar vërtet shumë, i thashë Dragneas se ata që donin të mbanin përgjegjësi për këtë dështim të supozuar le të jepnin dorëheqjen. Nuk ma mori mendja se do të ndodhte», tha Grindeanu.

Ai shtoi se Dragnea kishte zgjedhur anëtarët e kabinetit herën e parë, por se këtë herë ai do t’i zgjidhte vetë. Ai tha gjithashtu se do të jepte dorëheqjen vetëm kur presidenti Klaus Iohannis të emëronte një tjetër kryeministër nga PSD dhe shtoi se ministrat duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre derisa ai t’i dërgojë dorëheqjet në presidencë. Kryeministri ka deri në 15 ditë kohë për ta bërë këtë.

Të enjten, ai postoi në Facebook, duke falenderuar mbështetësit dhe duke u thënë anëtarëve të partisë të mos kishin frikë, të ishin në anën e mirë.

«Rumania ka nevojë për stabilitet dhe një qeveri të përgjegjshme», shkroi ai.

Të enjten, zëdhënësja e presidentit, Madalina Dobrolvoschi, tha se Iohannis nuk do të përfshihej në këtë krizë, duke shtuar se zgjidhja e saj ishte përgjegjësi e koalicionit qeveritar.

PSD nuk ka njoftuar nëse ka një plan tjetër për të zgjidhur çështjen ose nëse lidershipi i partisë ka një kabinet të ri për të emëruar.

(https://www.reporter.al/rumania-perballet-me-krize-politike-pasi-kryeministri-refuzon-te-jape-doreheqjen/)