Rumania kap anijen e tretë me emigrantë në Detin e Zi

Roja bregdetare rumune gjeti një tjetër anije me emigrantë të dielën, ndërsa frika është në rritje se vendi po kthehet në një rrugë të re të emigrantëve që destinacion e kanë perëndimin.

Emigrantët e kapur nga policia rumune. Foto: politiadefrontiera.ro



Të dielën, rojet bregdetare të Rumanisë në Detin e Zi kapën një anije peshkimi me 87 emigrantë, përfshirë 23 fëmijë.

Anija po lundronte drejt bregut rumun dhe ky është incidenti i tretë i këtij lloji gjatë muajit korrik dhe gusht.

Numri i njerëzve që përpiqen të kalojnë kufirin nga Rumania në Hungari është rritur gjithashtu gjatë muajit të kaluar, lajmëruan zyrtarët.

Policia kufitare rumune raportoi se të paktën 90 vetë u përpoqën të kalonin ilegalisht në Hungari gjatë javës së fundit të gushtit.

28 emigrantë që jetonin në parqe ose në rrugë u gjetën nga policia në Timisoara, në Rumaninë perëndimore, gjatë një bastisje në fundjavë.

Me mbylljen e kufirit midis Bullgarisë dhe Turqisë, si dhe mes Hungarisë dhe Serbisë dhe Kroacisë, zyrtarët në Bukuresht janë të shqetësuar se emigrantët do ta bëjnë Rumaninë pjesë të një rruge të re emigrimi.

Megjithatë, ministri i brendshëm Carmen Dan të dielën tha se emigrantët do të trajtohen si njerëz që kanë nevojë për ndihmë, e jo si kriminelë.

(https://www.reporter.al/rumania-kap-anijen-e-trete-me-emigrante-ne-detin-e-zi/)