RTK-ja shkel afatin për financimin e projekteve filmike

Paratë, të cilat Radiotelevizioni i Kosovës ishte zotuar t’i ndante në emër të interesit publik dhe zhvillimit të kinematografisë, tash më shumë se dy muaj pas afatit të përcaktuar me marrëveshje, nuk janë derdhur në xhirollogarinë e Qendrës Kinematografike të Kosovës.




Në korrik të vitit të kaluar, këto dy institucione kishin nënshkruar marrëveshjen sipas së cilës RTK-ja do të bëhej bashkëfinancuese e projekteve filmike të QKK-së. Sipas kësaj marrëveshjeje, RTK-ja do të duhej të alokonte mjetet më së largu deri në fund të qershorit, shkruan sot «Koha Ditore».

«Përveç në rastet e parapara në nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje, RTK-ja do të alokojë mjetet e saj në llogari të QKK-së jo më larg se gjashtë muaj nga miratimi i buxhetit të RTK-së», thuhet në nenin 15 të marrëveshjes. Buxheti i Kosovës për këtë vit e ku përfshihet edhe ai i RTK-së, është miratuar më 30 dhjetor të vitit të kaluar. E neni 2 i Marrëveshjes përcakton që RTK-ja duhet të financojë projektet «përveç në rastet e mungesës së mjeteve financiare të dedikuara për blerjen e veprave audiovizuale apo ndalesave të tjera të parapara me ligj».

Ky buxhet parashihet të mos jetë më i vogël sesa një e treta e shumës që ndan për mbështetjen a blerjen e veprave audiovizuale, e të cilën e ka të përcaktuar me ligj. Sipas përllogaritjeve që kishte bërë QKK-ja, me këtë Marrëveshje, e cila ka hyrë në fuqi në ditën e parë të këtij viti, buxheti i tyre do të rritej për afro 200 mijë euro. Buxheti i RTK-së për këtë vit është 9,7 milionë euro nga 8,8 sa ka qenë vitin e kaluar.

Qendra Kinematografike e Kosovës tashmë ka shpallur projektet fituese të konkursit të këtij viti. Fiks 17 projekte filmike do të subvencionohen nga buxheti i shtetit. Në procesin e vlerësimit nuk është llogaritur shuma që do të duhej të ndante RTK-ja.