Rrushi zbukurues i Rahovecit




Avdullah Duli, 81-vjeçar, bashkë me familjarët e tij kishin nisur të mërkurën punën e vjeljes së rrushit që në orën 6:00 të mëngjesit. Rreth mesditës ata kishin grumbulluar dhjetëra gajbe rrush të llojit “Vranac”.

Rrushin e tryezës tashmë e kishin vjelë. Ndërkohë që po priste traktorin për ta dërguar në një punëtori të përpunimit të tij, ai bashkë me nipin e tij, Muhametin, 9-vjeçar, dhe me familjarë të tjerë po ndukte kalaveshë të rinj.

Sado që s’dukej të ishte i kënaqur me fitimin, Duli flet me pasion për punën që e bën me dekada të tëra.

“Gjysh e babagjysh kemi jetuar nga kjo punë. Është punë e vështirë, por nuk të lë pa bukë”, thotë ai. Duli nuk e vlerëson njëjtë cilësinë e rrushit të sotëm me atë të mëparshmin.

“Sot po stërpiken me lloj-lloj helmesh, kurse atëherë e mbronim hardhinë me gurkali dhe me qyreq (gëlqere v.j.)”, tregon ai, dhe shton se rrushi mund të hahet edhe në degë. “Edhe unë po e ha nga pak në degë, por e di që s’është i pastër”, theksonte ai.

Gjëja tjetër që ai ankohej ishte edhe çmimi i lirë i kilogramit të rrushit të verës. Theksonte se 25 centë po e jepnin një kilogram. Për punën e lodhshme, thoshte se rrushi nuk jep kurrë pushim.