Rrugët e njëjta të fateve të ndryshme

Në të njëjtin segment rrugor që lidh Gjevgjelinë me Kumanovën kalojnë dy grupe emigrantësh, në drejtime të kundërta: refugjatët e dërrmuar të luftërave në Siri e gjetiu kah Veriu, kurbetçinjtë dhe turistët kah Jugu.

Nga Besnik EMINI

Ka vite që një grup i njerëzve që i lëshojnë vendet e tyre, fati i ka çuar të kalojnë nëpër Maqedoni. Ata vijnë kryesisht nga vendet e përfshira në konflikte që zgjatin disa vite. Në mesin atyre janë të ikurit nga Siria, Afganistani, Iraku, Pakistani etj. Maqedonia bën pjesë te shtetet transit në rrugëtimin e emigrantëve, e cila sapo e ka rregulluar qarkullimin e lirë të të huajve, duke u dhënë atyre 72 orë afat kalimi nëpër vend. Para miratimit të këtij ndryshimi në Ligjin e azilit, pamundësia për të hyrë legalisht në vend ka qenë arsyeja që ata që vendosin ta kalojnë këtë hapësirë ilegalisht, duke e kaluar një rrugë të gjatë dhe duke shfrytëzuar mjete dhe mënyra të ndryshme të transportit. Rrugëtimi i tyre kryesisht kryhet nëpërmjet Turqisë dhe Greqisë. Nga Greqia në Maqedoni futeshin në mënyrë ilegale në grupe nga 10-20 persona. Pasi e kalonin Maqedoninë, ata futeshin në Serbi, hapësirë të cilën kishin kohë prej 72 orëve për ta kaluar, duke u drejtuar në Hungari; prej nga vazhdonin për në vendet e Perëndimit. Për shkak të emigrantëve, Maqedonia e kishte fajësuar Greqinë që e lejonte qarkullimin e tyre nëpër territorin e saj, nga ku futeshin këndej.

Maqedonia, vend azili!

Meqenëse emigrantët hynin ilegalisht në Maqedoni, kjo nga autoritetet konsiderohej si kundërvajtje. Prandaj, një pjesë e tyre ishin arrestuar dhe ishin dërguar në një qendër të përshtatur për strehim, në lagjen e Gazi Babës. Në stacionin «Qendra e Pranimit të të Huajve» ata mbaheshin në cilësinë e dëshmitarit për hetime të mëtutjeshme për trafikim të qenieve njerëzore. Kushtet jetësore aty ishin të mjerueshme. Ishin mbi 400 persona, ndërkohë që kapaciteti i saj ka qenë për rreth 100 veta. Shoqata dhe individë të shoqërisë civile e ngrehën zërin për situatën e emigrantëve të ekspozuar në kushte të tilla. Nga kampi kanë dalë edhe video amatorësh, të bëra me telefona, të cilat e kanë pasqyruar gjendjen e tyre brenda. Nga prapa grilave janë parë shpesh të klithin «Ju lutem, nga ndihmoni!». Ata kanë pohuar se janë të detyruar të flenë nëpër dysheme dhe nëpër shkallë. Emigrantët i ka vizituar edhe Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili e ka pohuar gjendjen e vështirë që mbretëronte nëpër mjediset e strehimit. Emigrantët kanë qenë të moshave dhe të gjinive të ndryshme. Midis tyre edhe shumë fëmijë, gra shtatzëna dhe njerëz me nevoja të veçanta. Ka edhe fëmijë pa prindër. Është informuar edhe për një lindje në Spitalin e Gjevgjelisë, qyteti i parë pas futjes nga Greqia.

Reagimet e këtilla dhe raportimet e përditshme të gazetarëve kanë ushtruar presion mbi Qeverinë që ta ndryshojë Ligjin për azil. Është organizuar edhe marshi protestues me moton «Një kilometër në këpucët e emigrantëve!». Qeveria, më në fund, e ka ndryshuar Ligjin për azil, i cili ua lejoi emigrantëve ta shfrytëzojnë hapësirën e Maqedonisë për 72 orë.

Sipas disa përllogaritjeve formale, Maqedoninë për një ditë e kanë kaluar rreth 300 emigrantë, duke udhëtuar kryesisht në këmbë, e në raste të caktuara edhe me biçikleta, çmimet e të cilave ishin rritur në mënyrë të konsiderueshme. Si pikë përfundimtare në Maqedoni ata e kanë shfrytëzuar Kumanovën, por edhe fshatrat përreth, kryesisht Vaksincën. Xhamitë e Kumanovës e kishin marrë pamjen e qendrave të strehimit, ku mbase është shtruar edhe ushqim falas nga shoqatat e bamirësisë.

Rruga e shpresës…

Nga fillimi i vitit 2015 është raportuar që gjatë udhëtimeve nëpër hekurudhë e kanë humbur jetën rreth 30 emigrantë. Madje rrugëtimi i tyre është realizuar më shpesh nëpër binarët e hekurudhës sesa nëpër rrugë për automjete, apo për këmbësorë. Kolona të tëra me gra, burra, fëmijë, të ikur nga tmerret e luftës dhe rrënimi i kushteve për jetë u bënë pjesë e endjeve pa fund, duke e shijuar golgotën e rrugës së shpëtimit, fatit, jetës së re. Në errësirën e natës, në heshtje, në grupe, ecnin si hije rrugëve dhe hekurudhave të shpresës. Të frikësuar dhe të lodhur, kërkesa e vetme ishte që t’i lësh të ikin të qetë. Me pak tesha dhe shumë shpresa, ata shpejtonin të shkojnë në botën e lirisë së imagjinuar, duke ecur maratonën e maratonës, duke i sfiduar kufijtë e durimit njerëzor dhe duke e tejkaluar edhe vetveten. Shumë prej tyre janë parë të kryejnë lutje fetare pranë rrugës. Kur këto pamje u bënë të shpeshta, ata më nuk e habitnin askënd, ata u bënë pjesë e jetës së përditshme.

Në mesin e rrëfimeve të shumta për fatin e emigrantëve do të mbetet lajmi për fatin tragjik të djaloshit 20-vjeçar, i cili, i lodhur, thjesht i është dorëzuar gjumit mbi binarët e trenit. Ai mbase as që e ka kuptuar kur treni ka kaluar mbi të. Vuajtjet e babait të tij dhe të katër motrave të mitura vetëm mund të imagjinohen. Të tjerë, edhe pse e kanë dëgjuar zërin e tmerrshëm të trenit, janë vonuar të kërcejnë nga binarët dhe e kanë gjetur fundin e jetës në binarët e shpresës. Një nënë e moshës 60-vjeçare, bashkë me djalin e saj me nevoja të veçanta, rreth të 30-tave, para kamerave pohoi që grupi e kishte lënë, ngase kishin qenë të ngadalshëm. Meqë burri i ishte vrarë në luftë në Siri, nuk kishte gjë në botë, përveç tij.

Pavarësisht ngjarjeve të këtilla, kolonat kanë vazhduar drejt rrugës drejt Perëndimit. Ata që udhëtojnë, në sytë e njerëzve janë thjesht emigrantë. Profilet e tyre për profesionet, pasionet, dëshirat, dijet… thjesht janë të fshira. Biografitë e tyre nuk dëshiron t’i dëgjojë askush. Ata janë thjesht njerëz që shkojnë diku.

Përderisa tani emigrantët udhëtojnë në formë të organizuar transporti me trena, rrugëve të njëjta po ndodh kontradikta e udhëtimit: Në njërin drejtim, nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë drejt Evropës shkojnë ata që kërkojnë shpëtimin dhe shpresën, në të drejtim të kundërt – nga Evropa nëpërmjet Maqedonisë drejt Greqisë vijnë mijëra evropianë me vetura luksoze, rimorkio kampimi, bashkë me barkat e shpejta të ngjitura pas tyre. Këta udhëtojnë në kërkim të diellit, të detit, të vendeve ekzotike, për të pushuar, për ta shijuar Mesdheun e së kaluarës dhe të së tanishmes. Qeveritë e tyre ndërtojnë mure mbrojtëse, me tela dhe pa tela, montojnë kamera termale e gjithfarë llojesh, futin në përdorim qentë e kufirit të harruar pas aq vitesh, ndoshta që nga lufta e ftohtë, për t’i kapur trupat e dërmuar që e kërkojnë shpresën dhe shpëtimin.

Është e njëjta rrugë që e kalojnë të dyja palët dhe një hekurudhë që lidh Gjevgjelinë me Kumanovën. Mbi binarët dhe asfaltin e njëjtë të tyre kalojnë njerëz me fate të ndryshme. Vera e këtyre pushimeve për dikë do ta sjellë gëzimin e një pushimi të paharruar, për dikë shpresën e shpëtimit të kërkuar, e për dikë zhgënjimin.

Foto: Rruga Gjevgjeli - Kumanovë/ Autor: Besnik EMINI