Rrugët dhe rrugaçët e Prishtinës

Në lidhje me heqjen e emrave në rrugët Radovan Zogoviq dhe Kosta Novakoviq në kryeqytetin e Kosovës: opinioni ka të drejtë të kërkojë transparencë të plotë për këtë skandal.




  1. Kur është marrë vendimi që nga rrugët me emrat e tyre të dëbohen Radovan Zogoviqi dhe Kosta Novakoviqi?
  2. Cili ka qenë arsyetimi për marrjen e vendimit?
  3. Kush janë anëtarët e komisionit përkatës?
  4. A janë larguar emrat e Zogoviqit dhe Novakoviqit nga rrugët në qendër të Prishtinës për shkak se janë emra sllavë?
  5. Përse nuk i është hequr emri ndonjë rruge tjetër në Prishtinë me emër të ndonjë shqiptari që ka më pak merita se Ukshin Hoti apo Lorenc Antoni?
  6. A është dëgjuar mendimi i familjeve Hoti dhe Antoni për këto ndryshime apo vendimi është marrë në mënyrë arbitrare?
  7. Kryetari i Prishtinës ka njoftuar se komisioni ka marrë vendim për ndërrimin e vendit të rrugës Radovan Zogoviq «pas shumë ankesave nga lagjja». Të çfarë natyre kanë qenë këto ankesa? A ka peticion me shkrim dhe me nënshkrime nga ana e banorëve? Për çfarë arsye është kundërshtuar emri i Zogoviqit nga banorët?
  8. Dhe në vijim një konstatim: Ukshin Hoti njihet e çmohet edhe si intelektual me bindje të majta, socialdemokrate, mbështetës i madh i solidaritetit mes popujve, i debateve me nivel. Si i tillë, besoj që ai do ta përjetonte si fyerje që emri i tij përdoret për efekte primitive nacionaliste duke përzënë emrin e Kosta Novakoviqit, një socialdemokrati nga Serbia, i cili para një shekulli mallkoi me shumë shkrime krimet serbe në Kosovë, i cili ishte dëshmitar i luftës pushtuese serbe në Kosovë, i cili përshkroi fshatrat shqiptare të djegura nga ushtria serbe dhe shqiptarët që vriteshin mizorisht nga ushtria serbe.
  9. Duket se anëtarët e komisionit që kanë hequr emrat e Zogoviqit dhe Novakoviqit nuk kanë lexuar asgjë nga vepra e tyre, madje duket se atyre u mungon edhe vetëdija historike. Sa për orientim një citat nga ditari i Kosta Novakoviqit: «E kalojmë lumin Drin… Një shqiptar fatkeq ishte pranë rrugës me një tufë dhensh. Kur u përpoq t’i ruajë delet që të mos ia marrë ushtria – e vranë dhe delet i morën me vete». E shkruar në vitin 1912, atëherë kur mbi 90 për qind e shqiptarëve në Kosovë mbase nuk dinin shkrim-lexim dhe i vetmi politikan që merrte vesh diçka nga politika ishte Hasan Prishtina. Në atë kohë Kosta Novakoviqi ishte 26-vjeçar. Ukshin Hoti do të turpërohej me vendimin e komisionit të rrugëve apo rrugaçëve të Prishtinës.
  10. Dhe në fund: a ka fuqi kjo shoqëri të ndikojë që ky vendim skandaloz të tërhiqet? A ka politikanë që dalin hapur dhe e mbështesin idenë që rrugëve t’u kthehen emrat që i kishin? A ka njerëz në Prishtinë që besojnë se duhet të vijë dita për të menduar dhe jo vetëm për të urryer? A ka shoqëri civile në Kosovë që fillon një aksion për të korrigjuar këtë vendim arbitrar nga një tufë injorantësh, të cilët me gjasë mendojnë se duke përdhosur emra humanistësh po nderojnë Ukshin Hotin dhe Lorenc Antonin?