Rrugaçë pa një pjesë të trurit

Antishqiptarizmi është shndërruar në pjesë të identitetit nacional të një shtrese të konsiderueshme të maqedonasve sllavë. Këtë ushqim duhet t’ua ndalë atyre kryeministri i ardhshëm Zoran Zaev – nëse dëshiron që Maqedonia të ketë ardhmëri.



I tmerruar me antisemitizmin e nacionalistëve gjermanë të Vjenës shkrimtari hebraik Joseph Roth në fillim të shekullit ’20 shkruante: «Vjenezit i mungon një pjesë e trurit. Bash ajo pjesa ku e ka vendin mençuria». Ky konstatim profetik u bë realitet i llahtarshëm me gjenocidin nazist ndaj hebrenjve. Roth, një gazetar që kishte shkruar reportazhe edhe nga Shqipëria e Ahmet Zogut, vdiq në greminën e dëshpërimit pasi nga mërgimi u bë dëshmitar i ndalimit dhe djegies së librave të tij në Gjermani.

Maqedonasit janë një komb shumë i vogël ballkanik, nuk kanë ndonjë fuqi për të thënë, por antishqiptarizmi është sport kombëtar i jo pak prej tyre. Qe më shumë se dy muaj mbështetësit e Nikola Gruevskit gërvallen rrugëve të Shkupit: «Vrasje shqiptarëve!» Po të ishte gjallë Joseph Roth për këta nacionalistë primitivë ballkanikë do të shkruante se u mungon një pjesë e trurit. Bash ajo pjesa ku e ka vendin mençuria.

Kundër kësaj shfryrjeje ksenofobe do të duhej të mobilizohej opinioni maqedonas. Gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, akademikë, shkrimtarë, profesorë universiteti. Për fat të keq kjo nuk ndodh, me ndonjë përjashtim të vogël. Në mediat maqedonase përhapen klishe për shqiptarët, për shembull një historian shkroi në një gazetë të Shkupit se shqiptarët janë me origjinë nga Afrika. Më këtë synohej të thuhej se si racë e dorës së dytë, si zezakë të bardhë me kësulë të bardhë ata nuk mund të jenë të barabartë me sovranin maqedonas.

Trajtimi i shqiptarëve si ardhacakë, si mysafirë që durohen nga maqedonasit pronarë të shtetit tregon se një pjesë e të ashtuquajturës elitë politike të Shkupit edhe pas një çerekshekulli të Maqedonisë së pavarur mendon se shqiptarët janë një pakicë e papërfillshme dhe jo një grup etnik hisedar i shtetit pa të cilin Maqedonia nuk ka ardhmëri.

Lideri i opozitës së deritanishme maqedonase Zoran Zaev në rast se zgjidhet kryeministër, ka një detyrë të rëndësishme para vetes: t’ua ndalë ushqimin nacionalistëve maqedonas. Kjo nuk është punë e lehtë, por si kryeministër ai duhet t’ia bëjë të qartë shumicës sllave se shqiptarët «nuk do të kthehen në Afrikë» përkundër se këtë mund ta dëshirojë ndonjë nacionalist, as nuk do të shpërngulen matanë Sharrit, në Kosovë, as nuk do të strehohen në Durrës (përveç se kur shkojnë për t’u rrezitur për dy-tri javë gjatë verës).

Një pjesë e madhe e maqedonasve ende jeton me iluzionin se duhet t’u hakmerren shqiptarëve për «poshtërimin e vitit 2001», kur një trupë kryengritësish shqiptarë me pak armatim dhe të organizuar dobët arritën ta sillnin Maqedoninë buzë greminës. Ky «poshtërim» nuk do të kishte ndodhur nëse shteti maqedonas nuk do të kishte vrarë, plagosur e terrorizuar njerëz (shqiptarë!) vetëm pse ata kërkonin universitet. Ky «poshtërim» nuk do të kishte ndodhur nëse shteti maqedonas nuk do të mbyllte shumicën e shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Maqedoni që në fund të viteve ’80 – një model që pastaj e zbatoi edhe Serbia në Kosovë gjatë viteve ’90. Ky «poshtërim» nuk do të kishte ndodhur nëse shqiptarët nuk do të diskriminoheshin duke mos u punësuar në administratën shtetërore, sidomos në polici dhe ushtri, dhe duke mos u trajtuar të barabartë sa i përket zhvillimit ekonomik.

Pjesë e së vërtetës është edhe ky fakt: partitë politike shqiptare në Maqedoni ua kanë lehtësuar pushteteve maqedonase qasjen diskriminuese ndaj shqiptarëve. Që nga Kiro Gligorovi, Branko Cërvenkovski, Lubço Georgievski e deri te Nikola Gruevski – të gjithë, pa dallim, e kanë kuptuar se politikanët shqiptarë kanë një çmim, i cili mund të përkthehet kështu: më jep një tender që t’i harroj dhjetë kërkesa për avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar. Kjo politikë e keqe ka zhgënjyer shqiptarët. Si rezultat tani nuk ka një parti të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, e cila ka autoritet të flasë në emër të shqiptarëve. Në zgjedhjet e fundit katër parti shqiptare fituan vende në parlament. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po thotë se është dashur të ndërhyjë ai për t’i detyruar krerët e këtyre partive të flasin mes vete. Kjo flet shumë për devalvimin e kulturës politike.

Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në krye të parlamentit maqedonas ekziston njëfarë euforie që kufizohet në faktin se në zyrën e të parit të parlamentit flitet shqip, se aty gjendet flamuri kombëtar shqiptar e kështu me radhë. Por nga simbolika nuk jetohet. Nëse krijohet një qeveri mes socialdemokratëve të Zaevit dhe buqetës së partive shqiptare dhe nëse ajo qeveri e çon mandatin deri në fund, qytetarët në fund të vitit 2021 do të pyesin se sa ka ndryshuar pozitivisht jeta e tyre. Nëse në këtë drejtim vazhdohet me avazin e deritanishëm, ekziston rreziku i parcializimit të mëtutjeshëm të spektrit politik shqiptar në Maqedoni. Ky parcializim është parë edhe me arratisjen e së paku 45 mijë zgjedhësve shqiptarë te partia e Zaevit.