Rruga «Suksesi»

«Oda shqiptare», «Mikpritja», «Trimat», «Suksesi», «Murseli», «Neziri», «Sylë Ukshini», «E lashtë», «Qamëria» - mbi dhe nëpër rrugët e Kosovës.



Një ditë pranvere është e përshtatshme për të bërë një udhëtim nga Prishtina në Ferizaj dhe tutje nga Shtërpca nëpër Prevallë për të përfunduar në Reçan, në një lokal te pika e karburantit «Bengazi Petrol». (Në disa kohëra të tjera pika e karburantit quhej pompë benzine). Sidoqoftë, emri Bengazi është një sinjal se pronarët mund të kenë ndonjë lidhje me Libinë, me Bengazin, qytetin bregdetar libian. Në epokën e Jugosllavisë kishte mjaft shtetas jugosllavë që punonin në Libi. Në Reçan valon mbase flamuri më i bukur i Kosovës, me qëndisma të verdha përreth.

Në një ditë pranvere nuk bien në sy vetëm flamujt e rrallë të Kosovës në fshatrat dhe qytezat e Kosovës. Prej se Bashkimi Europian ka kërkuar që çdo qytetar i Kosovës të ketë adresën e vet, autoritetet kosovare kanë filluar t’i emërojnë të gjitha rrugët, në fshatra e qytete, kudo. Si shumë punë që në Kosovë bëhen me stihi, pa ndonjë përgatitje, pa diskutim publik, pa plan, edhe emërimi i rrugëve s’ka si të jetë më ndryshe.

Nëse firmat ndërtimore bartin emra si «Daja Rrah», nëse qebaptoret quhen «Higjiena», «Te Shabani», «Te kaftori» (koftori), «Te qebapi», atëherë ky trend vazhdon edhe me emërimin e rrugëve. Nga Ferizaj në Shtërpcë bien në sy këto rrugë: «Oda shqiptare», «Mikpritja», «Trimat», «Suksesi», «Murseli», «Neziri», «E lashtë», «Qamëria» (do të duhej të ishte Çamëria). Një rrugë quhej «Sylë Ukshini», por mbetet për t’u sqaruar nëse bëhet fjalë për një diplomat të Kosovës në Tiranë apo për ndonjë person tjetër.

Përse një rrugë të quhet «Oda shqiptare»? Ose «Mikpritja»? Ose «Suksesi»? Suksesi i kujt? Athua çfarë suksese janë arritur në atë rrugë? Si t’ia shpjegosh, për shembull, një turisti nga Zvicra, Gjermania apo Austria se përse një rrugë duhet të quhet «Die albanische Stube» (Oda shqiptare)? Përse një rrugë të quhet «E lashtë»? Dhe çfarë ka bërë vaki në rrugën «Trimat»? Përse trimëria të reduktohet në një rrugë në rrethinën e Ferizajt, kur dihet se shqiptarët kudo ku jetojnë janë trima sypatrembur? Për çfarë lashtësia bëhet fjalë në rrugën «E lashtë»?

Por nuk duhet ta atakojmë vetëm Ferizajn. Në tërë Kosovën fenomeni i emërimit të rrugëve me emra qesharakë apo i përzënies së emrave prominentë në periferi tashmë ka marrë përmasa absurde. Ndërsa qendrën e Prishtinës e kanë rezervuar dhe zaptuar për vete figurat e luftës së fundit, në një cep të kryeqytetit, diku mes restorantit «Puro» dhe Hajvalisë së Halil Matoshit, Behgjet Pacollit dhe Medës gjendet rruga Mahmut Bakalli. Në të vërtetë nuk është fare rrugë. Së paku jo rrugë urbane. Emri i Mahmut Bakallit është shënuar në një tabelë të kaltër në një rrugë fushe, ku zakonisht mund të kalojë ndonjë breshkë, traktor apo gjarpër. Ata që kësaj rruge nëpër ara ia kanë vendosur emrin e Mahmut Bakallit, ndoshta kanë menduar se po e nderojnë, në të vërtetë e kanë fyer.

Të gjitha këto emërime rrugësh flasin edhe për nivelin e përgjithshëm kulturor së pari të administratës kosovare, pastaj edhe të shoqërisë së gjerë. Në vend të rrugës «Mahmut Bakalli» më e udhës do të ishte që udha të quhej «Rruga e fushës» apo «Rruga e livadhit». Nëse në zemrën e Zürichut gjenden «Sheshi i luanit», «Rruga e luanit», «Rruga e stacionit të trenit», përse në Kosovë një rrugë e fushës të mos quhet rrugë e fushës? Nëse në zemër të Zagrebit gjenden «Rruga e Pragës» dhe «Rruga e Varshavës», a ekziston në ndonjë qytet të Kosovës «Rruga e Parisit», «Rruga e Varshavës», «Rruga e Zürichut», «Rruga e Gjenevës», «Rruga e Bernës», «Rruga e Berlinit»?

Një problem tjetër është transkribimi i emrave e toponimeve. Rregullat e gjuhës shqipe thonë se emrat e toponimet e huaja duhet të transkribohen. Është një vendim i viteve ’70 dhe duhet të ndërrohet. Dhe nëse këtë nuk e ndërrojnë ata që janë të ngarkuar të kujdesen për gjuhën shqipe, atëherë duhet injoruar, sepse nuk ka më asnjë kuptim që një rrugë të quhet «Sharl Dë Gol» në vend të «Charles de Gaulle» ose «Uilliam Uoker» në vend të «William Walker» ose «Vesli Klark» në vend të «Wesley Clark». Globalizimi ka përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare dhe njerëzit duhet të mësohen që emrat t’i shkruajnë, lexojnë e kuptojnë ashtu siç shkruhen në origjinal, sepse ashtu më lehtë gjenden edhe në internet, kur dikush hulumton diçka në rrugën «Suksesi».