Rruga që na ka treguar Pashko Vasa

Kronika e një prishtinasi tipik.

Pashko Vasa

(Pjesa e dytë)

Në mileniumin e parë religjionet ishin bartëse të dijes më të madhe të asaj kohe. Shoqëria myslimane në atë kohë ishte më e lirë dhe brenda atij territori jetonin të gjitha fetë pa shumë telashe. Organizimi i xhamisë pati sukses dhe ngritje deri ne shekullin e ‘11 dhe nuk është çudi fare, sepse profeti Muhamed vetë nuk i kishte prekur shkencëtaret e asaj kohe e as që u kishte bërë presion fetar bile. Deri vonë enciklopedia më e madhe e njerëzimit ishte ajo arabe. Me ardhjen e mileniumit të dytë filloi rritja e vetëdijes njerëzore, të kuptuarit u zgjerua edhe më tutje. Përgjigjet që i jepnin kisha e xhamia për jetën më nuk e kënaqnin kureshtjen e njeriut. Kisha organizoi gjithfarë fushatash dhe të gjithë shkencëtaret që hidhnin dritë në të panjohurën ishin të vrojtuar dhe të ndjekur nëse ato mendime shkelin mbi vlerat që këta vetë i vendosën, shumë sosh u dogjën në turra druri si heretikë.  Pak më vonë, gjetjet e këtyre njerëzve u bënë njohuri e përgjithshme dhe ajo dritë shpejt kaloi tek tërë njerëzimi.

Shkenca në ketë mënyrë sa rritej e shtonte konfliktin me kishën. Shkencëtaret sfidonin përgjigjet koti të kishës për fenomenet natyrore dhe ishin të përndjekur si heretikë. Edhe të krishterët më herët ishin njëjtë të përndjekur nga organizimet e mëhershme romake. E shihni tani se e tëra është shumë njerëzore dhe asgjë në fakt nuk ka hyjnore edhe pse shitet e tillë? Por t’i kthehemi tani muhabetit të shkencës. Ngadalë duke u ndritur mendja njerëzore, hendeku mes shkencës dhe religjionit rritej.  Këta besonin se tokën e mbajnë në shpinë tri balena dhe ky qëndrim nga kisha ka shkatërruar mendje të zgjuara njerëzorë vetëm për t’i mbrojtur shpjegimet e tyre «hyjnore». Shkenca medoemos duhej të vendoste rregulla të forta shkencore; nuk pranohet asgjë që nuk mund të preket, shihet apo matet me aparate. Kjo edhe funksionoi shumë mirë në të gjithë botën që ne e perceptojmë si të tillë përmes pesë shqisave tona. Bota fizike përreth u përshkrua për mrekulli. Shkencëtaret kishin famën sikurse pop yjet sot qysh nga mesi i shekullit ‘19 e deri tek gjysma e shekullit ‘20. Kriteret shkencore u bënë aq të rrepta, saqë secila gjë që dukej në ndonjë eksperiment, dhe e cila nuk mund të shpjegohej përmes botës shumë fizike të tyre, lihej anash dhe nuk përmendej apo edhe mohohej kategorikisht si për shembull gjetjet e fizikës kuantike. Bile të gjithë shkencëtaret që merreshin me këto çështje edhe mund të humbnin karrierën e tyre, sepse merreshin me gjëra «koti» dhe shpesh bëheshin objekt talljeje. Sa e sa koka të mëdha shkencore kanë bërë gabime të tilla që i kanë kushtuar njerëzimit shumë, duke shtypur idetë e reja dhe duke mbajtur monopolin mbi ato të vjetrat. U krijua një sistem shkencor, një skemë me institucionet e tyre shkencore e cila ngadalë por sigurt u fut nën tutelën e biznesit. Dhe kështu shkenca u bë pronë e biznesit. A paska ndodhur me shkencën njëjtë si me religjionet? E shikoni gjënë e njëjtë?

Mund ta përfundojmë thjesht kështu. Secila njohuri e fituar njerëzore duhet të kultivohet dhe t’i shërbejë njeriut për një jetë më të mirë. Kur kjo njohuri ngrihet dhe merret si supreme, vetë ajo njohuri bëhet pengesë për njohuritë e reja.

Ka edhe një kategori tjetër. Ateistët. Fillesat e këtij grupi kanë qenë njerëz me shumë njohuri filozofike dhe shkencore. Ateistët nuk përtojnë aspak të argumentojnë ditë e natë kundër ekzistencës e asaj që e mohojnë apriori. Kanë shumë pyetje valide po ashtu. Por nuk mund ta vërtetosh mosekzistimin e diçkaje e në të njëjtën kohë nuk mund ta vërtetosh as ekzistencën.

Shkenca e konsideron vetëdijen njerëzore si produkt të trurit, ndërsa religjioni të njëjtën gjë e konsideron si shpirt dhe se shpirtin ta jep zoti. Ky është konflikti.     Kohëve te fundit ky konflikt ka marre përmasa te reja.  Shkenca ka vërejtur disa gjëra të reja të cilat ende nuk janë pranuar si të tilla sepse jemi në periudhën e mohimit me ruajtjen me çdo kusht të status-kuosë. Për shembull është kuptuar që para secilit mendim njerëzor se së pari bëhet ndezja e neuroneve të caktuara para se të thuhet ai mendim. Kjo i ka befasuar shkencëtarët sepse njeriu duket si i paraprogramuar. Eksperimenti tjetër ka të bëjë me paraqitjen e fotografive ndërsa truri ka qenë i lidhur me makinë të sofistikuar e cila ka përcjellë vazhdueshëm se çfarë po ndodhë me trurin kur i sheh ato foto. Kanë vërejtur që truri në fakt ka parapërgatitur personin në fjalë për foton e radhës e cila ishte foto e ndonjë masakre. Shkencëtaret nuk e dinë si truri e di pak më herët këtë punë. Ndoshta ka të bëjë me kohën që është e tëra në një pikë, e të cilën e ka thënë Einsteini përmes teorisë së relativitetit. Në vitin 2007 një francez shkoi tek mjeku me pak ankesa dhe mjeku vendosi t’i bëjë një CT të kokës. U vërejt që 90 për qind e trurit të tij ishte në gjendje lëngu dhe se vetëm korteksi dhe një shtresë e hollë ishte funksionale. Ky person ishte funksional, punonte në zyrë si nëpunës dhe kishte dy fëmijë. Ai ende është gjallë dhe funksional. Shkencën e ka goditë shumë ky person, sepse teoritë e tyre që vetëdija njerëzore prodhohet nga truri, këtu po thyhen dhe i ka bërë shumë shkencëtar ta pyesin veten. Ngjashëm kanë zbuluar që edhe drunjtë komunikojnë mes tyre dhe kjo prapë i ka lënë shkencëtaret gojëhapur. Deri tani është menduar që kjo bëhet vetëm tek krijesat me sistem nervor. Tashti e dinë se edhe pemët komunikojnë mes vete, por s’e kuptojnë si e bëjnë këtë.

Religjionet e kanë rrëmbyer shpirtin e njeriut. Në vend të mësimeve origjinale që secili njeri është pjesë e gjithçka që është. Gjithçka që është përfshinë edhe ato që janë përtej pesë shqisave tona dhe se ajo që dimë është pakrahasueshëm më pak se sa ato që nuk kemi dijeni. Në vend të mësimeve që secili nga ne kemi të njëjtën mundësi të ndriçimit, kanë bindur shumicën e njerëzimit se institucionet fetare janë të zgjedhurit dhe se ne të tjerët, në vend te kërkimit e ndriçimit, duhet të shkojmë në tempujt që këta i kanë ndërtuar dhe t’i nënshtrohemi klerikëve se ata e dinë këtë rrugë dhe jo njerëzit e zakontë. Shikoni me vëmendje këto dy libra. Të gjithë personazhet e tyre janë njerëz që bëjnë pyetje, dyshojnë, i drejtohen zotit duke kërkuar përgjigje, dhe eventualisht kanë marrë përgjigje. Të gjithë kanë dëgjuar zëra në kokën e tyre. Sot, secili nga ne, po të shkojmë tek mjeku dhe t’i themi dëgjoj zëra, gjasat reale i ke të përfundosh në institucion mental.

Shikoni çfarë kanë bërë! Konceptin e asaj që e quajnë Zot, (God, anglisht, Allah, për ata që s’e dinë Allah është Zot ne gjuhen arabe dhe si arabët po ashtu edhe krishterët i thonë Allah sepse është emërtimi për Zotin dhe se nuk ka asgjë më tepër se sa një emër). Së pari e kanë emëruar, pastaj i kanë dhënë formë, bile e kanë bërë mashkull, me mjekër te bardhe, ai i plotfuqishmi, fuqiploti. Pra, i kanë dhënë formë dhe kanë krijuar totem nga ai emërtim në kokat e njerëzve. Dhe i falen atij totemi mental. Që i bie njëjtë me faljen para demit nga floriri. Kjo është e qartë kundër mësimeve të vetë këtyre religjioneve. Sipas konceptit biblik dhe kuranor, ajo që thirret zot është gjithçka, është ajo që krijon gjithçka që është. Nuk është paraqitje formë. Është vetëdije e pastër nga e cila paraqiten të gjitha format. Sa e sa njerëz religjiozë kanë arritur ndriçimin e mendjes dhe janë liruar nga kjo injorancë, ata janë përjashtuar si heretikë, si të okupuar nga djalli, janë hedhur me gurë deri në vdekje apo janë djegur në turra druri.

E gjitha po sillet rreth primatit dhe pushtetit dhe mbajtjes së tij nga ata persona që marrin përsipër këtë!   Nuk do ta gjeni një shkencëtar që ka kuptuar çështje komplekse shkencore, që ka bërë thyerje të njohurive të vjetra, dhe ta ketë kufizuar veten vetëm me shkencën e kohës së tij/saj. Secili nga ta shkon përtej mendjes dhe përtej njohurisë së tanishme në thellësi meditative dhe e sjellë atë dritë në nivelin e mendjes njerëzore. Secili nga ata janë asgjë tjetër përpos Promete për njerëzimin.  Këta shkencëtarë nuk janë pjese e sirtarëve dhe ngrirjeve të pandryshueshme. Ata janë vetë ndryshimi. Ata janë shpirtrat e lirë njerëzorë që s’e durojnë ngrirjen e njohurive. Ky lloj njeriu, sipas të gjitha gjasave, do jetë ura e re e kalimit të vetëdijes njerëzore në një nivel më të lartë duke përfshirë shkencën dhe vetëdijen njerëzore si forcë që kalon botën fizike. Unifikimi i këtyre të dyjave do jetë magjike. Roli i religjionit në ketë periudhë do jetë kryesisht pengues, edhe pse me Papën e fundit po shihet që edhe kisha bënë përpjekje të adaptohet me njohuritë e reja.

Para ardhjes se asaj që e njohim si revolucion industrial, ishin disa koka gjeniale që arritën ta ngritin dijen e racës njerëzore në atë nivel që solli atë revolucion.  Klasa sunduese borgjeze që kishte sistemin që e kontrollonte dhe përfitonte nga ai, bëri rezistencë të madhe duke u frikësuar shumë nga drita e re e mendjes njerëzore. U bënë ndërrime të mëdha, ndodhen revolucione sociale të ndryshme dhe luftëra që sollën një sistem të ri, disa vlera të reja mbi të cilat u vendosën sisteme të reja socio-ekonomike dhe kjo periudhe vazhdoi deri në dekadën e fundit të mileniumit të dytë. Lindja e internetit bëri të mundshëm revolucionin e ri të vetëdijes njerëzore të mileniumit të tretë. Revolucionin e informatave. Interneti bëri të mundshme shkëmbim të informatave dhe ndarjen e njohurisë mes njerëzve që është ekuivalente me zbulimin e shtypit që mundësoi botim masiv të librave që i parapriu revolucionit të mileniumit të dytë. Aq e shpejt është shpërndarja e njohurisë njerëzore tani, saqë ka futur frikën në palcë të atyre që e kontrollojnë ketë sistem të shpikur me ardhjen e revolucionit industrial në mileniumin e kaluar. Nga frika i janë përveshur punës me zell që ta kontrollojnë përmbajtjen e internetit dhe i shtyjnë shtetet që të vendosin legjislacionin për ta kontrolluar internetin.  Arsyetimi i tyre është siguria publike dhe siguria e fëmijëve. Arsyeja e vërtetë është kontrolli mbi revolucionin e tanishëm deri sa të arrijnë ta garantojnë veten dhe t’i mbajnë pozicionet e tyre të tanishme.

Në pika shumë te shkurtra ky ishte udhëtimi im sa i përket religjionit dhe shkencës. Kur e shikon këtë fotografi disa mijëvjeçare e kupton që ka diçka më shumë, diçka përtej shkencës dhe religjionit. Religjionet kanë shkaktuar shumë vuajtje të racës njerëzore ndërsa shkenca është bërë shërbëtore e strukturës së korporatave botërore dhe kështu tani të dyja këto janë bërë pengesë e zhvillimit njerëzor.  Po mundohen ta kontrollojnë edhe nivelin e vetëdijes njerëzore për përfitime të tyre dhe mbajtje kontrolli. A s’është kjo në kundërshti me vlerat njerëzore dhe me mësimet bazë të librave fetare? Fizika na mëson që çdo aksion e ka reaksionin e vet. Ky ligj i fizikës mund ta përshkruajë lehtë situatën e tillë. Çdo tentativë për ta kontrolluar shpirtin e lirë njerëzor do ta ushqejë vetë atë etje për liri e cila po ndihet gjithandej në planet tani. Të qenit budist, i krishterë apo mysliman të gjitha përfundojnë tek e njëjta gjë. Tek jeta e njeriut me dashuri dhe pa vuajtje.

Mbas tërë këtij rrugëtimi u ktheva rishtazi tek thënia e Pashko Vasës «Feja e shqiptarit është shqiptaria». Kjo thënie nuk është ateiste, por as shkencën se rrezikon.  Kjo thënie fton shqiptaret të jene përfshirës, por jo kufizues. Kjo thënie e paraqet më së miri arsyen pse edhe në kohën e perandorisë bizantine i vetmi popull që i është drejtuar vetes me emrin e përkatësisë etnike dhe jo religjioze.  Këtë të drejtë e kishim vetëm ne. Të qenit shqiptar nuk është vetëm përkatësi etnike, është mënyrë jetese. Edit Durham e ka vërejte të njëjtën gjë. Ajo thotë: «Ngado që shkova njerëzit u identifikonin me fenë, jam i krishter, jam mysliman, përveç tek shqiptarët, ata te gjithë thoshin jam shqiptar kur i pyesja çfarë janë».

Nuk kam nevojë të besoj. Besimi është iluzion i kulluar.  Shpresa po ashtu është rrena më e madhe. Të gjithë ne së bashku tani kemi nevoje të dimë. Për të ditur duhet të mësojmë. Kjo është rruga njerëzore, s’ka tjetër. Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Kapaciteti i të kuptuarit nuk ka fund në mendjen njerëzore. Pyetjet, dyshimi dhe mësimi vazhdon.

(FUND)

[Shkëlzen Dhomi, i lindur në Prishtinë, në vitet ‘90 ka studiuar pikturën në Akademinë e Arteve. Në vitet ‘2010 ka studiuar juridikun. Jeton në Kanada. Dikur samuraj i asfaltit të Prishtinës. Kërkues dhe dashamir i dijes].