Rruga drejt tmerrit e pilotit Andreas Lubitz

Gati tre muaj pasi piloti i kompanisë gjermane Germanwings qëllimisht rrëzoi avionin në alpet franceze dhe ua mori jetën 149 njerëzve, mediat gjermane sjellin detaje të hollësishme të një drame njerëzore.




Kanë kaluar gati tre muaj prej se në shkëmbinjtë e alpeve franceze u ça dhe u bë copë e grimë një avion i kompanisë Germanwings. Të mërkurën familjeve u janë dorëzuar mbetjet mortore të viktimave – pasagjerë e anëtarë të ekuipazhit, 149 sish, të cilët humbën jetën më 24 mars 2015, pasi piloti Andreas Lubitz e kishte rrëzuar avionin qëllimisht. Ai kishte shfrytëzuar momentin për të bllokuar kabinën e pilotëve kur piloti kryesor kishte shkuar në tualet. Pas një hulumtimi që ka zgjatur disa javë gazeta «Süddeutsche Zeitung» dhe televizionet publike WDR dhe NDR sjellin hollësi të trishtueshme mbi këtë ngjarje të rëndë dhe të paparë në këtë përmasë në fushën e fluturimeve komerciale.

Një ditë para katastrofës piloti Andreas Lubitz ishte i ngarkuar që me një koleg ta çojë nga Düsseldorfi në Berlin-Tegel një avion të zbrazët. Po atë ditë ai u kthye në Düsseldorf – si pasagjer. Në shtëpi ai notoi nëpër internet, shkoi në dyqan bashkë me partneren e tij për të blerë artikuj ushqimorë, përgatiti ushqimin. Ditën tjetër ai, sipas planit, ishte caktuar të jetë ko-pilot, pra pilot ndihmës, në vijën Düsseldorf-Barcelonë-Düsseldorf. Avioni ishte nisur në orën 06:01 drejt Barcelonës.

Një ditë para se ta rrëzonte avionin Lubitz kishte kërkuar shumë fjalë në google – dhe fjala e fundit ishte: «Patientenverfügung». Autorizim pacienti, kështu mund të përkthehet kjo fjalë. Në Gjermani ky dokument përcakton se si duhet të sillet mjeku nëse pacienti nuk është ende i vdekur, por as tamam në jetë. Fjalët e tjera që kishte kërkuar ishin: «vdekje», «spital», «vuajtje». Lubitz ishte 27-vjeçar, vraponte gjysmëmaratonë, askush në rrethin e tij familjar dhe të profesionit nuk e kishte përshtypjen se vuante nga ndonjë sëmundje.

Hetimet e deritanishme tregojnë se piloti Andreas Lubitz kishte menduar të bëjë vetëvrasje, por me gjasë ai kishte frikë se nuk do t’ia dilte, se do të zbulohej me kohë dhe do të kthehej në jetë nga mjekët. Mediat e lartpërmendura gjermane kanë ardhur në përfundimin se Lubitz nuk kishte qëllimin të bëhej vrasës masiv, siç u bë, por fillimisht, si një i ri i dëshpëruar, ai kishte shqyrtuar disa mundësi si të largohet nga kjo botë.

Gjatë kthimit nga Barcelona piloti kryesor kishte dalë nga kabina për të shkuar në tualet. Komandën tani e kishte marrë Lubitz. Vetëm 29 sekonda më vonë ai kishte ndërruar lartësinë e fluturimit dhe nuk kishte reaguar në pyetjet e kontrollit të fluturimeve se përse po e ulte avionin. Ai nuk ia kishte hapur derën pilotit, kur ky kishte trokitur dhe goditur. Ndërkohë kishte rritur shpejtësinë gjashtë herë me radhë, derisa kishte arritur maksimumin. Dhe me shpejtësi maksimale avioni ishte përplasur në alpet franceze.

Si është e mundur të ndodhë diçka e tillë? Është spekuluar shumë për këtë tragjedi dhe hetimet e deritanishme tregojnë po ashtu se Lubitz ishte i bindur se vuante nga një sëmundje e syve. Për këtë qëllim ai kishte kontaktuar 46 mjekë. Asnjë nga këta mjekë nuk arrin në përfundimin se Lubitz kishte probleme me sy. Por frikën atij nuk arriti t’ia marrë asnjë mjek: ai tmerrohej se një ditë nuk do të shihte më, nuk do të mund të punonte si pilot, profesioni i tij i ëndrrave, pasioni i tij i madh. Kjo frikë e çoi në vdekje.

Një mjek i syve pas një vizite të Lubitz kishte shkruar: «Mouches volantes», «miza fluturuese», një nocion shkencor për pika të zeza që vallëzojnë para syve të pacientit. Asgjë e jashtëzakonshme, shumë njerëz kanë probleme të tilla, por mund të ushtrojnë profesionet e tyre. Nëna e kishte këshilluar Andreas Lubitzin të shkojë te psikiatri dhe ai e kishte pranuar këtë këshillë, por nuk kishte folur për problemet psikike, vetëm për sëmundjen e tij të syve – një sëmundje që nuk ekzistonte. Neurologët supozuan se bëhet fjalë për një defekt mental që shkaktonte frikë. Lubitz nuk i tregonte punëdhënësit për këtë. Dhe vazhdonte të fluturonte. Disa ditë para tragjedisë në mars 2015 gjendja e Lubitz keqësohet në mënyrë dramatike. Mes datave 13 dhe 22 mars ai nuk fluturon pasi është lajmëruar si i sëmurë. Një mjek konstaton se pacienti vuan nga kompleksi i dhembjeve psikosomatike. Por as për këtë piloti i ri nuk e njofton punëdhënësin. Më 18 mars ai 67-herë kërkon në internet informata për tema të ndryshme si «vdekja e shpejtë», «çka ndodh nëse merr shumë tableta për gjumë?», etj.

Më 20 mars, katër ditë para se ta rrëzonte avionin, ai kërkon informata në internet për dyert e kabinave të avionit. Pastaj kishte shikuar një reportazh për këtë temë që ishte emituar në televizion. Lubitz ishte një i ri i ballafaquar me një krizë të madhe psikike. Një hetues thotë: «Sikur të kishte qenë gjahtar, ai ndoshta e kishte vrarë veten. Sikur të kishte qenë parashutist, ai me gjasë do të kishte kërcyer nga qielli pa parashutë. Por ai ishte pilot». -lli